Si sot e 25 vjet më parë, 54-vjeçari Mikail Gorbaçov u bë udhëheqësi më ri i Bashkimit Sovjetik, pikërisht më 11 mars të 1985-ës.
Ai e nisi punën në kërkim të reformave të reja dhe e përfundoi me rënien e Bashkimit Sovjetik si superfuqi dhe me një fund të luftës së ftohtë.
Në një intervistë të kohëve të fundit dhënë për Radion Evropa e Lirë, Gorbaçov, sot 79 vjeç, tha se, pavarësisht se reformat nuk shkuan sipas dëshirës së tij, ai nuk ka keqardhje.
“Kishte shumë gjyqe, shumë punë natë e ditë dhe njerëzit ishin mosmirënjohës. Por, kur pyes veten se përse njerëzit duhet të të falënderojnë, pyetja duhet të ndërtohet ndryshe: Ju kishit një fat të madh për ta ndryshuar këtë vend të madh. Çfarë lumturie më të madhe kërkoni?”, u shpreh Gorbaçov.
Vadim Medvedev, një nga mbështetësit e Gorbaçovit dhe ish-zyrtar i lartë i Partisë Komuniste, shpjegon se në mes të viteve ‘80, kishte konsensus më të gjerë dhe më dinamik.
“E kuptova siç e kuptuan dhe shumë të tjerë, që ndryshimi ishte i nevojshëm dhe ky ndryshim lidhej me zgjedhjen e një udhëheqësi të ri”, thotë Medvedev, duke shtuar se shumë shpejt u bë e qartë për udhëheqësin e ri sovjetik, se sistemi kishte nevojë për një ristrukturim që u quajt politika e perestroikës.
“Kur ne hodhëm hapin e parë me perestroikën, u përpoqëm të ndryshonim situatën ekonomike me metoda të njohura, me disiplinë dhe rregulla të forta, duke përmirësuar teknikat menaxhuese. Më vonë pamë se duhej të shkonim më thellë”, thotë Medvedev, ish-mbështetës i Gorbaçovit.
Në fillim të 1987-ës, Gorbaçov decentralizoi ekonominë, lehtësoi censurën në media, liroi të burgosurit politikë, viktimat e Stalinit u rehabilituan, ndërsa librat e ndaluara nisën të botoheshin.
Medvdev shpjegon motivet pas këtyre politikave radikale.
“Ne shpejt kuptuam që ndryshimet ekonomike nuk mund të bëhen pa ndryshime politike dhe ideologjike. Ne kishim nevojë për një ndryshim të plotë të këndvështrimit të sistemit tonë shoqëror”, thotë Medvedev.
Në verën e vitit 1988, Gorbaçov filloi reformën më radikale, duke krijuar një legjislaturë të re - Kongresin e Deputetëve të Popullit.
Ai krijoi një presidencë të re ekzekutive, që mund të zgjidhej nga legjislatura e re.
Më 15 mars të 1990-ës, pak më shumë se pesë vjet pas ardhjes në pushtet, Gorbaçov u zgjodh presidenti i parë i Bashkimit Sovjetik.
Politika e tij ndaj Perëndimit ishte e afërt. Dhe, kur ra regjimi në Evropën lindore dhe u rrëzua Muri i Berlinit, Gorbaçov nuk ndërhyri. Lëvizjet për pavarësi lulëzuan në Republikën Sovjetike, më dukshëm në Baltik, Ukrainë dhe Gjeorgji.
Kur grushti i shtetit ndaj Gorbaçovit dështoi në gusht të vitit 1991, Bashkimi Sovjetik u shpërbë në 15 vende të pavarura.
Sipas Vadim Medvedevit, ky rezultat as nuk imagjinohej 25 vjet më parë, kur Gorbaçov erdhi në pushtet.
“Kjo u zbulua më vonë gjatë procesit”- thotë ai. (A.Ç.)
