Ndërlidhjet

Irani kundër botës, fillon pasurimin e uraniumit


Irani sot shpalli se ka filluar punët për të prodhuar uraniumin e pasuruar në shkallën 20%, përkundër paralajmërimeve të fuqive botërore, të cilat dyshojnë se aktivitetet synojnë prodhimin e bombës bërthamore.

Njoftimin e kreut bërthamor të Iranit, Ali Akbar Salehi, e transmetoi agjencia IRNA.

Kreu i Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Rusi tha se njoftimi i Iranit se planifikon ta pasurojë uraniumin në shkallën 20% në territorin e vet, lind “dyshime” për qëllimet bërthamore të vendit.

Më herët, televizioni shtetëror iranian raportoi se Irani ka filluar të bëjë pasurimin e uraniumit “në prani të inspektorëve të Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore”.

Irani pohon se nuk synon armët bërthamore, dhe se është për zhvillimin e një programi bërthamor paqësor. Por, veprimet e tij, përfshirë dhe vendimet për pasurimin e uraniumit në 20 %, rrisin dyshimet tek vendet tjera, dhe këto dyshime janë të bazuara”, tha Petrushev.

Zëdhënësi i Pentagonit, Xhef Morel tha se Shtetet e Bashkuara shpresojnë për rezolutë për sanksione të reja të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit “për disa javë, jo muaj”.

Kryeministri izraelit Benxhamin Netanjahu tha se Irani " shpejton të prodhojë armë bërthamore", dhe bëri thirrje për sanksione kundër Teheranit.

Ekspertët thonë se pasi Irani ta ketë pasuruar uraniumin në shkallën 20%, atëherë mund ta çojë në nivelin 93%, aq sa nevoitet për të prodhuar armatimin bërthamor, sepse teknologjia është e njëjtë.

Irani i mohon akuzat e Perëndimit se synon të prodhojë armatim bërthamor, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor është tërësisht paqësor.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka vendosur tre raunde sanksionesh kundër Iranit në përpjekje që ta ndalë pasurimin e uraniumit.(V.P)
XS
SM
MD
LG