Ndërlidhjet

(S') rritet asistenca sociale


Prishtinë
Prishtinë

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës janë optimistë se numri i familjeve, të cilat marrin asistencë sociale, nuk do të rritet gjatë vitit 2010. Ata thonë se projektet për punësim të qëndrueshëm, që kanë filluar të zbatohen nga fillimi i këtij viti, do të përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve të vendit. Por, ky optimizëm i zyrtarëve të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale hidhet poshtë nga analistë të çështjeve ekonomike.



Në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, janë mbi 35 mijë familje, të cilat marrin asistencë sociale prej 40 deri në 80 euro në muaj.

Sipas analistëve, ndihma që Qeveria e Kosovës ofron për këtë kategori të shoqërisë, karshi çmimeve të larta të produkteve esenciale, është shumë e vogël.

Analisti për çështje ekonomike, Flamur Keqa, thotë se, përballë gjendjes së rëndë socio-ekonomike të këtyre familjeve, institucionet e Kosovës duhet të fokusohen në krijimin e një infrastrukture më të mirë, në mënyrë që të ketë investime të huaja.

“Theks të veçantë duhet t’i jepet stimulimit të ekonomisë së Kosovës, sepse nëse shkohet vetëm në drejtim të përkrahjes së shtresave sociale, pa pasur një burim të mjeteve të caktuara, me të cilat do të përkraheshin, edhe kjo strategji do të ishte e kotë”.

“Jam ithtar i asaj që të përkrahen bizneset dhe ekonomitë e Kosovës, duke u dhënë prioritet sektorëve të caktuar ekonomikë, të cilët i kanë kapacitetet të absorbojnë fuqi të re punëtore”,
thotë Keqa.

Vështirësitë që ka kaluar Kosova gjatë luftës, shkatërrimi i ekonomive familjare si dhe largimi i punëtorëve nga puna gjatë viteve ’90, thuhet se kanë shkaktuar një gjendje të vështirë ekonomike, e cila është manifestuar me një shkallë të lartë të varfërisë në vend.

Po ashtu, situata ekonomike e familjeve kosovare vlerësohet të jetë vështirësuar edhe më shumë gjatë viteve të fundit, kur në tregun e Kosovës janë shënuar ngritje të çmimeve të produkteve elementare për jetë, ndërsa asistenca sociale për këto familje nuk ka shënuar rritje të kënaqshme.

Se sa është e mjaftueshme kjo ndihmë për një familje, këshilltari social në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Behxhet Gagjiqi, shprehet:

“Nëse shikohet standardi i jetesës në Kosovë, në bazë të saj, kjo ndihmë zbut sadopak brengat e këtyre familjeve. Këto familje po ashtu janë të liruara nga pagesa e energjisë elektrike. Ky vendim është në fuqi nga viti 2008 dhe vazhdon edhe në vitet në vijim”.

Përkundër faktit që vlera prej 40 deri në 80 euro nuk mjafton për t’i mbuluar shpenzimet elementare të këtyre familjeve, Gagjiqi thotë se gjatë këtij viti nuk është paraparë që të ketë ndonjë rritje, porse për këto familje, sipas tij, do të krijohen mundësi të punësimit.

“Ne jemi përfitues të donacionit të projektit për punësim të qëndrueshëm nga Banka Botërore, ku kemi përfituar 2 milionë euro. Ne do të fillojmë me realizimin e projektit, i cili do të ndikojë në uljen e papunësisë dhe në këtë mënyrë nuk do të ketë rritje të familjeve, të cilat marrin asistencë sociale”, thekson Gagjiqi.

Varfëria, sipas analistit Flamur Keqa, nuk kalohet me asistencë sociale, por me krijimin e vendeve të reja të punës.

“Optimizmi në periudha afatshkurtra dhe afatmesme është shumë i vogël. Ndërkaq, sa u përket periudhave afatmesme, duhet të jemi koshientë se vetëm me zhvillimin e ekonomisë, mund ta zbusim varfërinë dhe t’i ndihmojmë këto familje, të cilat marrin asistencë sociale”, thotë Keqa.

Në vitet e fundit, në Kosovë nuk ka pasur ulje të shkallës së papunësisë. Supozohet se tregu i punës në vend i absorbon nga 4 deri në 6 mijë punëtorë në vit, ndërsa pjesa tjetër mbesin të papunë dhe potencialisht mund të shndërrohen në persona të varfër.
XS
SM
MD
LG