Ndërlidhjet

Dy vjet pavarësi



Në ditëlindjen e dytë si shtet i pavarur, Kosova arriti të njihet nga 11 shtete të reja, duke çuar numrin e njohjeve në 65, u anëtarësua në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, si dhe u përball me Serbinë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Por, edhe në përvjetorin e dytë, Kosova po shënon jo më pak sfida se dy vjet më parë. Shtetit të ri, të vogël, me ekonomi të dërmuar nga e kaluara, me shkallë të lartë të papunësisë, iu shtuan këtë vit edhe protestat e shërbyesve civilë për rritje pagash. Kjo ngriti shqetësimin për trazira të mundshme sociale.

Vala e madhe e njohjes në vitin e parë të pavarësisë, nuk u përcoll edhe në të dytin. Procesi gjyqësor për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, u cilësua nga liderët kosovarë si një nga faktorët, që shkaktoi ngecje në njohje.

Megjithatë, anëtarësimi në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Bankën Botërore, bëri që edhe viti i dytë të quhet i suksesshëm, meqë pa qenë anëtare e OKB-së, Kosova fitoi dy të tretat e votave të anëtarëve të këtyre institucioneve ndërkombëtare financiare.

Krijimi i një mjedisi të sigurt dhe integrimi i pakicave kombëtare, veçanërisht i pakicës serbe, mbeten edhe më tej “thembra e Akilit” e institucioneve pro-perëndimore të Kosovës.

Megjithatë, krijimi i tri komunave të reja me shumicë serbe dhe pjesëmarrja e serbëve në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, rriti shpresat se serbët po ua kthenin shpinën strukturave paralele serbe.

Por, veriu i vendit i banuar me shumicë serbe, vazhdon të jetë një arenë e kundërshtimeve më të ashpra ndaj pavarësisë së Kosovës.

Strategjia për integrimin e veriut e iniciuar nga Qeveria dhe Zyra Civile Ndërkombëtare nuk u finalizua ende, ndërsa nuk dihet sa do të jetë e zbatueshme.

Sidoqoftë, 17 shkurti i këtij viti shënon vitin e dytë të jetës së një shteti të ri, pavarësia e të cilit është e pakthyeshme.

Me gjithë problemet, dy vitet e para dëshmuan se Kosova është rast i veçantë dhe përgënjeshtruan të gjitha parashikimet se shpallja e pavarësisë së saj mund të nxisë valë dhune dhe të destabilizojë rajonin. (A.I.)
XS
SM
MD
LG