Ndërlidhjet

KFOR-i transferon përgjegjësitë


Paqeruajtësit e KFOR-it
Paqeruajtësit e KFOR-it

Dorëzimi i përgjegjësive nga KFOR-i te Policia e Kosovës për ruajtjen e monumentit në Gazimestan, është vlerësuar nga udhëheqës të NATO-s si një sukses i Kosovës. Gjatë një vizite në Kosovë, komandanti i krahut jugor të NATO-s, Mark Ficxherald, ka konfirmuar mbështetjen e NATO-s për FSK-në, por jo edhe për strategjinë e Qeverisë për veriun.



Kalimi i përgjegjësive te Policia e Kosovës për ruajtjen e monumentit të Gazimestanit është vlerësuar nga eprorë të lartë të NATO-s si një sukses i popullit të Kosovës.

Gjatë një vizite që i ka bërë Kosovës, komandanti i krahut jugor të NATO-s, admirali Mark Ficxherald, ka paralajmëruar bartje të tjera të kompetencave nga KFOR-i te Policia e Kosovës, ashtu edhe siç e parasheh Pakoja e Ahtisarit.

“Në muajt në vazhdim, nëse na lejon situata e sigurisë dhe Këshilli Atlantik, ne do të transferojmë edhe më shumë kompetenca tek institucionet e Kosovës, kur situata të jetë përmirësuar aq sa duhet. Edhe transferimi i Gazimestanit, edhe Forca e Sigurisë së Kosovës, sipas meje, janë tregime të suksesshme se çka është arritur këtu në Kosovë”.

“Por, ende ka disa shqetësime për zhvillimin ekonomik, decentralizimin, pjesëmarrjen shumetnike, infrastrukturën dhe rendin e ligjin. Këto janë çështjet më madhore, me të cilat duhet marrë në mënyrë diplomatike. Ndërsa, KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë ambient të sigurt për qytetarët”, është shprehur Ficxherald.

Si Ficxherald, ashtu edhe komandanti i KFOR-it, Markus Bentler, e shohin të mbyllur problemin e para disa ditëve me FSK-në. KFOR-i ngriu raportet me këtë forcë për pesë ditë, për shkak se FSK-ja ishte rreshtuar me armë në ceremoninë “Epopeja e UÇK-së”. Problemi u zgjodh pas diskutimeve mes komandantit të KFOR-it, presidentit dhe kryeministrit të Kosovës.

“Jam i bindur se i kemi zgjidhur problemet nga java e kaluar dhe besoj se komunikimi i sinqertë dhe i hapur në mes të gjitha palëve ka funksionuar mirë. Dhe, vazhdojmë të kemi bashkëpunim të shkëlqyeshëm në mes të KFOR-it dhe FSK-së”, ka thënë admirali Ficxherald.

Ndryshe, edhe kësaj here, zyrtarët e NATO-s janë distancuar nga strategjia e Qeverisë dhe e Zyrës Civile Ndërkombëtare për integrimin e veriut. Ndërkohë që, si autoritetet kosovare, ashtu edhe njohësit e rrethanave politike, thonë se pa ndihmën e KFOR-it, strategjia është vështirë e zbatueshme.

“Nëse kërkojnë përkrahje, ne do të ofrojmë një ambient të qetë dhe të sigurt, siç kemi bërë gjithmonë. Mirëpo, nuk jemi pjesë e këtij plani dhe ai është plan politik, kështu që ne nuk mund të jemi dorë e zgjatur e politikanëve. Populli i Kosovës mund të mbështetet te ne për sigurinë që do të ofrojmë”,
ka thënë komandanti i KFOR-it, Markus Bentler.

Ndërkohë, kërkesës së presidentit Sejdiu, që FSK-ja të marrë pjesë, qoftë në mënyrë simbolike, në operacionet paqeruajtëse, ushtarakët e NATO-s i janë përgjigjur se FSK-ja ka ende nevojë për ngritje kapacitetesh. FSK-ja është thënë se mund të marrë pjesë në rastet siç ishte ai i vërshimeve në Shqipëri, porse për secilin rast duhet vendosur veç e veç.
XS
SM
MD
LG