Ndërlidhjet

Rehabilitimi nga varshmëria


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Në Kosovë, nuk ka shumë mundësi shërimi për personat përdorues të substancave narkotike, në mungesë të programeve nëpër qendrat rehabilituese, thonë përdoruesit e këtyre substancave narkotike faqësues nga qendrat rehabilituese të vendit.





Një i ri 19-vjeçar nga Prishtina është përdorues i substancave narkotike. Ai tashmë është i varur dhe kërkon ndihmë për t’u shëruar.

Megjithatë, nuk është fare i kënaqur me shërbimin që ofrohet në qendrat rehabilituese në vend dhe ka vendosur të kërkojë shërim jashtë Kosovës.

“Ka kohë që jam i varur prej heroinës. Ka disa vjet që mundohem ta lë këtë shprehi të keqe. Hapin e parë që e kam marrë për ta lënë heroinën, ka qenë para një viti në qendrën e rehabilitimit në ‘Labirinth’, por nuk kam pasur sukses. Po përgatitem për të shkuar në Kroaci për shërim”,
thotë i riu 19-vjeçar.

Ky i ri rrëfen se problemin kryesor gjatë trajtimit në Kosovë, e ka pasur me kontrollimin e marrjes së metadonit, një substancë analgjetike që ndihmon gjatë shërimit të varshmërisë nga substancat narkotike.

Safet Blakaj, udhëheqës i qendrës rehabilituese “Labirinthi” thotë se numri i përdoruesve të substancave narkotike është duke u rritur me shpejtësi të madhe.

Mesatarisht, gjatë ditës këtë qendër e frekuentojnë rreth 18 përdorues të substancave narkotike, kryesisht heroinë, të cilët kërkojnë ndihmë.

“Sa i përket efektshmërisë së programeve tona, kemi probleme të mëdha edhe organizative, edhe për nga ana e përkrahjes institucionale. Natyrisht, te ne ende nuk ka filluar një program i mirëfilltë për programin e mbajtjes me metadon dhe presim që së shpejti të rregullohet legjislacioni lidhur me këtë çështje”.

“Shpresojmë që muajt e ardhshëm të rregullohet kjo çështje në mënyrë që të vazhdojmë me programe më të suksesshme
”, thotë Blakaj.

Zoti Blakaj thekson se rezultatet e rehabilitimit në qendrën “Labirinthi”, në përgjithësi nuk janë të kënaqshme, sepse vetëm 2-3 për qind prej tyre kanë arritur ta braktisin drogën.

Nëse krahasohet me vendet tjera evropiane, ku nuk mungon mbështetja institucionale dhe organizimi, sa i përket problematikave të drogave, sipas Zotit Blakaj, ata që arrijnë të shërohen janë rreth 30 për qind.

“Sa i përket ofrimit të shërbimeve zvogëlimit të dëmeve, ne kemi filluar qe shtatë muaj në zvogëlimin e dëmit, për ata persona që ose nuk duan, ose nuk mund ta braktisin përgjithmonë drogën”.

“Këtyre personave iu ofrohen programe për dëmet shëndetësore qw sjell përdorimi i shiringave, dëmtimi i venave, përhapja e infeksioneve, si hepatiti, HIV-AIDS etj”,
shpjegon Blakaj.

Në anën tjetër, Shaban Mecinaj, shef i Repartit të psikiatrisë, thotë se Qendra Klinike Universitare e ka një repart të veçantë për trajtimin e të sëmurëve nga varshmëria ndaj substancave të ndryshme narkotike, si dhe nga alkooli.

Por, kushtet që mbretërojnë në shëndetësinë kosovare kanë bërë që asnjë pacient i varur nga alkooli të mos kërkojë ndihmë, derisa vetëm katër përdorues të substancave narkotike janë të shtrirë në këtë repart.

“Aktualisht, në këtë repart janë të shtrirë katër pacientë, që janë të varur nga heroina. Atyre u ofrohet një trajtim 10 deri 15 ditor që është i bazuar në programet detoksikuese”.

“Ndërsa, nga ata që janë të varur prej alkoolit, nuk ka të shtrirë, sepse nuk kërkojnë ndihmë në klinikën tonë, edhe pse dihet që përqindja e të varurve nga alkooli është mjaft e madhe”.

“Kemi terapi për të varurit nga droga; jemi të kënaqur deri diku, por mungojnë programet mbajtëse, si ato të metadonit, që ne nuk i kemi”
, sqaron Mecinaj.

Asnjë institucion nuk ka të dhëna për numrin e përdoruesve të substancave narkotike, e as për sasinë e këtyre substancave që konsumohen në Kosovë.

Sipas zyrtarëve, narkomania tashmë është bërë problem shqetësues, ndërsa numri i përdoruesve po rritet çdo ditë e më shumë.
XS
SM
MD
LG