Ndërlidhjet

Prishtina s'ka kërkesë nga presidenti serb


Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit, me rastin e Pashkëve Ortodokse, 17 prill 2009.
Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, gjatë vizitës në Manastirin e Deçanit, me rastin e Pashkëve Ortodokse, 17 prill 2009.

Institucionet e Kosovës thonë se nuk kanë marrë ndonjë kërkesë nga presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, i cili thuhet se ka shprehur dëshirën për të vizituar Kosovën. Vetë Tadiq ka thënë se kërkesën ua ka dërguar institucioneve ndërkombëtare në Kosovë. Por, këto të fundit nuk janë prononcuar mbi këtë çështje.


Presidenti serb, Boris Tadiq, ka shprehur dëshirën që të vizitojë Kosovën më 7 janar, për nder të Kërshëndellave Ortodokse.

Mediat serbe thonë se Tadiq ka kërkuar leje për vizitën tek autoritetet ndërkombëtare, të cilat, më pas, kërkesën thuhet se ua kanë përcjellë institucioneve kosovare.

Por, në adresë të institucioneve nuk ka arritur një kërkesë e tillë. Të paktën kështu thonë në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Zëdhënësja e MPJ-së, Albana Beqiri, thotë se deri më tash nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga zyrtarët serbë.

Jo, sa ne jemi në dijeni, në Ministrinë e Punëve të Jashtme nuk ka arritur asnjë karkësë e tillë. MPJ nuk është në dijeni për një kërkesë të tillë. Dhe, ajo që mund të them, është se, në fund të fundit, nuk është praktikë që është zbatuar në MPJ - nuk kanë mbërritur asnjëherë kërkesa te ne për vizata të zyrtarëve serbë, kushdo qofshin ata”, thotë Albana Beqiri.

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës nuk janë kundër vizitës së presidentit serb, Boris Tadiq, po qe se ai përmbahet nga dhënia e deklaratave politike në Kosovë. Zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri, thotë se Tadiq nuk duhet të japë deklarata që nxisin reagime.

Ne, parimisht, kurrë nuk kemi qenë kundër që kryetarë të vendeve të tjera të vinë dhe ta vizitojnë Kosovën. Mirëpo, (ata) të sillen konform rregullave, të mos japin deklarata të pamatura, që nxisin reaksione të padëshiruara ndër qytetarët e vendit”, thotë Xhavit Beqiri.

Presidenti serb ka qëndruar për herë të fundit në Kosovë më 17 prill të vitit 2009. Ai pati vizituar Manastirin e Deçanit me rastin e ditës së Pashkëve Ortodokse.

Ai pati hyrë në Kosovë pas një kërkese që i kishte bërë Zyrës së Përfaqësuesit të Posaçëm të Bashkimit Evropian, Piter Feith, dhe me miratimin e institucioneve qendrore në Kosovë.

Megjithatë, këto të fundit patën tërhequr vërejtjen se nëse presidenti i Serbisë bën çfarëdo deklarimi politik, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, atij do t’i ndalohet hyrja në Kosovë në të ardhmen, qoftë në kapacitet privat apo zyrtar.

Sido që të jetë, autoritetet e rendit kanë bërë të ditur se nëse institucionet e Kosovës lejojnë vizitën e Tadiqit, do të ofrojnë siguri. Pa një leje të tillë, atij nuk do t’i lejohet hyrja në territorin e Republikës së Kosovës, ka njoftuar Policia e Kosovës.
XS
SM
MD
LG