Ndërlidhjet

Ambasada (SHBA): Të respektohet vendimi i KZAP-it për rivotim edhe në Gjilan


“Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet, të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada amerikane, pas takimit që ambasadori Kristofer Dell zhvilloi me kryetaren e KQZ-së, Nesrin Lushta.



Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell, ka zhvilluar sot një takim me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta.

Në një komunikatë për opinion, të lëshuar nga Ambasada amerikane, thuhet se “Shtetet e Bashkuara mbështesin vendimin e KQZ-së, të datës 22 dhjetor, për të implementuar, pjesërisht, vendimin e Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (KZAP), të datës 19 dhjetor, i cili udhëzoi përsëritjen e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetar komune në Prizren, Lipjan dhe Gjilan”.

“Ne besojmë se, pas shqyrtimit të mëtejmë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të njohë në tërësi obligimin e vet, të respektojë vendimin e KZAP-it për të përsëritur zgjedhjet edhe në Gjilan. Qëllimi i ligjit në këtë çështje është i qartë dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgjegjësi të qartë të urdhërojë përsëritjen e zgjedhjeve në të tri komunat sipas vendimit të KZAP-it, të datës 19 dhjetor”, thuhet në komunikatë.

“Shtetet e Bashkuara përgëzojnë përpjekjet e kryetares së KQZ-së, zonjës Lushta, për të siguruar zbatimin e ligjit dhe i inkurajojmë të gjitha partitë dhe entitetet politike, të respektojnë si germën, ashtu edhe frymën e ligjit, gjersa ky proces vijon, si dhe të përmbahen nga përpjekjet për të minuar institucionet dhe proceset e vendosura me ligj, për avantazhet e tyre partiake”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Ambasada amerikane.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në takimin e paralajmëruar për sot, pritet të diskutojë, siç thuhet, çështjet që kanë të bëjnë me përgatitjet e këtij institucioni për përsëritjen e zgjedhjeve për kryetar komunash në Prizren dhe në Lipjan.

Kryetarja e KQZ-së, Nesrin Lushta, tha se në këtë takim, anëtarët e KQZ-së pritet të marrin një informatë nga Sekretariati i këtij mekanizmi, në lidhje me datat se kur Prizreni e Lipjani do të mund të jenë gati, në aspektin teknik, për të përsëritur zgjedhjet.

Lushta nuk përjashtoi mundësinë që në këtë takim të shtrohet sërish në tryezën e diskutimeve vendimi i mëparshëm për komunën e Gjilanit, për të cilën u votua që fillimisht të zhvillohen hetime dhe të rinumërohen votat, e pastaj të vendoset nëse do të ketë rivotim.

“Sa i përket komunës së Gjilanit, vendimi i djeshëm është për rinumërim dhe për hetim, ndërsa se si do të veprohet më tutje do të diskutojmë me anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe do të shohim se çfarë vendimi do të marrim në fund”, u shpreh Lushta.

Komisioni Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa më 19 dhjetor udhëzoi KQZ-në që të shpall rivotim për të tri komunat.

Në vendimin e tij thuhej se për Prizrenin, KZAP-i ka pranuar ankesa në lidhje me, siç thuhet, parregullsitë serioze dhe mashtrim zgjedhor të qëllimshëm për 34 nga 60 qendra të votimit.

Ankesa të njëjta kanë arritur në KZAP për 21 nga 31 qendra të votimit në Gjilan, ndërsa po të njëjtat ankesa janë pranuar për 15 nga 25 qendra të votimit të komunës së Lipjanit.

Të martën, KQZ-ja, ndërkaq votoi në lidhje me rivotimin jo për të trija komunat në pako, por për secilën komunë veç e veç.
XS
SM
MD
LG