Ndërlidhjet

Fuere: Nxënësit maqedonas të mësojnë shqipen



Ambasadori i BE-së në Shkup, Ervan Fuere, ka mbështetur rekomandimet e OSBE-së, lidhur me mësimin e maqedonishtes nga nxënësit shqiptarë nga klasa e parë, por në të njëjtën kohë kërkon që edhe nxënësit maqedonas të mësojnë gjuhën shqipe.

“Ne besojmë se rekomandimet e Komisionerit të lartë për pakicat, janë shumë të ndjeshme sepse ato do të mundësojnë njohjen më të mirë të gjuhës maqedonase nga komuniteti shqiptar, por gjithashtu kjo duhet të shoqërohet edhe me përpjekjet për mësimin e gjuhës shqipe nga ana e komunitetit maqedonas”, deklaroi Fuere.

Ndërkohë, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi ka akuzuar qeverinë se me vendimin për mësimin e maqedonishtes nga klasa e parë, po dëshmon edhe njëherë se “maqedonasit edhe me tej vazhdojnë të mendojnë se ky është shteti i tyre” ndërsa kjo sipas tij destabilizon gjendjen në Maqedoni. ” Unë para një viti e gjysëm kam deklaruar se Maqedonia do të shpartallohet dhe do ketë destabilizim dhe më vjen mirë që bashkësia ndërkombëtare, Unioni Evropian dhe SHBA-të para disa ditësh deklaruan të njëjtën. Detyrimisht që ky proces shkon drejt asaj, provokimet shumë të ulëta që i behen shqiptarëve nga ana e qeverisë kanë një qëllim të fshehur që fajin për destabilizim t’ua veshin shqiptarëve” u shpreh Thaçi.
XS
SM
MD
LG