Ndërlidhjet

Protestë e qetë për gjykatat në veri


Gjykata në Mitrovicë
Gjykata në Mitrovicë

Dy vjet pas largimit nga objektet e gjykatave në veri të Mitrovicës, qindra punonjës shqiptarë të këtyre institucioneve, të mbështetur nga përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Juridikaturës në Kosovë, kanë zhvilluar një protestë paqësore në anën jugore të këtij qyteti. Ekspertët për drejtësi e kanë quajtur alarmante gjendjen e krijuar në këto gjykata dhe kanë theksuar nevojën për rifunksionalizimin sa më parë të tyre.


Një skenar tërësisht ndryshe nga ai që u zhvillua dy vjet më parë në gjykatat në veri të Mitrovicës, ku serbët protestues kishin bllokuar funksionimin e këtyre institucioneve duke uzurpuar objektet e tyre, ka ndodhur të shtunën në anën jugore të këtij qyteti.

Përmes një marshi simbolik deri në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, rreth 200 protestues - punonjës të atyre gjykatave dhe përfaqësues të Sindikatës së Pavarur të Juridikaturës në Kosovë, kanë shprehur pakënaqësitë për moskthimin e punonjësve vendorë në objektet e gjykatave në veri.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë, Kapllan Baruti, ka shpalosur kërkesën e protestuesve, duke mos përjashtuar radikalizmin e masave në të ardhmen.

“Kjo është një simbolikë, por jo vetëm një simbolikë; është një kërkesë e jona e vendosur që ne të kthehemi sa më parë në pjesën veriore dhe të na mundësohet rikthimi në gjendjen e mëparshme, para datës 20 shkurt të vitit 2008”.

“Nëse nuk do të ketë zgjidhje adekuate, aktivitetet tona do t’i zhvillojmë, e ndoshta edhe do t’i radikalizojmë”
, ka thënë Baruti.

Protesta dyorëshe e këtyre sindikalistëve dhe e punonjësve shqiptarë të gjykatës së Qarkut, asaj Komunale dhe Gjykatës për Kundërvajtje të Mitrovicës, u shpërnda e qetë, kanë bërë të ditur përfaqësues të Policisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë rajonale në Mitrovicë, Besim Hoti, ka thënë se gjatë protestës nuk është zhvilluar asnjë incident.

“Konsiderohet se rreth 200 punonjës, zyrtarë të gjykatave, kanë marrë pjesë në protestë. Nuk është shënuar ndonjë incident - kjo është me rëndësi, ndërsa protesta ka përfunduar e qetë me shpërndarjen e përfaqësuesve të gjykatave”
, ka bërë të ditur Hoti.

Rifunksionalizimi i pjesshëm i gjykatave në veri kishte ndodhur në muajin mars të vitit 2009, me vendosjen e disa përfaqësuesve të misionit të Bashkimit Evropian për forcimin e sundimit të ligjit.

Aktualisht, në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës janë të angazhuar katër gjykatës, dy prokurorë, dy këshilltarë ligjorë të gjykatave dhe dy këshilltarë ligjorë prokurorialë - që të gjithë të mandatuar nga misioni EULEX.

Rikthimi i punonjësve vendorë, ndërkaq, është cilësuar si çështje politike që duhet të zgjidhet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar.

Eksperti për çështje ligjore, Ismet Salihu, ka thënë se mosfunksionalizimi i tërësishëm i këtyre gjykatave, pamundëson sundimin e ligjit në atë pjesë të vendit.

“Kjo është e paprecedent në gjyqësinë e shteteve të Evropës, për shkak se një ndër elementet bazike të ushtrimit të sovranitetit, apo të ushtrimit të pushtetit të një shteti në të gjithë territorin e vet, është edhe funksionalizimi dhe ushtrimi, pa pengesa, i organeve të drejtësisë”,
ka theksuar Salihu.

Kohë më parë, Serbia kishte emëruar disa gjykatës dhe prokurorë serbë në gjykatën në veri të Mitrovicës - hap që ishte kundërshtuar ashpër nga autoritetet vendore e ndërkombëtare në Prishtinë.

Salihu ka thënë se me mosfunksionimin e plotë të gjykatave në veri, u jepet hapësirë veprimeve të tilla të Beogradit zyrtar.

“Alarmante është, sepse nëse vazhdon kështu, në njëfarë mënyre të heshtur po tolerohet organizimi kriminal i njerëzve dhe ndërkohë, kjo bëhet me qëllim që të instalohen dhe të punojnë gjykatat e Serbisë”,
ka vlerësuar Salihu.
XS
SM
MD
LG