Ndërlidhjet

HRW: Drejtësia, më e dobëta


Raporti i Human Rights Watch thekson dështimin e institucioneve të Kosovës për një angazhim të pakusht në mbrojtjen e pakicave. Sipas raportit, edhe në 2009-ën u theksua vendosmëria e administratës Obama për të mbështetur Kosovën.






Mungesa e një marrëveshjeje ndërkombëtare mbi statusin vazhdon të pengojë përpjekjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut të banorëve të Kosovës, shkruan në raportin e fundit Human Rights Watch.

I gjendur në mesin e kundërthënieve mes vendeve anëtare të BE-së, nga njëra anë, dhe në mesin e mosmarrëveshjeve mes Prishtinës e Beogradit, nga ana tjetër, EULEX-i gjatë vitit 2009 u përpoq të vendosej në gjithë Kosovën dhe të ushtronte detyrat e caktuara për ndërtimin e një sistemi gjyqësor.

Autoritetet e Kosovës dështuan sërish të demonstronin angazhimin e pakusht për të respektuar të drejtat e pakicave dhe shtetin ligjor.

Duke iu referuar të dhënave të misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Human Rights Watch shkruan se gjatë tetë muajve të parë të vitit të kaluar, në Kosovë janë shënuar 275 incidente ndëretnike.

Bashkësitë rome, egjiptiane dhe ashkali janë grupimet më të pambrojtura në mesin e pakicave në Kosovë.

Kthimi vullnetar, përfshirë dhe atë nga Serbia, gjatë vitit 2009 ka njohur rënie. Janë regjistruar vetëm 508 të kthyer, nga të cilët 132 i takojnë pakicës serbe.

Situata e paqëndrueshme politike, vazhdimi i incidenteve ndëretnike në disa zona dhe vështirësitë ekonomike kanë dëmtuar kthimin vullnetar.

Nga ana tjetër, gjatë vitit 2009 ka vazhduar kthimi i detyrueshëm nga vendet e Evropës Perëndimore. Në shtatë muajt e parë të vitit 2009 janë kthyer 3,324 persona.

Komisariati i Lartë për Refugjatë, UNHCR, thekson se serbët, romët dhe shqiptarët, në zonat ku janë pakicë, kanë ende nevojë për mbrojtjen ndërkombëtare.

Në nëntor të vitit 2008, autoritetet kosovare morën përsipër përgjegjësitë për të menaxhuar kthimin nga vendet e treta, apo kthimin e detyrueshëm, rol që më parë e kishte luajtur UNMIK-u.

Në këtë kuadër, zyrtarët kosovarë po negociojnë marrëveshje dypalëshe për kthimin me vendet e Evropës Perëndimore, që duan të praktikojnë kthimin e detyruar për kosovarët me status të parregulluar në këto shtete.

Pavarësisht energjisë dhe optimizmit që solli vendosja e EULEX-it, sistemi gjyqësor mbetet pjesa më e dobët e institucioneve të Kosovës.

EULEX-i duhet të vendosë përparësitë në mesin e rasteve të mbetura që nga trazirat e vitit 2004 dhe zhvillimit të një strategjie për të trajtuar numrin e madh të rasteve që kanë të bëjnë me krime lufte, të cilat i ka trashëguar që nga UNMIK-u.

Gjatë 2009-ës prokurorët dhe gjyqtarët e EULEX-it përmbyllën tri raste të profilit të lartë.

Mangësitë në mbrojtjen e dëshmitarëve vazhdojnë të pengojnë drejtësinë në rastet më serioze. Dëshmitarët për krime të rënda nuk janë të gatshëm të dëshmojnë, pasi druhen për sigurinë e tyre.

Kosova ende nuk ka një ligj për mbrojtjen e dëshmitarëve, por edhe masat mbrojtëse që janë në dispozicion, nuk zbatohen.

Një tjetër problem mbetet çështja e personave të pagjetur. Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq llogarit 1,885 persona të pagjetur që nga lufta e fundit, shumica e të cilëve janë shqiptarë.

Tjetri problem i ngritur nga HRW ka të bëjë me punën e Panelit Ndërkombëtar Këshillues të të Drejtave të Njeriut.

Ky panel gjatë gjithë vitit të kaluar është marrë me rastet e shumta kundër UNMIK-ut, por është përballur me mungesën e bashkëpunimit nga misioni i Kombeve të bashkuara.

Në mesin e rasteve të papërfunduara, sipas raportit, është dhe ai për vrasjen e dy veprimtarëve të lëvizjes “Vetëvendosje”.

Sipas HRW-së, seancat dëgjimore janë pezulluar, derisa familjet kanë hedhur poshtë ofertën e UNMIK-ut për shpërblim financiar, në rast se ata tërheqin padinë.

Ndarjet që ekzistojnë rreth statusit të Kosovës në mesin e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe të Kombeve të Bashkuara, e vështirësojnë situatën.

Vizita e nënpresidentit amerikan, Xho Bajden, në Kosovë nënvizoi vazhdimësinë e administratës Obama në mbështetjen politike dhe financiare për Kosovën e pavarur, konkludon raporti i HRW-së për Kosovën.
XS
SM
MD
LG