“Edhe pse Kosova fillimisht shihet si vend transit për substancat narkotike që vijnë nga Afganistani, të dhënat nga Policia e Kosovës flasin për një rritje të tregut vendor të narkotikëve”, thuhet në raportin vjetor të Departamentit Amerikan të Shtetit për strategjinë ndërkombëtare kundër substancave narkotike.
Në raport thuhet se “Kosova përballet me sfida të shumta në betejën kundër trafikimit të narkotikëve, meqë kufijtë e saj janë të brishtë dhe ka korrupsion te pjesëtarët e Policisë Kufitare dhe të Doganave të Kosovës”.
Policia e Kosovës vazhdon të bëjë përpjekje për të luftuar tregun e drogave, por, njëkohësisht, ajo vuan nga mjetet e kufizuara. Në këtë kuadër, thuhet në raport, Ministria e Punëve të Brendshme e Qeverisë së Kosovës ka hartuar strategjinë kombëtare kundër narkotikëve në korrik të 2009-ës, por nuk i ka ende mjetet për ta zbatuar atë në tërësi.
“Nuk ka të dhëna të konfirmuara mbi numrin e përdoruesve të substancave narkotike në Kosovë, por UNICEF-i vlerëson se janë rreth 20 mijë persona që kryesisht përdorin heroinë, ndonëse përdorimi i kokainës po shënon rritje”, thuhet në raport, në të cilin, bazuar në informacionet e grumbulluara, vlerësohet se janë adoleshentët dhe studentët ata që konsumojnë më së shumti narkotikë.
“Pjesëtarët e Policisë së Kosovës përballen me sfida të shumta, duke u nisur nga kufizimi i mjeteve e deri te fakti se lufta kundër narkotikëve nuk është prioritet për Qeverinë e Kosovës”.
Raporti flet më gjerësisht edhe për ndikimin që korrupsioni ka në këtë betejë.
“Është e vështirë të thuhet saktësisht se deri në ç’masë ndikon korrupsioni në trafikimin e narkotikëve. Kosova ka ndërmarrë masa ligjore dhe të sforcimit të sundimit të ligjit për të parandaluar dhe dënuar korrupsionin publik, që ndihmon në prodhimin, procesimin apo transportimin e narkotikëve, por, deri më tash, rezultatet kanë qenë të përziera”, thuhet në raport.
Megjithatë, Kosova nuk është vend i prodhimeve thelbësore të narkotikëve, vlerëson raporti, duke rikujtuar se autoritetet e rendit, deri më tash, kanë gjetur dëshmi të pakta për kultivimin e marihuanës në shkallë të ulët.
“Të dhënat për hyrjen e substancave narkotike nga jashtë janë të brishta, kurse ato për daljen e këtyre substancave nga Kosova pothuajse nuk ekzistojnë fare. Policia e Kosovës ka raportuar për rënie drastike të heroinës që vinte nga Bullgaria nëpërmjet Maqedonisë, pas anëtarësimit të Bullgarisë në Bashkimin Evropian”.
Por, pjesa më e madhe e drogave tani vjen nga Shqipëria, thuhet në raport.
“Vlera e heroinës në rrugë është mes 10,000 dhe 15,000 euro për një kilogram, kurse e kokainës nga 50,000 deri në 60,000 për një kilogram. Dhe, përkundër çmimit më të lartë të kokainës, raportet e Policisë së Kosovës flasin se sasia e kësaj substance narkotike që hyn nga Shqipëria, Mali i Zi dhe vendet tjera, është në rritje”. (A.V.)