Ndërlidhjet

Aksidentet me fatalitet në rritje


Fotogarfi ilustruese
Fotogarfi ilustruese
Statistikat zyrtare të Policisë së Kosovës tregojnë se aksidentet me fatalitet në vitin 2010 kanë shënuar rritje drastike, derisa numri i aksidenteve në përgjithësi ka shënuar rënie.

Brahim Sadriu, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se që nga fillimi i këtij viti, numri i të vdekurve në aksident trafiku është 42, ndërkohë që numri i rasteve të lëndimeve të personave në rast aksidenti është 804.

“Sa u përket aksidenteve të trafikut në vitin 2010, kemi pasur gjithsejtë 42 aksidente me fatalitet, 804 aksidente me lëndime dhe 2192 aksidente me dëme materiale”
, njofton Sadriu.

Sipas zotit Sadriu, në krahasim me të dhënat në vitin 2009, për të njëjtën periudhë kohore, numri i aksidenteve me fatalitet është shumë më i madh.

Eksperti i shkencave të komunikacionit, Arif Krasniqi, shpjegon disa nga faktorët që ndikojnë në rritjen e numrit të aksidenteve, që përfundojnë me fatalitet:

Shkaktarët që ndikojnë në aksidente të komunikacionit janë shumë. Njeriu është përgjegjësi kryesor, duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, rregullat që janë të obligueshme të respektohen”.

Zoti Krasniqi thotë se faktori thelbësor që ka ndikuar në rritjen e fataliteteve në aksidente, është mungesa e sinjalizimeve në rrugët e Kosovës.

Bafti Aliu, taksist, mendon se në rrugët Prishtinës mungojnë sinjalizimet. Ai thotë se ka nevojë për më shumë sinjalizime, posaçërisht për këmbësorët.

“Ka nevojë për shenja, ka nevojë për zebra. Në lagjen Emshir është shumë rrezik, çdo ditë i shkelin këmbësorët, sepse nuk ka shenja”
, thotë ai.

Në anën tjetër, Arbër Beka, nga Policia e Kosovës, thotë se autoritetet e rendit po përpiqen ta trajtojnë këtë problem dhe në këtë kuadër kanë hartuar planin operativ policor “Të shpëtojmë jetë”.

“Qëllimi është parandalimi i aksidenteve fatale. Do të kërkojmë bashkëpunim më të mirë me qytetarë dhe me gjithë pjesëmarrësit rrugorë. Do të ketë pika të shtuara kontrolli, sidomos për matjen e shpejtësisë dhe tejkalimet e parregullta. Në këtë mënyrë, do të zbatohet pjesa e Ligjit për sigurinë e komunikacionit rrugor, që është aprovuar dy vjet më parë”
, thekson Beka.

Sipas zotit Beka, në kuadër të këtij plani, Policia e Kosovës do të ketë angazhime në fushën e marrëdhënieve me publikun, për ta rritur nivelin e vetëdijesimit mbi këtë çështje.
XS
SM
MD
LG