Ndërlidhjet

Viti i ri solli çmime të reja


Fotografi ilustruese

Fillimviti në Kosovë shënoi rritje të çmimeve për artikuj të caktuar ushqimorë, bëjnë të ditur përfaqësues të Entit të Statistikave të Kosovës. Sipas zyrtarëve qeveritarë, çmimet e produkteve ushqimore janë të njëjta me ato në rajon, mirëpo pagat vazhdojnë të mbeten më të ulëta sesa ato në rajon.


Në fillim të këtij viti në Kosovë janë ngritur çmimet e disa prej artikujve ushqimorë. Këtë e konstatojnë përfaqësues të Entit të Statistikave të Kosovës dhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

Ngritja e çmimeve, sipas tyre, ka ndodhur tek ato produkte që duhet të importojnë lëndën e parë për prodhim.

Ibish Asllani, nga Enti i Statistikave të Kosovës, thotë se në muajin dhjetor të vitit të kaluar, çmimet e produkteve ushqimore janë rritur për 0.6 për qind.

“Çmimet e konsumit në Kosovë u rritën për 0.6 në muajin dhjetor, krahasuar me muajin nëntor të vitit 2009, ndërsa analiza e indexit të çmimeve të konsumit për periudhën njëvjeçare pati rritje për 1 për qind”, thotë Asllani.

Mirëpo, sipas Asllanit, në disa artikuj ushqimorë vendorë pati edhe rënie të çmimeve gjatë vitit 2009. Ai përmend disa nga artikujt ushqimorë që kanë pësuar rënie çmimesh.

“Është karakteristike se po në këtë periudhë pati edhe rënie çmimesh si te buka dhe drithërat
”, shpjegon Asllani.

Agim Shahini, nga Aleanca Kosovare e Biznesit, pohon ngritjen e çmimeve të artikujve kryesorë ushqimorë. Ai thotë se kjo ka ndodhur për shkak se në tregjet botërore ka lëvizje të çmimeve, por sipas tij, kjo do të reflektojë më rëndë në buxhetin e familjeve kosovare.

“Produktet që e kanë lëndë të parë prodhimin e importuar, e që janë të lidhura me bursat, sepse dihet që bursat e produkteve janë gjithmonë në rritje dhe kjo ka shkaktuar rritje edhe te ne, meqë dihet që Kosova dhe tregu i saj varen 90 për qind nga importi”, sqaron Shahini.

Edhe produktet vendore, sipas zotit Shahini, kanë pasur një lëvizje të dukshme. Mirëpo, bizneset kosovare kanë arritur që ato rritje të lëndës së parë, t’i përballojnë vetë dhe konsumatori mos t’i ndiejë ato.

Sipas tij, është shqetësim se në gjithë botën rritja e çmimeve të produkteve ushqimore është në lëvizje, por për kosovarët është shqetësim edhe më i madh duke e marrë parasysh që shporta e një kosovari është mjaft e varfër.

Ndërkaq, Arieta Morina, qytetare, thotë se konsumatori kosovar do ta ketë shumë të vështirë të përballojë ngritjen e çmimeve, kur dihet shkalla e lartë e varfërisë në vend.

“Ngritja e çmimeve do të ndikojë shumë keq për konsumatorin kosovar, duke marrë parasysh papunësinë. Ka njerëz që nuk i kanë të ardhurat as 200 euro, e çmimet janë tepër të larta”,
shprehet kjo qytetare.

Megjithatë, edhe zyrtarë qeveritarë thonë se çmimet e produkteve ushqimore janë të njëjta me vendet e rajonit, për dallim nga pagat që janë më të ulëtat në rajon.


  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG