Ndërlidhjet

Përfitimet nga traktati SHBA-Rusi


Presidentët Barak Obama dhe Dmitri Medvedev.
Më në fund, Moska dhe Uashingtoni janë pranë nënshkrimit të një traktati të ri për reduktimin e armëve bërthamore.

Sipas ekspertëve, përfitimet nga pakti do të mund të shtrihen edhe përtej kontrollit të armatimit.

Steven Pifer, ish-zyrtar i Departamentit të Shtetit, thotë se pakti i ri START duhet të çojë në një marrëdhënie më konstruktive SHBA-Rusi, me përfitim nga të dyja palët.

“Nëse hidhni një vështrim mbrapa të marrëdhënieve SHBA-Rusi, do të vini re progres në kontrollin e armëve me ndikim më të gjerë. Ndonjëherë, ky ndikim mund të jetë jetëshkurtër, por tenton t’i japë një shtysë”, thotë Pifer.

Presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, dhe homologu i tij, Dmitri Medvedev, kanë planifikuar të zhvillojnë një bisedë telefonike për t’i zgjidhur detajet përfundimtare të paktit. Nënshkrimi pritet të bëhet në fillim të prillit, në Pragë.

Sipas Piferit, shpresa në Uashington është që marrëveshja e çarmatimit do të çojë në ndihmën më të madhe ruse në çështjet me interes të SHBA-ve.

Analisti në Moskë, Aleksander Golts, thotë se pakti krijon mundësi bashkëpunimi në shumë sfera.

“Nuk mendoj se është ide e mirë të fillohet riorganizimi i marrëdhënieve SHBA-Rusi me traktatin START, pasi kjo na vendos disi në një mjedis të një lloj lufte të ftohtë. Por, fakti se ata me sukses kanë plotësuar traktatin, krijon mundësinë për bashkëpunim në shumë sfera, përfshirë Afganistanin dhe Iranin”, thotë Golts.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Rusi, Andrei Nesterenko, thotë se Moska është e hapur ta mbështesë një raund të ri të sanksioneve të OKB-së ndaj Teheranit.

“Nëse nuk ka përmirësim të dukshëm në këtë drejtim, nuk e përjashtojmë mundësinë të vëmë presion shtesë mbi iranianët me anë të sanksioneve”
, thotë Nesterenko.

Pifer thotë se, muajt e fundit, Rusia është treguar e hapur në mbështetjen e sanksioneve kundër Iranit.

“Mendoj se Rusia po u përgjigjet në njëfarë mënyre ndryshimeve në marrëdhëniet me SHBA-të. Pjesë e kësaj është se edhe ata janë të pakënaqur me Teheranin. Rusët janë të përgatitur për të shkuar më tej, krahasuar me gjashtë muaj më parë, dhe ky është zhvillim i mirë”, thotë Pifer.

Firmosja e traktatit të ri START, e planifikuar në fillim të prillit, i bie pak përpara konferencës në Uashington për sigurinë e armëve bërthamore.

“Kjo do të forcojë dorën e administratës, pasi mesazhi është: ne po bëjmë pjesën tonë, ne po i reduktojmë armët bërthamore”.

“Kjo nuk do ta bindë Korenë e Veriut ose Iranin që të tërhiqen nga programet e tyre. Por, do të ndihmojë në krijimin e më shumë barrierave, duke i dhënë të drejta inspektimi Agjencisë Kombëtare të Energjisë Atomike, që krijon më shumë pengesa për aspirantët bërthamorë”
, thotë Pifer. (a.ç.)
XS
SM
MD
LG