Ndërlidhjet

Dilemat për Gjilanin


Sipas njoftimeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, as sot nuk mund të pritet që KQZ-ja të dalë me një vendim të prerë për procesin zgjedhor në Gjilan. Anëtarët e këtij komisioni nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, kandidatët e të cilave ishin në garë për balotazh, vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për procesin në Gjilan.



Me gjithë pritjet që gjatë ditës së sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të dalë me një qëndrim të prerë rreth rastit të Gjilanit, ende nuk është e qartë nëse një gjë e tillë do të mund të ndodhë sot.

Kryeshefi i Sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, thotë se ende nuk dihet se kur do të dilet me një qëndrim.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk dihet nëse do të takohet sot dhe çka do të diskutojë. Mund të ndodhë që sot të mos kemi asnjë agjendë”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Betim Gjoshi, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, shpreh bindjen se në ditët e para të kësaj jave pritet të merret një vendim sa i takon procesit zgjedhor në Gjilan. Ai thotë se kanë përfunduar të gjitha konsultimet në KQZ.

Mendoj se ka qenë një kohë e mjaftueshme, ku të gjithë anëtaret e KQZ-së janë bindur se tanimë duhet të miratohet rezultati për Gjilanin. Unë pres që në ditët e para të javës të miratohet rezultati për Gjilanin dhe të përfundohet me kapitullin e komunës së Gjilanit”.

“Mendoj se të gjithë kanë një qëndrim se në Gjilan nuk ka pasur keqpërdorime gjatë zgjedhjeve, ndërsa mendimet tjera janë subjektive ose janë interferime nga jashtë”
, thekson Gjoshi.

Por, Florian Dushi, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thotë se nuk ka qenë pjesë e kurrfarë konsultimesh, për të cilat flitet. Dushi, megjithatë, konsideron se KQZ-ja duhet të dalë sa më parë me vendim, e që, sipas tij, duhet të jetë përsëritja e zgjedhjeve në Gjilan.

Personalisht, nuk e di për çfarë konsultimesh bëhet fjalë. Mund t’ju them lirisht se unë nuk jam pjesë e këtyre konsultimeve, të cilat po zhvillohen në KQZ dhe nuk jam i njoftuar lidhur me to”.

“Unë mendoj se e vetmja punë që KQZ-ja duhet të bëjë në këtë rast, është që të marrë vendim sa më parë, pa vonesë, për të përsëritur zgjedhjet edhe në komunën e Gjilanit. Nuk janë aprovuar rezultatet e zgjedhjeve dhe duhet të kthehemi në atë që unë e quaj pika zero në zbatimin e vendimit të KZAP-it (Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa)”, deklaron Dushi.

As kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta, nuk ka mundur të prononcohet rreth asaj se kur do të merret vendimi për Gjilanin. E kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, zonja Lushta ka thënë se për çdo vendim, opinioni do të njoftohet me kohë.
XS
SM
MD
LG