Ndërlidhjet

Buja: Strategjia për veriun - e vonuar


Ramë Buja, shef i Grupit parlamentar të PDK-së
Ramë Buja, shef i Grupit parlamentar të PDK-së

“Realisht, konsideroj që kjo nismë është shumë e mirë, por është shumë e vonuar”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ramë Buja, shef i Grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës.







RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Buja, për shtrirjen e autoritetit në veri të Kosovës, ICO-ja së bashku me Qeverinë, siç thuhet, janë duke hartuar një strategji për kthimin e ligjshmërisë në veri. Si e shihni ju këtë nismë?

RAMË BUJA

Realisht konsideroj që kjo nismë është shumë e mirë, por është shumë e vonuar. Dhe, urojmë që, edhe pse e vonuar, të jetë e realizuar jo vetëm në letër, por edhe në praktikë.

Ka qenë domosdo që edhe më herët të ketë një bashkëpunim shumë më të fuqishëm dhe më të dendur në mes të ndërkombëtarëve dhe vendorëve, për të realizuar tërësinë territoriale të Kosovës, në njëfarë forme, për faktin se është e ditur që veriun e Kosovës nuk e administron Qeveria e Kosovës - ne mund të flasim çfarë të duam.

Por, tash, strategjia, që në fakt është e gatshme teorikisht, është e hartuar, mund të realizohet pa asnjë problem, po u bashkëpunua ashtu siç është dashur të bashkëpunohet në fillim fare.

RADIO EVROPA E LIRË

Duke marrë parasysh kundërshtimin e ashpër të komunitetit serb në veri, sa mendoni se do të mund të jetësohet kjo strategji?

RAMË BUJA

Kam kohë të gjatë që merrem me këtë çështje. Ka më shumë se 30 vjet që jam në përpjekje për të realizuar lirinë time dhe të vendit tim dhe unë e di fare mirë mendësinë e veprimit të tyre.

Prandaj, besoj që po u pa vendosmëria nga pala e Kosovës, edhe ndërkombëtareve edhe vendorëve, ata do të jenë shumë të bindur edhe me argumentet tjera që do të duhej t’u ofrohen atyre për të qenë aty ku duhet pozicioni i Kosovës sot.

Vështirësi do të ketë, nuk e them që nuk do të ketë vështirësi, por mundësia e realizimit është e madhe, meqë komuniteti serb që jeton në atë pjesë kryesisht dhe pretendon veten për të qenë administrator asaj pjese, kur sheh vendosmërinë e të dy palëve, atëherë unë jam shumë i sigurt se edhe arsyeja e tyre do të vihet në veprim.

Dhe, do të jenë ata që duhet të jenë qytetarë lojalë të Kosovës, sepse janë në territorin e Kosovës, një shteti që tashmë është i pavarur dhe i pranuar 65 vende të botës.

RADIO EVROPA E LIRË

Çështja e procesit zgjedhor për komunën e Gjilanit, ende ka mbetur pa u zgjidhur. Ku qëndron problemi, sipas jush?

RAMË BUJA

Sipas meje, komuna e Gjilanit dhe komunat tjera që janë kontestuar, nuk kanë pasur fare problem. Megjithatë, dikush ka dashur që të nxjerrë problem dhe ai që ka qenë më problematiku, ka qenë aleati ynë, ose ai që është në koalicionin tonë.

Por, megjithatë, mbase për demokracinë e kësaj përmase çfarë kemi ne edhe është e lejueshme, unë besoj që edhe pas rinumërimit, Gjilani përsëri vazhdon të jetë problem për mua i pakuptueshëm, se s’është fare problem.

E dimë fare mirë që 14 vota ishin ato që kishin qenë difektoze në Gjilan, prej tërë asaj shumësie vote. Tashmë 1023 vota, nëse nuk e gaboj numrin, Partia Demokratike e Kosovës është përpara rivalit të saj në Gjilan dhe gjithçka është e qartë si drita e diellit.

Por, ja që problemet lindin krejt pakuptueshëm dhe nganjëherë, nuk e di pse por jemi të prirë t’i difektojmë institucionet tona, që e kanë bërë punën relativisht mirë.

Por, kur interferimet nga jashtë bëhen në këto institucione, atëherë puna del joefektive. Pra, interferime politike mbase në KQZ, sepse nuk ka asnjë logjikë, as juridike, as politike, e as pragmatike që shefja e Komisionit Qendror Zgjedhor të abstenojë në votime të caktuara për çështje të caktuara.

Unë nuk e di cila ka qenë, konkretisht, nuk mund të flas, por është e pamundur që njeriu të mos ketë një qëndrim social estetik, praktik, të anësuar nga një anë, ose ana tjetër. Kështu që, edhe shefja e ka pasur anësimin, por nuk e di se çfarë e ka shtyrë atë.

RADIO EVROPA E LIRË

Procesi i zgjedhjeve ka nxitur një debat për qëndrueshmërinë e koalicionit qeverisës. Cili është mendimi juaj?

RAMË BUJA

Realisht, koalicioni ka bërë punë të mëdha për Kosovën. Ka qenë domosdo që të jetë ky koalicion për të qenë më e qëndrueshme gjithçka që është ndërmarrë për Kosovën.

Nëse diçka tani do të lëvizë, mua nuk më shqetëson, sepse në demokracitë parlamentare këto gjëra ndodhin. Koalicionet edhe bëhen edhe prishen, por unë nuk e besoj që do të lëvizë shpejt koalicioni.

Me gjithë fjalët që janë bërë, me gjithë disa insistimeve periferike që janë bërë, unë nuk besoj që do të lëvizë shpejt koalicioni.

Unë besoj që ka qëndrueshmëri, pavarësisht atyre gjërave që kanë ndodhur, veçanërisht gjatë fushatës zgjedhore dhe këto që po ndodhin me këto rinumërime e rivotime të shumta në këto tri komuna.

RADIO EVROPA E LIRË

Nga raportin e fundit të Komisionit Evropian dalin edhe shumë detyra për Kuvendin e Kosovës. Çka, saktësisht, është kërkuar të bëhet?

RAMË BUJA

Ajo që mund ta përmbledhin në pak të thënë, sepse në fakt ka shumëçka që kërkohet dhe ne jemi të vetëdijshëm për këtë gjë dhe për sfidën që na ofrohet nga kjo kërkesë, ne themi që dendësia e punëve që duhet të bëjë Parlamenti, realizimi i objektivave të veta ligjore, bërjen e ligjeve, dhe këtë vit kemi si objektiv realizimin e 120 projektligjeve për t’i bërë ligje në Parlament.

Kjo është përmbushja e detyrës parësore që ka Parlamenti i Kosovës.
XS
SM
MD
LG