Ndërlidhjet

Al Kaida, sulm terrorist në SHBA për Krishtlindje


Burime zyrtare amerikane pohojnë se një i ri nigerian, që vepronte në emër të Al Kaidës, ishte udhëzuar të hidhte në erë, në territorin amerikan, aeroplanin e linjës Amsterdam-Detroit. Sulmi terrorist duket se dështoi në saje të veprimit të shpejtë të udhëtarëve të tjerë.


Autoritetet amerikane kanë ndaluar një qytetar nigerian me akuzën se synonte të hidhte në erë një aeroplan pasagjerësh, që udhëtonte në Shtetet e Bashkuara nga Evropa. Sipas autoriteteve, bëhet fjalë për një komplot terrorist në ditën e Krishtlindjeve.

Dëshmitarët thonë se i dyshuari u bllokua nga pasagjerët e tjerë, derisa përpiqej t’i vinte flakën një materiali shpërthyes. Incidenti ndodhi në kohën kur aeroplani i afrohej Detroitit.

I dyshuari ka marrë plagë të rënda nga djegja.

“Fillimisht dëgjuam një zhurmë, që u duk si plasja e një tollumbaceje, por më pas pamë një zonjë që bërtiste ‘çfarë po bën?’”.

Kur kthyem kokën, pamë që ishte përleshje, pak radhë pas vendit ku ishim ne, dhe pamë tym. Një pasagjer u hodh mbi djalin që kishte krijuar problemin, e më pas sollën dhe pompën e ujit për shuarjen e zjarrit. Kishte shumë panik për 3-4 minuta”, tregon Elias Fauaz, dëshmitare në vendngjarje.

Një tjetër udhëtare, Melinda Denis, pohon se i dyshuari mori të djegura të rënda. “I dyshuari është djegur keq. Gjithë këmbën e kishte të djegur”, pohon Denis.

Presidenti Obama ka urdhëruar rritjen e masave të sigurisë për kompanitë ajrore amerikane. Kongresmeni Peter King tha se i dyshuari është një nigerian 23-vjeçar, me lidhje me Al Kaidën.

I dyshuari është identifikuar si Umar Faruk Abdul Mutallab dhe ka pranuar para policisë se vepronte në emër të Al Kaidës. Ai ka pohuar se e kishte marrë lëndën shpërthyese në Jemen.

Në kushte anonimiteti, zyrtarë sigurie kanë thënë për mediat se Mutallab ka pranuar se ishte udhëzuar ta hidhte në erë aeroplanin në territorin amerikan.

Autoritetet amerikane kanë kërkuar nga të gjitha vendet t’i rrisin masat e sigurisë për fluturimet drejt Shteteve të Bashkuara, për një kohë të pacaktuar.

Në aeroplanin, që fluturonte nga Amsterdami drejt Detroitit, gjendeshin 278 pasagjerë dhe një ekuipazh prej 11 personash. (I.B.)
XS
SM
MD
LG