Irakianët, ndërsa presin rezultatin e zgjedhjeve të ditës së diel, përflasin mes tyre spekulimet që mund të bëhen.
Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Laith Ahmad, thotë pikërisht këtë gjë:
“Shumica e njerëzve rrinë në shtëpi. Ata flasin me fqinjët rreth zgjedhjeve, rezultatit, rreth asaj se cilët kandidatë mund të fitojnë dhe si do të ndryshojnë jetët e tyre me Qeverinë e re, që do të dalë nga zgjedhjet”.
Rezultatet nuk priten të jepen para së enjtes. Kryeministri Nuri Al Maliki, që priste të fitonte një mandat të dytë, po sfidohet nga grupi shiit, i kryesuar nga ish-kryeministri Liad Allavi.
Partia e Al Malikit thotë se mund të fitojë në Bagdad dhe shiitët në jug të vendit, por kjo nuk është zyrtarisht e verifikuar.
Ahmad thotë se partitë politike ende nuk kanë nisur negociatat për formimin e aleancave parlamentare për Qeverinë e re.
“Deri më tani, ata nuk kanë bërë thirrje për negociata rreth Qeverisë së re. Ata kanë informacione rreth rezultatit, pasi kanë vëzhgues dhe ndoshta dinë ndonjë rezultat paraprak nga qendrat e votimit”, thotë Ahmad.
Zgjedhjet janë një test për demokracinë e re dhe do të përcaktojnë nëse Iraku mund të shmangë dhunën, ndërsa forcat amerikane përgatiten të tërhiqen në 2011-ën.
Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, përshëndeti për kurajën miliona irakianë që votuan, pavarësisht se, ditën e votimeve, 40 veta humbën jetën në Bagdad dhe qytete të tjera.
Sad Abtan, banor i Bagdadit, thotë se është i lumtur që qytetarët sfiduan kërcënimet e dhunës dhe shkuan të votonin.
“Falë Zotit, pavarësisht nga shpërthimet e bombave dhe goditjet me raketa, irakianët shkuan në qendrat e votimit, duke sfiduar shpërthimet. I bëj thirrje Qeverisë së re që t’i mbajë premtimet e kandidatëve. Ne duam siguri dhe rindërtim”, thotë Sad Abtan.
Kurdët në veri të qytetit Kirkuk sot shprehën gëzimin, duke valëvitur flamujt.
Presidenti Obama tha se votimi bën të qartë se e ardhmja e vendit i përket popullit irakian.
“Nga çdo përmasë, kjo ishte arritje e suksesshme në historinë e Irakut. Dhjetëra parti dhe koalicione patën mijëra kandidatë, burra dhe gra”.
“Në një pjesëmarrje të fortë, miliona irakianë ushtruan të drejtën e votës me entuziazëm dhe optimizëm”, tha Obama.
Presidenti amerikan e ripërsëriti zotimin e Shteteve të Bashkuara për të ndihmuar Irakun, derisa ky vend të mund ta marrë në dorë fatin e vet. (A.Ç.)