Ndërlidhjet

Perëndimi dënon dhunën në Iran


Iran, 27 dhjetor 2009.
Iran, 27 dhjetor 2009.
Vendet e Perëndimit i kanë ripërsëritur kritikat e tyre ndaj shtypjes së protestuesve në Teheran.

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vdekja e protestuesve në Iran është pasojë e “veprimeve të papranueshme të forcave të sigurisë”, dhe i bëri thirrje Iranit t’i respektojë obligimet e marrëveshjeve të Kombeve të Bashkuara për lirinë e shprehjes.

Zëdhënësi i ministrisë së Jashtme franceze, Bernard Valero tha se aksionet e Teheranit nuk “çojnë askund”, dhe ftoi për negociata për zgjidhjen e krizës.

Të dielën, Shtetet e Bashkuara dhe Italia e dënuan dhunën kundër protestuesve civilë në Iran.

Shtëpia e Bardhë e përshkroi si “shtypje të padrejtë” veprimin e qeverisë dhe theksoi se Uashingtoni është në anën e protestuesve iranianë.

Italia tha se mbrojtja e jetës së njerëzve është vlerë fundamentale dhe kërkoi dialog mes qeverisë dhe opozitës.

Pjesëmarrësit në demonstratat e djeshme në Teheran u vranë dhe plagosën në disa nga përleshjet më të përgjakshme gjatë muajve të fundit, ndërmjet mbështetësve të opozitës iraniane dhe forcave të sigurisë.

Raportohet se forcat e sigurisë kanë hapur zjarr dhe kanë përdorur gaz lotsjellës kundër demonstruesve në Teheran dhe në qytete të tjera, gjatë ditës së djeshme.

* * * * * * * * * *

Në faqen e tij në internet, lideri opozitar iranian, Mehdi Karubi, i dënoi vrasjet e protestuesve gjatë përleshjes së mbështetësve të opozitës dhe forcave të sigurisë.

Ai shtroi pyetjen se si mund të shkaktojnë autoritetet gjakderdhjen e njerëzve të pafajshëm gjatë Ashureve, që është festa kryesore e myslimanëve shiitë.

Televizioni shtetëror njoftoi se 8 vetë u vranë dje në Teheran, ndërsa njoftoi se policia ka arrestuar më shumë se 300 vetë.

Në mesin e të vrarëve është edhe nipi i ish kandidatit presidencial, Mir Hosein Musavi, por policia e hodhi poshtë involvimin e saj në vrasje.

Dy faqe të tjera në internet raportuan se politikani opozitar, Ebrahim Jazdi, është arrestuar në shtëpinë e tij. Raporti nuk ka mundur të verifikohet.

XS
SM
MD
LG