Ndërlidhjet

Islami: Opozita duhet të futet në Parlament


Kastriot Islami
Kastriot Islami

"Kuadri i zgjidhjes së krizës është i qartë, pra opozita duhet të futet në Parlament dhe njëkohësisht duhet ngritur një komision hetimor", tha në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste, Kastriot Islami.





RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Islami, sa të mundshëm e shihni dialogun mazhorancë-opozitë për të zgjidhur atë që edhe Rezoluta e Këshillit të Evropës e cilësoi si krizë politike?

KASTRIOT ISLAMI

Mbas Rezolutës së Këshillit të Evropës, ku jepet vetëm një përshkrim i situatës, pra përshkruhet një krizë politike që ka shoqëruar zgjedhjet e 28 qershorit, jepet edhe një kuadër i zgjidhjes së kësaj krize.

Kuadri i zgjidhjes së krizës është i qartë, pra opozita duhet të futet në Parlament dhe njëkohësisht duhet ngritur një komision hetimor. Është pranuar amendamenti i Partisë Demokratike në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe, brenda këtij kuadri, natyrisht duhet gjetur zgjidhja për ta kthyer vendin nga një krizë politike në një normalitet, që, në fund të fundit, është zhvillimi i demokracisë parlamentare.

Në reagimet e para duket që të dyja palët janë në distancë dhe do të jetë një moderim i vështirë nga ana e presidentit. Nuk dua të jem pesimist në këtë moment, por do të jetë një negocim shumë i vështirë.

Megjithëse, ai do të asistohet nga dy bashkëraportuesit e Këshillit të Evropës për Shqipërinë dhe nga kryetarët e grupeve politike në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të cilët do të mundohen qoftë në takime të përbashkëta, qoftë në takime individuale secili kryetar grupi me partinë përkatëse, ku bën pjesë, të themi, Partia Socialiste nëpërmjet kryetarit të grupit socialist në Asamblenë Parlamentare, apo Partia Demokratike nëpërmjet kryetarit të grupit të partive popullore evropiane, do të mundohen të moderojnë maksimalisht gjetjen e një zgjidhjeje.

Për momentin, duke parë se çështja e hapjes së kutive është çështja kryesore e gjithë këtij negocimi, më duket shumë e vështirë situata për të qenë e moderueshme dhe për të arritur një sukses nga ana e presidentit. Kjo çështje mund ta bënte zgjidhjen të pjesshme, duke e shtyrë në kohë zgjidhje e plotë.

Megjithatë, le të shpresojmë që presidenti do të arrijë nëpërmjet pozicionit që ka, por edhe nëpërmjet asistencës që do të bëhet nga i gjithë ky mekanizëm ndërkombëtar i Këshillit të Evropës, për të gjetur një zgjidhje.

Gjithçka është e hapur, të dyja opsionet - edhe i “suksesit”, edhe shtyrjes së zgjidhjes pra të themi “i dështimit relativ”- janë prezente, por le të shpresojmë që do të jetë një zgjidhje e suksesshme në javën kur komuniteti ndërkombëtar do të jetë prezent në Tiranë.

RADIO EVROPA E LIRË

A e shihni të mundur realizimin e kushtit kryesor të Partisë Socialiste për t’i dhënë fund bojkotit – hapjen e kutive të votimit?

KASTRIOT ISLAMI

Mbasi kanë mbaruar zgjedhjet e 28 qershorit, mbasi ka dalë raporti i OSBE-ODIHR-it, ku ka dy elemente, raporti është realist dhe i balancuar. Elementi i parë është që stigmatizohet dhe kritikohet Qeveria për mosarritjen e standardeve në nivelin e tyre maksimal dhe kjo është një kritikë e drejtë dhe e saktë e komunitetit ndërkombëtar.

Nga ana tjetër, në këtë dokument thuhet se nuk ka asnjë lloj prove për manipulim të rezultatit. Pra, nuk ka asnjë element që të japë mundësi të flitet për ilegjitimitet të këtij parlamenti, pra që të justifikojë bojkotin.

Kështu që, në qoftë se do të lexohej me realizëm ky raport, do të duhej që Qeveria shqiptare të reflektonte thellë dhe në kuadër edhe të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian të kishte një plan veprimi në bashkëpunim me opozitën, për t’i korrigjuar të gjitha defektet që ndodhën në këto zgjedhje.

Kurse opozita, nga ana tjetër, do të duhej të mos vinte në dyshim legjitimitetin e këtij parlamenti dhe, për rrjedhojë, edhe të Qeverisë dhe të bëhej pjesë e zhvillimit të demokracisë parlamentare.

Pra, këtu fillon edhe qëndrimi jonë ndryshe, që nuk ka asnjë element për të justifikuar bojkotin. Mirëpo, Partia Socialiste, në një vendim të saj politik ose më saktë partiak, nëpërmjet forumeve të saj, ka thënë se zgjedhjet pranohen legalisht, por janë nga pikëpamja politike me legjitimitet të cunguar dhe mbi këtë bazë është kërkuar hapja e kutive.

Natyrisht, në qoftë se do të kishte një vullnet politik nga ana e mazhorancës për hapjen e kutive, kjo do të ishte një çështje tjetër. Por, gjithmonë nëpërmjet hapjes së kutive do të krijohej një precedent i hapjes së kutive edhe për zgjedhjet e tjera dhe një çështje që është vështirë të parashikohet se çfarë interpretimi do të bëhej dhe sa do të dëmtonte kjo legjitimitetin e zgjedhjeve aktuale e të ardhshme.

Kështu që, jemi në këtë fazë, unë nuk mund të them që jam kundër hapjes së kutive në parim, por derisa pala tjetër është deklaruar se, e para, nuk pranon hapjen e kutive për shkak se nuk ka bazë ligjore dhe, e dyta, për shkak se kjo tejkalon vendimet e gjykatave, pra nuk ka një vullnet politik për të hapur, bazuar në një argument juridik – të paktën ky është argumentimi që ka bërë mazhoranca - atëherë këtu jemi përpara një situate, që hapja e kutive, me sa duket, është një çështje që nuk mund të ndodhë, për shkak se mazhoranca pretendon se nuk ka asnjë lloj argumenti ligjor për ta pranuar këtë gjë dhe opozita nuk ka asnjë instrument ligjor për ta arritur këtë gjë.

Në këtë situatë, që, në fund të fundit, do të vërtetonte legjitimitetin apo jolegjitimitetin e këtyre zgjedhjeve, situata është e komplikuar dhe besoj se edhe këtu është çelësi i gjetjes, ose mosgjetjes, së kompromisit në këtë negocim me asistencë (jo ndërhyrje), nga pala ndërkombëtare.

Por, fakti që anëtarët e delegacionit të Partisë Demokratike në Këshillin e Evropës kanë insistuar që investigimi dhe transparenca e zgjedhjeve të bëhen në përputhje me vendimet e Gjykatës Kushtetuese, kanë pasur parasysh që hapja e kutive nuk ka asnjë lloj baze ligjore, aq më tepër që nuk është në përputhje me Kushtetutën dhe, me sa duket, ata këtë gjë nuk do ta pranojnë.

Ky është edhe pozicioni më i vështirë i presidentit për gjetjen e një zgjidhjeje midis dy pozicioneve, që njëri insiston për hapjen e kutive dhe tjetri ka nxjerrë të gjitha argumentet kushtetuese dhe ligjore për mos-hapjen e kutive.

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Islami, së fundmi, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ashpërsuar tonet e akuzave edhe ndaj grupit të deputetëve që mendojnë ndryshe në Partinë Socialiste. Pse ka ndodhur kjo?

KASTRIOT ISLAMI

Unë vërej që, prej 18 vjetësh, Berisha vazhdon të bëjë një diversion në Partinë Socialiste; gjithmonë ka synuar të krijojë një ndarje apo deri çarje të Partisë Socialiste dhe mund të them që në këto vite, edhe në këtë funksion, ka qenë jo pak i suksesshëm, për shkak edhe të gabimeve që kanë ndodhur nga lidershipet e Partisë Socialiste.

Zgjedhjet e fundit të 2009-ës, ashtu si edhe të 2005-ës, erdhën për shkak të përçarjes së të majtës dhe përgjegjës për këtë, natyrisht për 2009-ën, është direkt zoti Rama, sepse ai, pas humbjes së zgjedhjeve në 2005-ën, një nga objektivat e tij kishte bashkimin e së majtës, të cilën nuk arriti ta kryente.

Pra, ky diversion i Berishës ka funksionuar edhe aktualisht duke pasur si mekanizmin më të mirë në këtë rast vetë zotin Rama. I njëjti diversion vazhdon të kryhet. Këtë radhë, me sa duket, zoti Berisha kërkon çarjen e Partisë Socialiste pasi përçau të majtën dhe zoti Rama po e përcjell me sukses këtë synim të Berishës.

Zoti Rama duhet ta ketë parasysh që në Partinë Socialiste, të gjithë ne që kemi një mendim ndryshe, jemi socialistë shumë më të vërtetë dhe me rrënjë më të thella sesa vetë zoti Rama.

Disa nga njerëzit që ka sjellë zoti Rama, fatkeqësisht edhe me sjelljen e tij dhe në mënyrën e qeverisjes së tij, ai kërkon t’i vendosë të gjithë personazhet me identitet të Partisë Socialiste në rrjesht dhe sipas mënyrës së veprimit që qeveris bashkinë – gjë që nuk mund të ndodhë në ndonjë parti politike dhe kjo do të jetë edhe për shumë kohë e pasuksesshme në PSSH.

Këtë lloj dëshire, këtë lloj mënyre veprimi, unë mendoj se zoti Rama nuk do të arrijë asnjëherë ta realizojë në Partinë Socialiste derisa PS-ja të mbetet socialiste. Ai kërkon një Parti Socialiste “etnikisht të pastër” në kuptimin figurativ të fjalës, që aty të mos ketë asnjë lloj kundërshtari dhe të gjithë të jenë në rresht e pa shumë identitet politik të spikatur.

Dhe, e treta, me sa duket zoti Rama, i ndodhur në një vështirësi të paparë, nëpërmjet kësaj rruge radikale që ka ndjekur, shikon në pamundësi për të fituar zgjedhjet e vitit 2013, pra zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. Dhe, mbi këtë bazë, kërkon të lirohet nga të gjithë kundërshtarët, duke kërkuar, siç thonë interlokutorë të tij të afërt, ndoshta një negocim për bashkinë e Tiranës, duke e quajtur si një trampolinë të paktën gjysëm të sukesshme për zgjedhjet e vitit 2017.

Pra, do të preferonte, siç bëjnë edhe këshilltarët e tij, të cilët deklarohen nëpër media, fatkeqësisht, që rëndësi ka që Rama të mbajë trëndafilin, të pastrojë sa më shumë partinë nga kundërshtarët, sepse një ditë do t’i vijë radha dhe do të bëhet kryeministër i Shqipërisë; nuk ka rëndësi në 2013, 2017 apo 2021 – gjë që do të ishte fatale për socialistët e vërtetë dhe do të ishte fatale për një vlerë kombëtare, siç është Partia Socialiste, në qoftë se do të ecte në këtë rrugë. Një pengesë e madhe në këtë rrugë, ose të themi në mënyrë figurative “pritë” tjetër, që zoti Rama mendon të rrisë në mënyrë të konsiderueshme krizën, janë zgjedhjet vendore.

Me sa duket, për të dhënë dimensionin e një krize shumë të madhe në Shqipëri, ai deri tani gjykon, apo ka lënë të kuptohet se t’i bojkotojë edhe zgjedhjet vendore, të cilat do të ishin një goditje tjetër shumë e rëndë për elektoratin e majtë, sepse një parti, në fund të fundit, është krijuar për të marrë pjesë, për të konkurruar në zgjedhje dhe për t’i fituar zgjedhjet dhe kjo do të kthehej pastaj në një bumerang dhe për Partinë Socialiste.

Do të bëja dy apele. Në radhë të parë, do t’i kërkoja Berishës të ndalë të gjithë diversionin që ai bën në Partinë Socialiste; realisht këtë radhë ai po përdor zotin Rama, ndonëse zoti Rama kërkon ta përkthejë këtë sikur jemi ne ata që jemi të përdorur nga zoti Berisha.

Ka 18 vjet që ne kemi treguar se jemi kundërshtarët kryesorë të zotit Berisha dhe jemi ne socialistët e vërtetë dhe ne nuk mund të luajmë për tezën “për inat të sime vjehërr do të shkoj me mullixhinë”. Nuk jemi ne ata që mund ta bëjmë këtë lojë. Zoti Rama, që ka një eksperiencë më të paktë dhe nuk ka ende atë ADN-në e nivelit të lartë socialist, me sa duket është pre e këtij diversioni.

Dhe, e dyta, i bëjmë thirrje Ramës të zgjohet dhe të mos veprojë mbi bazën e tezës së vjetër, që “përsërit, përsëritet se diçka do të mbetet” dhe socialistët do ta absorbojnë këtë që unë e konsideroj shpifje e mashtrim. Nuk ka asnjë shans që socialistët të binden që ne pesë jemi lojtarë të Berishës.

E kanë më kollaj të pranojnë se zoti Rama po kërkon çarjen e Partisë Socialiste me disa nga njerëzit jashtë partisë, apo edhe ndonjë që ka sjellë për të arritur synimet e tij, sesa për të pranuar që jemi ne josocialistë të vërtetë, që po bëjmë lojën e Berishës, për t’i krijuar probleme Partisë Socialiste.

Prandaj, edhe një herë tjetër i bëj thirrje të qetësohet, të heqë dorë nga kjo tezë që e çon PS drejt çarjes dhe humbjes së radhës. Unë e kuptoj qartë pse kjo tezë hidhet aktualisht; ai kërkon më shumë t’i bëjë presion të gjithë pjesës tjetër të grupit, duke i thënë ‘në qoftë se unë i godas këta persona të rëndësishëm e socialistë të vërtetë, e me reputacion si tradhtarë dhe si armiq, si njerëz të lidhur me Berishën”, ju nuk duhet të bëni asnjë hap, duhet të rrini në rresht, se përndryshe do t’ju trajtoj edhe ju me të njëjtat epitete, apo akoma më keq.

Ajo klimë që është krijuar në Partinë Socialiste, për herë të parë në këta 18 vjet, të paktën në dijeninë dhe në eksperiencën time, është një klimë që më kujton Revolucionin Kulturor Kinez, kur shpërndaheshin libra me citate besnikëve të tij dhe u ngjiste dacibao në rrugët e Pekinit të gjithë kundërshtarëve dhe armiqve - kundërshtarët dhe armiqtë që ishin të lidhur me armikun e brendshëm dhe të jashtëm.

Vizita e fundit i ka krijuar, me sa duket, një shqetësim që ne, jo vetëm që qenkemi lidhur me armikun e madh të popullit shqiptar, Berisha, por ne qenkemi lidhur edhe me ca armiq dhe agjentë ndërkombëtarë, siç është Doris Pak, apo nuk e di se kë tjetër kanë parasysh; ndërkohë që ne kemi shkuar dhe kemi qenë në rezonancë të plotë me mendimin dhe vlerësimin evropian; kemi shprehur ato qëndrime që kemi shprehur këtu.

Nuk kemi bërë asnjë lloj veprimi ndryshe dhe kam ndjerë një kënaqësi të veçantë që me social-demokratë të rëndësishëm të Parlamentit Evropian, siç është zoti Svoboda apo zoti Ruçek, ne kemi pasur një rezonancë të plotë të mendimeve, vlerësimeve dhe qëndrimeve tona.

RADIO EVROPA E LIRË

Do ta thyeni bojkotin në javën e parë të muajit mars?

KASTRIOT ISLAMI

Ka dy momente. Një është momenti i bojkotit dhe dy është respektimi i Kushtetutës, pra çështja e mbarimit të mandateve. Për sa i përket bojkotit, qëndrimi jonë ka qenë i qartë që në ditën e parë, me bindje që ne jemi kundër bojkotit.

Por, i kemi dhënë të gjithë hapësirën e mundshme grupit parlamentar për të mos i krijuar atij asnjë lloj shqetësimi për të bërë bojkotin, për të zhvilluar protestat, për të parë nëse është në gjendje të realizojë hapjen e kutive apo zgjedhjet e parakohshme.

Pas dështimit të Partisë Socialiste në zgjedhjet e 28 qershorit, shikojmë që edhe në këta gjashtë muaj asnjë nga objektivat që ka vënë zoti Rama, sepse janë objektiva të tij personal, të imponuar të gjithë forumeve, nuk është realizuar.

Në qoftë se Partia Socialiste nuk do të kthehet në racionalitet në këtë moment, nuk është më çështja e respektimit apo jo të bojkotit, është çështja e respektimit të Kushtetutës dhe e futjes së vendit në një krizë shumë më të rëndë, sesa ajo që është politike tani për tani. Kriza mund të bëhet në këtë rast e pakthyeshme.

Besojmë se pjesa më e madhe grupit, unë besoj i gjithë grupi, nuk do të lejojë që Partia Socialiste të shkojë në këtë rrugë, sepse shanset e suksesit të saj janë shumë të rrezikuara, në qoftë se do t’i futej kësaj rruge. Kështu që në këtë kuptim, mendoj se edhe opsioni më i mundshëm duket se do të jetë që grupi të futet një ditë dhe të ribojkotohet, ndonëse edhe ky opsion që të vazhdohet bojkoti duke e respektuar Kushtetutën, do të jetë prapë një opsion me moral shumë të dobët dhe lehtësisht i goditshëm.

Megjithatë, të ngelem në opsionin e parë, unë mendoj që Partia Socialiste do të jetë racionale, e arsyeshme, për të mos shkuar në mosrespektim të Kushtetutës.

RADIO EVROPA E LIRË

A mund të rrezikojë ky zhvillim dhe në një përjashtim të deputetëve që thyen bojkotin si pasojë e shkeljes së statutit të Partisë Socialiste, kur bëhet fjalë për një vendim politik?

KASTRIOT ISLAMI

Ne, me të vërtetë, kemi pasur një mendim ndryshe, por kemi respektuar të gjitha vendimet e partisë. Pra, nuk ka asnjë element që të thonë se ne kemi thyer vendimet e partisë. Dhe, në bazë të statutit, në qoftë se do të zbatohet statuti i Partisë Socialiste, nuk ka asnjë element që të shtrohet çështja e përjashtimit, apo e terminologjisë së vetë përjashtimit, që nuk ekziston në statut.

E dyta, nëse Partia Socialiste do të shkojë në ekstremin e saj dhe ekstremi mund të jetë që grupi vendos të mos e respektojë Kushtetutën, po të futet për të bërë betimin dhe ne e kemi quajtur këtë kufiri logjik, ne jo vetëm që do ta ndalim bojkotin, por do të respektojmë edhe Kushtetutën, atëherë çështja shtrohet në një plan shumë më të lartë se kaq.

Nëse Partia Socialiste do të mendojë që ne duke respektuar Kushtetutën, kemi thyer statutin, atëherë vihet në dyshim statuti i Partisë Socialiste, sepse qenka një statut që nuk qenka në përputhje me linjën dhe frymën e Kushtetutës, pra antikushtetues.

Në këtë moment, natyrisht, çështja do të jetë e hapur për t’u gjykuar në mënyrat nga më të ndryshme, sepse nuk mund të ketë një statut që t’i dënojë përfaqësuesit e popullit, të zgjedhur për të shkuar në Parlament, të cilët kanë respektuar Kushtetutën dhe nuk ka asnje mandat detyrues mbi ta siç parashikohet në parimet e kushtetutave demokratike.

Këtë mesazh e kemi marrë edhe gjatë takimeve që kemi pasur në Bruksel, ku deputetë evropianë na kanë thënë: “në qoftë se ju do të dënoheni, qoftë me përjashtim nga partia, që është një organizatë vullnetare, sepse zbatoni Kushtetutën, atëherë në këtë rast nuk vihet më në dyshim integriteti dhe pozicioni juaj, por vihet në dyshim statuti i Partisë Socialiste”.

Unë nuk shpresoj dhe nuk dëshiroj që Partia Socialiste të shkojë në këtë linjë. Ne jemi në Partinë Socialiste natyrisht për të dhënë të gjithë kontributin që Partia Socialiste të kthehet në një forcë që fiton zgjedhjet, por natyrisht duke respektuar Kushtetutën.

Për më tepër do të shtoja në këtë se Partia Socialiste ka provuar dy herë, në 2005-ën dhe 2009-ën, që humbi zgjedhje për shkak të çarjes të së majtës. Në qoftë se Partia Socialiste nuk ka një projekt t’i mbajë të bashkuar, as politikisht, as politiko-matematikisht, nuk ka asnjë shans të fitojë në zgjedhjet e ardhshme dhe përgjegjës do të ishte përsëri zoti Rama.

Zoti Rama duhet të lërë mënjanë mllefin, kokëfortësinë dhe inatet duke u distancuar edhe nga ndjenja e hakmarrjes, duhet të lërë frymën e tij për t’i vendosur të gjithë në linjën e shkatërruar, identitetin individual politik e intelektual dhe ta pranojë të majtën dhe Partinë Socialiste si një parti njerëzish të lirë, vullnetarë, që mendojnë në mënyra të ndryshme, por që luftojnë për të njëjtin qëllim. Vetëm në këtë mënyrë mund të garantohet një projekt që e sjell Partinë Socialiste dhe të majtën në pushtet.

Përndryshe, çarja që po vjen për shkak të diversionit që bën Berisha dhe të mungesës së përgjegjësisë maksimale nga ana e zoti Rama për ta implementuar këtë diversion, rrit shanset që Partia Socialiste të mos garantojë sukses në zgjedhjet e ardhshme.

Dhe, po e them sot, në qoftë se ecet në këtë rrugë, Partia Socialiste nuk fiton betejat e ardhshme zgjedhore dhe përgjegjësia është vetëm e zotit Rama. Dhe, elektorati i majtë, militantët e majtë dhe të gjithë ata që votojnë për Partinë Socialiste, duhet të ndërgjegjësohen për këtë gjë, të mos ndërgjegjësohen kur të ndodhë e keqja, por duhet të ndërgjegjësohen sot për këtë situatë për ta parandaluar. Nesër do të jetë shumë vonë.
XS
SM
MD
LG