Ndërlidhjet

Pagat kundrejt çmimeve


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Pagat mesatare në Kosovë janë të nivelit të ulët, ndërkohë që ato janë në shpërputhje të madhe me pagat në disa institucione të larta të Kosovës dhe në disa ndërmarrje publike, vlerësojnë ekspertë të çështjeve ekonomike dhe sociologë në Kosovë.


Standardi i jetesës në Kosovë varet drejtpërdrejt nga niveli i pagave që marrin punëtorët, ndërkohë që mesatarja e këtyre pagave përballë çmimeve në treg, nuk ua siguron atyre as për së afërmi një jetë të dinjitetshme, vlerësojnë ekspertë për çështje ekonomike dhe sociologë në Kosovë.

Musa Limani, nga Instituti Ekonomik i Kosovës, thotë se të dhënat zyrtare tregojnë se pagat në Kosovë janë minimale, ndërkohë që standardi jetësor në mënyrë të vazhdueshme është duke shënuar rënie.

“Sipas Entit të Statistikës, pasi që ato janë të dhëna publike, në Kosovë, në vitin 2009 paga mesatare ishte 205 euro. Ju lutem, 205 euro, duke u bazuar në nivelin e çmimeve, të cilat janë në Kosovë, unë pa e tepruar, do të thosha se ajo duhet të jetë pagë minimale”.

“Prandaj, niveli i lartë i çmimeve dhe pagat e ulëta, shprehen drejtpërdrejt te standardi jetësor. Kështu që, standardi jetësor, në mënyrë permanente te ne ka rënë. Unë e përdori këtë shprehje shpesh se ne në Kosovë kemi çmime evropiane, por paga afrikane”
, thekson Limani.

Ndërkaq, sociologu Shemsi Reçica, thekson se pakënaqësitë sociale, të cilat janë manifestuar që nga fillimi i këtij viti përmes protestave të punëtorëve nga segmente të ndryshme të shërbimeve publike, janë rezultat i pagave të ulëta dhe standardit jetësor.

“Unë mendoj se të gjitha këto pakënaqësi kanë të bëjnë, kryesisht me tregun dhe me çmimet e tregut, që janë gati të nivelit evropian. Pagat e tyre janë në një nivel shumë të ulët”.


“Mirëpo, unë besoj se qytetarët ende nuk janë sa duhet të informuar për shpërputhjen e madhe ndërmjet pagave të qeveritarëve, e para; e dyta, të ndërmarrjeve publike; dhe e treta të qytetarëve të thjeshtë, të themi të arsimit, shëndetësisë ose të nëpunësve që punojnë në administratën shtetërore
”, shprehet Reçica.

Shpërputhjen e niveleve të pagave e thekson edhe zoti Limani.

“Në të kundërtën, ne kemi në disa ndërmarrje publike, në institucione shtetërore, siç është rasti me deputetët që kërkojnë rritje të pagave deri në 3 mijë euro, pastaj me KEK-un, edhe pse financohet nga mjetet buxhetore, e që është absurde nga aspekti ekonomik, pasi që ai është profitabil”.

“Rroga prej 3 mijë deri në 5 mijë euro, gjithashtu kemi tek Aeroporti, te PTK-ja, etj. Kurse, pjesa dërmuese, mbi 90 për qind e popullatës, ata që janë të punësuar, kanë rroga me të vërtetë minimale që nuk i përgjigjen nivelit të jetesës”
, shpjegon Limani.

Ndryshe, sociologu Reçica shpreh mendimin se qytetarët ende nuk janë të informuar mjaftueshëm lidhur me shpërputhjet e mëdha që ekzistojnë në mes të pagave në disa institucione të larta dhe ndërmarrje publike, në raport me nivelin mesatar të pagave.

Informimi i saktë i qytetarëve, sipas tij, mund të ndikojë në shtimin e pakënaqësive të tyre, ndërkohë që këto pakënaqësi rrezikojnë të shpërthejnë.

“Njerëzit po e humbin gjithnjë e më shumë durimin, për shkak të vështirësive të jetës së tyre, për arsye se edhe ata që punojnë, marrin rroga të vogla. Por, edhe ata që nuk punojnë fare, kanë obligime familjare, duhet t’i mbajnë fëmijët, t’i shkollojnë ata dhe kanë shpenzime të vazhdueshme”.

“Po vjen duke u ngushtuar laku i tyre dhe mendoj se, në qoftë se nuk do të ketë ndërhyrje nga qeveria, unë pres se do të shkaktohet pakënaqësi dhe revoltë e madhe e qytetarëve. Ky vit ka shumë gjasë që të jetë një vit i çrregullimeve të mëdha sociale”
, vlerëson sociologu Reçica.
XS
SM
MD
LG