Ndërlidhjet

Politika e Serbisë ndaj Kosovës - udhë pa krye!


Beograd

Serbia vazhdon të pohojë se Kosova është pjesë e saj dhe se kurrë dhe me kurrfarë çmimi nuk do të heqë dorë nga ajo. Analistët në Beograd thonë se kjo politikë zhvillohet përkundër disponimit të opinionit, që është i përcaktuar për në BE.


Aleksandra Joksimoviq, nga Forumi për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Beograd dhe ish-ndihmësministre e Jashtme e Unionit Serbi-Mali i Zi, thotë për Radion Evropa e Lirë se mesazhet që vijnë nga Beogradi, mund të sjellin zhgënjim, që do ta çonte vendin në një udhë pa krye.

“Për mua është befasuese që çështja e Kosovës është bërë temë qendrore e politikës së jashtme të Serbisë, nisur nga fakti se prej vitit 2000, të gjitha zgjedhjet janë fituar në temën e Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër, qytetarëve të Serbisë më shumë u interesojnë integrimet evropiane sesa Kosova”, thotë Joksimoviq.

Ivan Vejvoda, drejtor i Institutit Ballkanik për Demokraci, thekson se përkundër bashkëpunimit të vendosur me EULEX-in, kthimit të policëve serbë në Policinë e Kosovës dhe bashkëpunimit në kontrollin e kufirit administrativ të Kosovës, gjërat do të qartësohen pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

“Më duket se mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë do të jetë pika kthesë, pas së cilës do të fillojë një shthurje e çështjes së Kosovës. Presidenti Tadiq në disa raste ka folur për nevojën e fleksibilitetit më të madh dhe ka thënë se 2010-ta do të jetë vit i fillimit të zgjidhjes dhe se Serbia dëshiron të jetë pjesë e asaj që do të pasojë”, thotë Vejvoda për Radion Evropa e Lirë.

Ministri i Jashtëm, Vuk Jeremiq, dhe presidenti Boris Tadiq thonë se presin që pas vendimit të GJND-së, të mund të rihapen bisedimet për statusin e Kosovës. Por, a janë reale pritjet e këtilla të Beogradit?

“Madje edhe në qoftë se mendimi i GJND-së do të jetë plotësisht në anën e Serbisë, pra Gjykata të thotë se shpallja e pavarësisë nuk ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare, kjo nuk do ta ndryshojë situatën në terren dhe asnjë nga 65 vendet që e kanë njohur Kosovën, nuk do ta tërheqin vendimin e tyre. Duhet ta kemi parasysh se këtu janë 22 vende anëtare të BE-së që kanë njohur Kosovën, me të cilat ne bisedojmë çdo ditë nga mëngjesi deri në darkë dhe te të cilat synojmë të anëtarësohemi”
, thotë Vejvoda.

Kohë më parë, shefi i diplomacisë, Jeremiq, deklaroi se nëse Serbia duhet të zgjedhë ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës, atëherë do ta zgjedhë Kosovën. A do të thotë kjo se Kosova është prioritet?

“Kam frikë se kjo lloj retorike shkakton mëdyshje. Jam dakord se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe asnjë vend që e ka njohur, nuk do ta tërheqë vendimin. Unë nuk e kam të qartë përse Serbia e vë çështjen e njohjes së Kosovës si kusht për integrimet evropiane të saj?! Mendoj se kjo retorikë mund të shkaktojë revoltë te disa vende të BE-së, që një ditë vërtet të na dilet me një kërkesë të tillë”, thotë Joksimoviq.

Vejvoda konsideron se është me rëndësi që Prishtina dhe Beogradi kanë thënë se të gjitha pyetjet do t’i zgjidhin vetëm në mënyrë diplomatike dhe legale.

“Evropa nuk dëshiron një Qipro tjetër. Mendoj se ai nuk është shembulli që duhet ta ndjekim. Në vend të kësaj, problemin duhet ta zgjidhim në mënyrë evropiane. Dialogu është absolutisht i domosdoshëm. Prandaj, mendoj se së shpejti, për katër apo gjashtë muaj, do t’i shohim zyrtarët më të lartë të Serbisë dhe të Kosovës në të njëjtën sallë, megjithëse kjo nga perspektiva e tashme duket e pamundur”, shprehet Vejvoda.

Bashkimi Evropian insiston për bashkëpunimin rajonal të vendeve të Ballkanit Perëndimor, por kjo është e pamundur të realizohet, për shkak të reagimit të Serbisë ndaj çdo veprimi të vendeve fqinje, që e trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur.

Është fakt që Beogradi, sa i përket njohjes së Kosovës, ka qëndrim shumë më të ashpër ndaj vendeve fqinje sesa vendeve të tjera. Kjo e vështirëson bashkëpunimin dypalësh dhe atë rajonal, sidomos pjesëmarrjen në takimet rajonale, sepse Serbia nuk dëshiron të paraqitet në tubimet ku udhëheqësit e Kosovës marrin pjesë si përfaqësues të shtetit të pavarur. Në këtë kuptim, mund të paraqitet problemi i vetizolimit”, thotë Joksimoviq.

Sipas saj, udha pa krye e Beogradit pasqyrohet në faktin se elitat politike dhe një pjesë e opinionit janë të ndarë rreth çështjes së Kosovës.

“Do të thosha që kur është fjala për Kosovën, nevojitet një guxim i madh që të dilet para qytetarëve dhe të tregohet gjendja reale. Unë, sinqerisht, shpresoj se do të kemi mjaft guxim, që të ballafaqohemi me faktin se 10 vjet ne nuk kemi sovranitet dhe asnjë kompetencë në Kosovë. Fundja, nëse para qytetarëve të Serbisë do të shtrohej alternativa ‘Kosova apo Bashkimi Evropian’, besoj që Bashkimi Evropian do të fitonte”,
thotë Joksimoviq për Radion Evropa e Lirë. (v.p.)

Komentet (3)

Ky forum është mbyllur
XS
SM
MD
LG