Ndërlidhjet

Iraku përgatitet për zgjedhjet


Bagdad

Iraku përgatitet për zgjedhjet e nesërme parlamentare, të dytat nga rënia e Sadam Huseinit, në vitin 2003.

Kreu i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-mun, u ka bërë thirrje irakianëve të dalin në votime, të cilat i quajti “një tjetër gurthemel” i rëndësishëm drejt pajtimit kombëtar.

Por, ditët e fundit të fushatës janë përshkuar me një varg sulmesh vetëvrasëse.

Irakianët duhet të zgjedhin Parlamentin e ri në zgjedhjet që mund t’i riformësojnë politikat e turbullta të vendit të tyre, në kohën kur forcat e Shteteve të Bashkuara përgatiten të largohen.

Siguria në Bagdad është e lartë, megjithëse kryengritësit islamistë janë zotuar se do të ndërmarrin akte të dhunës.

Oficeri i policisë, Abu Imad, thotë se policia dhe armata e kanë nën kontroll situatën e sigurisë.

“Forcat e sigurisë po e bëjnë punën e tyre 100 për qind, ndërsa policia dhe armata i kontrollojnë rrugët plotësisht. Shpresojmë se zgjedhjet do të jenë qind për qind të suksesshme”, thotë Imad.

Forcat e sigurisë kanë ndaluar qarkullimin e automjeteve në ditën e zgjedhjeve, për të parandaluar shpërthimet. Qarkullimet ajrore, detare dhe tokësore gjithashtu do të mbyllen ndërmjet provincave.

Pothuajse 50 njerëz e kanë humbur jetën në ditët e fundit të fushatës, përfshirë ushtarë dhe policë që votuan para kohe.

Sot, një automjet-bombë shpërtheu në qytetin e shenjtë irakian, Naxhaf, duke vrarë katër pelegrinë iranianë.

Dega e Al Kaidës në vend, Shteti Islamik i Irakut, u ka urdhëruar irakianëve që të mbeten në shtëpi nesër dhe janë kërcënuar se do t’i vrasin votuesit.

Megjithatë, shumë irakianë kanë shpresa të mëdha se zgjedhjet do të sjellin paqe dhe siguri pas viteve të kaosit.

Ahmed Malik është banor i Bagdadit.

“Ne do të votojmë nesër. Kam shumë besim te vetja dhe të tjerët se njerëzit do të zgjedhin një qeveri të fuqishme, që do të punojë për ta ndërtuar këtë vend, i cili po vuan më shumë se 30 vjet”, thotë Malik.

Kryeministri Nuri al-Maliki, kreu i Aleancës së Shtetit Ligjor, ka deklaruar se është i “sigurt” në fitoren e koalicionit të tij. Por, ai përballet me konkurrencë të fortë nga fraksionet tjera, përfshirë atë të ish-kryeministrit Ijad Alavi, i cili garon me një program nacionalist.

Skena e fragmentuar politike e Irakut nënkupton se asnjë parti nuk mund t’i fitojë 163 ulëset e nevojshme për të formuar qeverinë. Në vend të kësaj, priten negociata për formimin e koalicionit qeverisës.

Përkundër dhunës së fundit dhe ndoshta turbullirave politike, Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha dje se vetëm rrethana të jashtëzakonshme mund ta detyrojnë Uashingtonin që t’i rishikojë planet për tërheqjen e trupave amerikane nga Iraku. (V.P.)


**********************

Gratë irakiane, disa të veshura në të zeza, të tjerat me kostume biznesi, bëjnë fushatë për zgjedhjet parlamentare.


Kandidatet femra për zgjedhjet në Irak
Ju lutem të prisni

No media source currently available

0:00 0:02:54 0:00
Linku direkt


XS
SM
MD
LG