Ata nuk janë më mbretërit e patinazhit artistik. Ekipi i hokejit pësoi humbje të rëndë. Dhe kur gjithçka kishte mbaruar, ekipi olimpik i Rusisë, dikur i mbuluar nga lavdia, u kthye në shtëpi vetëm me tri medalje të arta.
Lojërat Olimpike Dimërore, që përfunduan pak ditë më parë në Vankuver të Kanadasë, e kanë lënë të zhytur në humbje sportin rus. E kjo ndodh vetëm katër vjet para mbajtjes së Olimpiadës së ardhshme në Soçi të Rusisë.
Pas humbjes dëshpëruese të sportistëve rusë, presidenti Dmitri Medvedev në televizion deklaroi se “duhet ndryshuar nga themelet mënyra e stërvitjes së atletëve”.
“Ata që ishin përgjegjës për përgatitjet për Lojërat Olimpike, duhet të mbajnë përgjegjësi. Kjo nuk diskutohet. Mendoj se përgjegjësit, ose së paku disa prej tyre, duhet të japin dorëheqje. Nëse nuk tregojnë kurajë, atëherë do t’i ndihmojmë ta bëjnë një hap të tillë”, tha Medvedev.
Shefi i Kremlinit nuk përmendi ndonjë zyrtar me emër, por në mendjen e të gjithëve ishin së paku emri i ministrit të Sportit dhe kreut të Komitetit Olimpik Rus.
Rusia fitoi gjithsej 15 medalje në Lojërat e Vankuverit, duke u renditur e gjashta sa i përket numrit të medaljeve të marra. Kjo është paraqitja më e dobët e atletëve rusë në historinë e Lojërave Olimpike.
Rusia dhe paraardhësi i saj, Bashkimi Sovjetik, kanë qenë të mësuar me marrjen e një prej dy vendeve të para në tabelën e medaljeve në olimpiada. Në nëntë Lojërat Olimpike, të zhvilluara nga viti 1956 deri në vitin 1988, Bashkimi Sovjetik kryesoi 7 herë për nga numri i medaljeve dhe dy herë doli në vend të dytë.
Në periudhën pas-sovjetike, Rusia asnjëherë nuk ka rënë poshtë vendit të pestë sa i përket numrit të trofeve të fituara.
Psikologja ruse, Olga Makhovskaja, tha se humbja poshtëruese e këtij viti do të jetë e vështirë për t’u kapërcyer nga rusët.
“Ne gjithmonë prinim në sportet dimërore, por tashmë kjo është një traditë që po rrënohet para syve tanë. Është e dhimbshme të humbasësh identitetin e fituesit. Ne gjithmonë e dinim se, pavarësisht sa të vështira mund të ishin situatat, do të fokusoheshim në fushat ku nuk krahasoheshim me askënd”.
“Tani e shohim se kjo nuk është më e vërtetë. Shumë rusë po e përjetojnë një fakt të tillë si fyerje dhe humbje personale, gati në nivele fëmijërore”, u shpreh psikologja ruse.
Analistët thonë se në lojërat e mëparshme Rusia përfitoi nga aftësitë e atletëve të stërvitur gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik. Ky i fundit kishte reputacionin e një fabrike që prodhonte kampionë bote.
Shumica e atletëve aktualë të ekipit olimpik rus janë stërvitur në kohërat e vështira të viteve ’90, në dekadën kaotike që pasoi shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik.
Presidenti rus theksoi se zyrtarët aktualë të sportit po mbështeteshin shumë te ditët e lavdisë së shkuar dhe po bënin shumë pak për të përmirësuar situatën aktuale.
Rusia erdhi në Lojërat e Vankuverit me shpresa të mëdha, madje kishte nga ata që parashikonin se do të fitonin deri në 30 medalje.
Ekipi u bekua nga kreu i Kishës Ortodokse Ruse para nisjes për në gara. Por, duket se edhe kjo nuk i ndihmoi atletët. Madje, Rusia, këtë radhë, humbi në sporte, të cilat i dominonte, siç është patinazhi artistik. Ekipi i hokejit u skualifikua qysh në çerekfinale.
Një ditë pas humbjes së ekipit të hokejit në rajonin Tomsk Oblast në Siberi, banorët mbajtën një minutë heshtje.
Shumica e vendeve e marrin seriozisht paraqitjen e tyre në Lojërat Olimpike. Por, analistët pohojnë se kjo tendencë në Rusi është shumë herë më e madhe dhe e ka origjinën nga koha e Bashkimit Sovjetik, kur fitoret e atletëve sovjetikë shiheshin si prova të superioritet social e politik të vendit.
“Ne kemi një psikologji fëmijërore apo prej adoleshenti kur vjen puna tek atletët. Ata janë idhujt tanë dhe ne e identifikojmë veten me forcën e tyre. Kjo na bën të mendojmë se jemi si ata”, deklaroi psikologja ruse, Mahkovskaja. (I.B.)

