Ndërlidhjet

(S)A po luftohet korrupsioni?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Lufta kundër korrupsionit gjatë vitit 2009 ka qenë një nga prioritetet e Qeverisë së Kosovës, thonë zyrtarë qeveritarë.

Mirëpo, ndryshe mendojnë zyrtarë të Agjencisë Kundër-Korrupsion, sipas të cilëve, nuk ka pasur angazhim të duhur në këtë drejtim nga institucionet e vendit.


Zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, thotë se angazhimi i Qeverisë në luftën kundër korrupsionit ka qenë i padiskutueshëm.

Sipas tij, gjatë vitit 2009 janë bërë shumë punë, si në aspektin legjislativ, ashtu edhe në atë praktik, për ta luftuar korrupsionin.

“Që nga fillimi i saj, Qeveria e Kosovës e ka pasur lart në listën e prioriteteve, luftën kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative me zero tolerancë”.

“Në këtë drejtim, shumë ligje janë adaptuar, por edhe kur janë draftuar, duke pasur në mendje këtë qasje, konkretisht, është hartuar Strategjia kundër korrupsionit”.

“Po ashtu, është hartuar Ligji kundër korrupsionit, i cili e ka kaluar leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës. Gjithashtu, janë hartuar një sërë strategjish sektoriale nga ana e Qeverisë së Kosovës”,
thotë Krasniqi.

Nga ana tjetër, zyrtarët e Agjencisë Kundër-Korrupsion thonë se gjatë vitit që e lamë pas, nuk është bërë sa duhet për ta luftuar korrupsionin.

Drejtori i kësaj agjencie, Hasan Preteni, thekson se asnjëra nga institucionet e vendit nuk mund të mburret se ka bërë punë të mirë për ta ulur nivelin e kësaj dukurie.

“Asnjë person, asnjë institucion nuk mund të mburret se në vitin 2009 ka pasur të arritura në luftën kundër korrupsionit”.

“Nëse mund të flasim për një progres, mund të themi se kemi pasur progres në drejtim të përfundimit të nomenklaturës ligjore me ligje të lëmenjve
”, thekson Preteni.

Sipas Pretenit, raportet për korrupsion të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit, që dorëzohen në prokuroritë e Kosovës, nuk janë shqyrtuar nga organet e drejtësisë.

Por, shton Preteni, në krahasim me vitet e kaluara, numri i rasteve të paraqitura në prokurori është më i madh.

“Karakteristikë tjetër them se është fakti që ka më shumë informacione, më shumë hetime, por fatkeqësisht them se për korrupsionin në Kosovë ende nuk ka gjykime”.

“Pak më shumë po hetohet, po nuk po gjykohet fare. Tjetër gjë negative për agjencinë është se, edhe pse pati një çështje deklarative se do të përkrahemi jo vetëm agjencia, po të gjithë mekanizmat anti-korrupsion, një gjë e tillë nuk ndodhi në vitin 2009
”, shprehet Preteni.

Në hulumtimet e bëra nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare gjatë vitit 2009, është thënë se niveli më i lartë i korrupsionit në Kosovë është në sistemin e drejtësisë dhe në Qeveri.

Një gjë të tillë e pohon edhe vetë drejtori i AKK-së, Hasan Preteni.

“Nuk ndryshon, ne gjithmonë e kemi publikuar që në mesin e institucioneve më të përfshira janë, me një radhitje jo precize, gjyqësori, ndërmarrjet publike, Qeveria dhe pushteti lokal”.

“Këto janë grupet e institucioneve, në të cilat ka edhe më tej informacione të shumta që janë kryer veprime të mundshme korruptive”,
pohon Preteni.

Ndryshe, zyrtarë të Komisionit Evropian në Prishtinë patën vlerësuar se korrupsioni në Kosovë ekziston në shumë forma dhe në të gjithë sektorët.

Ndërkaq, sipas tyre, parandalimi dhe luftimi i këtij fenomeni duhet të jetë rrënjësor dhe kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet të gjitha institucioneve kosovare.
XS
SM
MD
LG