Vendet e Bashkimit Evropian flitet se do ta ndihmojnë Greqinë, që të dalë nga kriza financiare.
Megjithatë, deri më tani, nuk është bërë e ditur asgjë, edhe pse konsultimet me udhëheqësit grekë janë intensifikuar.
Kryeministri grek, Jorgo Papandreu, do të takojë të premten kancelaren gjermane, Angela Merkel, e cila, deri më tani, ka kundërshtuar publikisht shpëtimin e Greqisë.
Grekët shpresojnë se ajo më në fund do të zbusë qëndrimin e saj në takimin që do të mbahet në Berlin.
Kreu i bankës holandeze, Xhozef Ackerman, ka folur me Papandreun në Athinë dhe kjo bisedë ka vlerë, pasi bankat gjermane mund të luajnë rol kryesor në operacionet e shpëtimit.
Komisionari i BE-së, Oli Ren, kur ishte në Athinë, i ka kërkuar Qeverisë greke që ta ndihmojë veten në forcimin e programeve të brendshme.
Ren i bëri këto komente në Athinë, në një konferencë të përbashkët me ministrin grek të Financave, Xhorxh Papakonstantini.
“Duke pasur parasysh rreziqet makroekonomike dhe të tregut, duhet që të synohet reduktimi i deficitit 4 për qind gjatë 2010-ës. Dua t’i inkurajoj autoritetet greke që ta kenë parasysh këtë dhe të marrin masa shtesë për ta arritur këtë synim”, tha Ren.
Kancelarja Merkel tha se kriza në Greqi e ka vënë monedhën Euro në vështirësinë më të madhe që ajo njeh, që prej hedhjes në treg.
“Rrënjët janë deficitet e larta të Greqisë dhe humbja e kredibilitetit. Kjo është arsyeja që unë i jam shumë mirënjohëse Qeverisë greke, pasi ajo ka një plan të guximshëm kursimesh dhe masa të tjera për përmirësimin e situatës së deficitit”, tha Merkel.
Ren gjithashtu shprehu solidaritetin e BE-së me popullin grek.
“Komisioni Evropian dhe besoj e gjithë BE-ja - do të vazhdojmë t’i mbështesim autoritetet dhe popullin grek për frymën e bashkëpunimit për ta vënë ekonominë në rrugë të qëndrueshme, që të jetë e vlefshme për qytetarët”, tha Ren.
Mediat raportuan se plani i veprimit i BE-së tani ka marrë formë prapa skenave, përfshirë blerjen e bonove të Qeverisë greke nga bankat gjermane, franceze dhe holandeze.
Këto bono do të mbështeten nga garancitë e qeverive të vendeve pjesëmarrëse, që bankat të mos humbin në rast të mospagimit nga ana e Athinës. (A.Ç.)