Ndërlidhjet

Reporterët pa Kufij: Në Kosovë kërcënohen gazetarët


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Organizata “Reporterët pa Kufij” i dënon kërcënimet ndaj gazetarëve investigativë në Kosovë, muajin e kaluar.

Duke përmendur tri raste në gazetat “Koha Ditore”, “Lajm” dhe “Zëri”, organizata thotë se në Kosovë ka një valë kërcënimesh kundër shtypit.

“Është e papranueshme dhe shumë shqetësuese që policia dhe autoritetet e gjyqësisë refuzojnë të veprojnë mbi bazën e ankesave të gazetarëve rreth kërcënimeve”, thotë organizata me seli në Paris.

“U bëjmë thirrje autoriteteve evropiane që përmes misionit të EULEX-it, menjëherë ta adresojnë këtë kulturë të pandëshkueshmërisë”, thonë "Reporterët pa Kufij".

Më tej, organizata i kritikon organet e rendit për mosefikasitetin e tyre në zbulimin e kërcënimeve ndaj gazetarëve.

“Ne nuk mund të pranojmë që hetimet e policisë nuk rezultojnë gjithmonë me sukses për identifikimin e kërcënuesit, por është tmerruese kur shihen zyrtarët që bëjnë çmos për t’i pamundësuar mediat nga të drejtat legjitime të tyre”, thuhet në reagim.

“Nëse Qeveria e Kosovës vërtet dëshiron t’i bashkëngjitet Bashkimit Evropian, ajo duhet të sigurojë respekt për të drejtën e mediave që t’i hetojnë të gjitha fushat e ekonomisë, sidomos kompanitë publike, të cilat menaxhohen dhe kontrollohen nga shteti”, përfundon reagimi i organizatës “Reporterët pa Kufij”. (V.P.)



(S')shqyrtohen kërcënimet ndaj gazetarëve


Policia e Kosovës hedh poshtë vlerësimet që dalin nga raporti i fundit i “Reporterëve pa Kufij”, në lidhje me kërcënimet që u janë bërë gazetarëve të tri mediumeve në Kosovë, përgjatë muajit të kaluar.

“Reporterët pa Kufij” e quajtën të papranueshëm faktin që autoritetet policore në Kosovë nuk kanë trajtuar si duhet kërcënimet që u janë bërë gazetarëve të tri gazetave të përditshme në Kosovë.

Mirëpo, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, thotë se policia trajton të gjitha rastet që kanë të bëjnë me kërcënim apo sulm ndaj të gjithë qytetarëve të Kosovës.

“Unë nuk dua të flas tash individualisht, por e them në mënyrë të përgjithësuar se për çdo rast që ndodh, çdo rast, i cili është qoftë kërcënim, qoftë sulm ndaj çdo personi, ndaj çdo qytetari, e në këtë rast ndaj çdo gazetari, janë procedura të parapara, të cilat duhet të ndiqen dhe policia i respekton ato procedura”, thotë Kelani.

Në raportin e “Reporterëve pa Kufij” përmenden kërcënimet që u janë bërë gazetarëve: Arbana Xharra e Lavdim Hamidi nga gazeta “Zëri”, korrespondentit nga Gjilani për gazetën “Lajm”, Musa Sabedini, dhe gazetarit të “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi.

Ky i fundit thuhet se e ka paraqitur rastin në polici, porse, siç ceket në raport, nga zyrtarë të lartë të policisë i është kërkuar ta harrojë rastin, ta tërheqë ankesën, meqë, siç citohet të kenë thënë ata, gjasat do të ishin të pakta që rasti të shqyrtohej nga ndonjë gjykatë.

I pyetur në lidhje me këtë rast, zëdhënësi i policisë, Baki Kelani, thotë:

“Çdo person ka të drejtë që të dërgojë paraprakisht informacione të tilla apo të njoftojë inspektoratin policor për mosveprime të tilla konkrete dhe besoj se do të merren masa konkrete ndaj personave apo zyrtarëve, të cilët nuk janë marrë me trajtimin e tyre si duhet”.


Raporti i “Reporterëve pa Kufij” i kërkon po ashtu Qeverisë së Kosovës që t’u mundësojë gazetarëve të hulumtojnë në të gjitha fushat e ekonomisë, e veçanërisht në ato që kanë të bëjnë me ndërmarrjet publike, të menaxhuara nga shteti.

Në këtë kuadër përmendet kërcënimi për ndjekje penale, që menaxhmenti i Postë-Telekomit të Kosovës (PTK) u ka bërë gazetarëve të gazetës “Zëri”, Arbana Xharrës dhe Lavdim Hamidit, për shkak të një shkrimi hulumtues, të publikuar në këtë gazetë, ku përmendet puna e drejtorit gjeneral të PTK-së, Shyqyri Haxha.

Që nga atëherë, PTK-ja kishte shkëputur çdo lloj komunikimi me “Zërin”. Kryeredaktori i kësaj të përditshmeje, Astrit Gashi, thotë se deri më tani nuk ka asnjë sinjal nga Qeveria e Kosovës e as nga kompania në fjalë, për të zgjidhur këtë problem.

Gashi thekson se me vendimin e PTK-së për shkëputjen e kontaktit me gazetën “Zëri”, janë shkelur të drejtat e njeriut, e drejta për qasje në informatat zyrtare dhe Kushtetuta e Kosovës. Ai thekson nevojën për një rol më të fuqishëm të Qeverisë në këtë drejtim.

“Për të distancuar veten nga këto veprime, mendoj se Qeveria e Kosovës duhet të kërkojë nga këto institucione, të cilat, në njëfarë mënyre, kanë përgjegjësi direkte ndaj saj, që t’i korrektojnë veprimet e tyre dhe të jenë më të hapura ndaj mediave”, shprehet Gashi.

Në lidhje me këtë problematikë, në reagimin e organizatës “Reporterët pa Kufij” thuhet se “nëse Qeveria e Kosovës vërtet dëshiron t’i bashkëngjitet Bashkimit Evropian, ajo duhet të sigurojë respekt për të drejtën e mediave, që t’i hetojnë të gjitha fushat e ekonomisë, sidomos kompanitë publike, të cilat menaxhohen dhe kontrollohen nga shteti”.

Por, realiteti në Kosovë, sipas drejtorit të Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, Imer Mushkolajt, duket krejt ndryshe.

Mushkolaj e quan skandaloz veprimin e institucioneve përgjegjëse për trajtimin e kërcënimeve ndaj gazetarëve dhe kritikon Qeverinë e vendit për mungesë të mbështetjes në këtë drejtim.

“Është skandaloze, sepse pikërisht institucionet që do të duhej të ishin në krahë të gazetarëve, në këtë rast nuk janë në krahë të tyre. E kam fjalën këtu për Policinë dhe Prokurorinë e Kosovës”.

“Ndërkaq, Qeveria nuk i ka bërë thirrje prokurorisë e as policisë që t’i ndërmarrin veprimet e duhura. Qeveria ka vazhduar që verbalisht ta mbështesë punën e gazetarëve, mirëpo gjendja praktike, gjendja në terren është krejt tjetër”
, thekson Mushkolaj.

Qeveria nuk i ka komentuar vlerësimet që dalin nga reagimi i “Reporterëve pa Kufij”.


XS
SM
MD
LG