Ndërlidhjet

Vlerësime të ndryshme për raportin e SHBA-ve


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, që flet për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, është mirëpritur nga Qeveria e Kosovës. Përfaqësues të partive opozitare kanë thënë se raporti në fjalë paraqet gjendjen faktike në terren dhe kanë kritikuar institucionet qeverisëse për, siç kanë thënë, mungesë të vullnetit politik për luftimin e kësaj kategorie.



Raporti vjetor i Departamentit Amerikan të Shtetit, që flet për gjendjen e të drejtave të njeriut në Kosovë, është mirëpritur nga Qeveria e Kosovës.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, në një konferencë për media, tha se raporti është kryesisht real dhe se është në vija të njëjta me deklaratat e mëhershme të zyrtarëve të lartë të institucioneve të vendit, se sistemi i drejtësisë ka dobësi.

“Ne kemi mirëpritur raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut. Është një raport vjetor, që e kemi marrë edhe vitet e kaluara. Gjetjet e këtij raporti janë në të njëjtën linjë edhe me deklarimet tona si Qeveri, se kemi dobësi, të cilat duhet të përmirësohen në sistemin e drejtësisë, përbrenda kompetencave tona që na i lejon Kushtetuta dhe ligjet në fuqi”.

“Për sa i përket reformimit të sistemit të drejtësisë, ne tashmë kemi ndërmarrë hapat e nevojshëm. Ju e dini që ekziston një pako e ligjeve, të cilat do të miratohen”
, tha Krasniqi.

Ai theksoi se raportet si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit duhet të merren seriozisht. Sipas Krasniqit, Qeveria po bën përpjekje për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

“Ne kemi ndërmarrë hapa konkretë për adresimin e këtyre çështjeve dhe për pikat e dobëta që kanë ekzistuar deri më tash, e që ndërlidhen edhe me funksionimin e gjyqësorit, siç ceket edhe në raport. Në këtë drejtim, themelimi i taks-forcës anti- korrupsion është hapi me konkret që e ka ndërmarrë Qeveria”.

“Ne do t’i kemi parasysh këto gjetje dhe rekomandime, për t’i përfshirë edhe tani në qasjen tonë në luftën kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative, të cilat ende ekzistojnë”
, u shpreh Krasniqi.

Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit thekson se korrupsioni dhe gjyqësori mbeten problemet kryesore në Kosovë. Zyrtarë të partive opozitare vlerësuan se raporti tregon gjendjen faktike në terren.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, tha se raporti tregon qartë se korrupsioni në Kosovë i ka tejkaluar të gjitha masat.

“Kjo qeveri është një ndër institucionet më të korruptuara në Kosovë dhe ka çuar trendin e rënies së nivelit ekonomik të Kosovës, si dhe ka varfëruar popullsinë në situatë mjaft dramatike”, tha Isufi.

Nënkryetari i AAK-së, Isufi, vlerësoi se raporti me të drejtë potencon problemet në gjyqësor, që, sipas tij, në vend se të luftojë korrupsionin, gjyqësori është vetë në një masë i korruptuar.

“Nga të gjitha raportet që kanë dalë deri tani, ne kemi shkallë në rritje për 35 %, që do të thotë se korrupsioni ka vërshuar në Kosovë”.

”Por, edhe gjyqësia, që është një ndër instrumentet që duhet t’i ndjekë veprat siç janë korrupsioni dhe deliktet në shoqëri, është një nga institucionet që vërtet nuk kanë ndërmarrë masa që ta ndalojnë. Përkundrazi, njihet si institucion i korruptuar edhe vetë”,
theksoi Isufi.

Edhe nënkryetari i Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, tha se raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit tregon gjendjen faktike në dy fusha kryesore - identifikimi i pranisë së korrupsionit dhe brishtësia e gjyqësorit.

Makolli tha se gjyqësori vazhdon të jetë një nga shkelësit me të mëdhenj të të drejtave të njeriut.

“Kosova nuk ka arritur, përkundër faktit që ka miratuar një mori ligjesh që rregullojnë këto fusha... Megjithatë, për shumë arsye, nuk ka arritur që t’i zbatojë në praktikë, në radhë të parë për shkak të mungesës së vullnetit politik dhe institucional për luftimin e korrupsionit, si dhe për shkak të mungesës së vullnetit dhe përkushtimit për të krijuar një gjyqësor të efektshëm dhe që të jetë në funksion të qytetarëve”, tha Makolli.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, mes tjerash, thuhet se “ligji parasheh ndëshkime rreth korrupsionit të zyrtarëve, por Qeveria nuk e ka zbatuar ligjin në mënyrë efikase; zyrtarë të përfshirë në praktika korruptive kanë kaluar pa u ndëshkuar”.

Ndryshe, po dje, Agjencia Anti-Korrupsion ka publikuar raportin vjetor, ku është thënë se gjyqësori prin me raste të dyshimta për korrupsion. Ndërsa, krahasuar me raportet e tjera, në vitin 2009 në agjenci kanë arritur 34.6 për qind më shumë informata për raste të dyshimta korruptive.
XS
SM
MD
LG