Ndërlidhjet

Priten investime të huaja



Interesimi i investitorëve për të qenë të pranishëm në Kosovë mbetet në nivel mjaft të ulët. Autoritetet kosovare thonë se janë shumë të përkushtuara në krijimin e një ambienti të volitshëm për tërheqjen e investimeve të huaja, të cilat konsiderohen si një mjet i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

Kryeshefi për promovimin e investimeve në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, Mustafë Hasani, thotë se janë duke punuar me Bankën Botërore për identifikimin e indikatorëve, të cilët po largojnë investitorët.

“Kemi dy komponentë; është komponenti i parë i promovimit dhe i dyti është shikimi i mundësive për krijimin e një ambienti më të mirë biznesor. Ne po punojmë me Bankën Botërore në identifikimin e atyre indikatorëve, në të cilët konsiderojmë se mund të ketë mundësi për ndryshime pozitive”
, thotë Hasani.

Sipas zyrtarëve të Agjencisë për Promovimin e Investimeve, deri më tani, asnjë investitor i huaj, i cili ka qenë prezent në Kosovë, nuk e ka lëshuar vendin, por, përkundrazi, ka vazhduar me investimet dhe bizneset.

Hasani pohon se janë shumë investitorë që kanë treguar interesim për të investuar në Kosovë dhe kjo, sipas tij, pritet të materializohet gjatë këtij viti.

“Ne kemi pasur një rënie të investimeve. Por, çfarë janë pritjet? Ne besojmë dhe në bazë të shënimeve, vërtet është një interesim i shtuar i kompanive të mëdha nacionale, sidomos pas vendimeve të privatizimeve të mëdha - PTK-së, Aeroportit, KEK-ut, dhënia me koncesion e hidrocentraleve, si dhe ndërtimi i termocentralit ‘Kosova e re’”
, thotë Hasani.

Ndërkohë, përveç krizës globale financiare, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, në këtë kuadër problem paraqet edhe moszbatimi i ligjit.

Eksperti për çështje ekonomike, Safet Gërxhaliu, thotë se investimet e huaja në Kosovë, të cilat vazhdimisht janë parë si mundësi për zhvillimin ekonomik, nuk janë duke ndodhur dhe kjo për shkak të, siç thotë ai, korrupsionit dhe burokracisë.

“Vetë fakti që në konferenca të ndryshme promovuese, interesimi i të huajave për të dëgjuar për Kosovën është në rënie e sipër, e ngarkon dhe e shqetëson këtë situatë edhe më tepër".

“Vërtet është koha që këtyre problemeve t’iu qasemi me një pragmatizëm më të madh dhe të bëhen ndryshime në formë vertikale dhe horizontale”
, thekson Gërxhaliu.

Sipas tij, duhet të ndryshohet rrënjësisht qasja e Qeverisë ndaj zhvillimeve dhe proceseve
ekonomike. Gërxhaliu thotë se qeveritarët duhet të jenë bartës të luftimit të korrupsionit.

“Nëse në këtë mënyrë do të arrijmë të bëjmë diçka pozitive, atëherë ndoshta do të kemi rritje të investimeve të huaja. Aktualisht, situata është shumë e vështirë, jo vetëm për të huajt, por edhe për bizneset vendore”.

“Nëse bëjmë ndonjë analizë për vitin 2009, atëherë ky vit bizneset kosovare i ka karakterizuar më shumë me investime në ruajtjen e asaj që kanë arritur, sesa në zgjerimin e kapaciteteve biznesore
”, shprehet Gërxhaliu.

Ndryshe, sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës, gjatë vitit 2009, investimet e huaja në Kosovë kanë shënuar rënie prej 30%. Ndërsa, sipas raportit të fundit të Bankës Botërore, Kosova konsiderohet ende si një vend i pasigurt për investitorët.
XS
SM
MD
LG