Ndërlidhjet

Rebelët e Kaukazit të Veriut dyshohen për shpërthimet


Moskë, 29 mars 2010.
Moskë, 29 mars 2010.

Kreu i Shërbimit Federal të Sigurisë, Aleksandër Bortnikov, tha se rebelët në rajonin e Kaukazit të Veriut dyshohen se kanë vënë dy bombat në metronë e Moskës, ku mbetën të vdekur të paktën 36 persona dhe mbi 50 të tjerë u plagosën.

“Teoria jonë paraprake është se këto sulme terroriste janë kryer nga grupet terroriste, të lidhura me rajonin e Kaukazit të Veriut. Ne, këtë e konsiderojmë si teori kryesore”, tha Bortnikov.

Presidenti Medvedev urdhëroi që të rritet siguria në transport dhe u zotua se do ta vijojë deri në fund luftën kundër terrorizmit.

“Ne do të qëndrojmë në rrugën e shtypjes së terrorit në vendin tonë. Do t’i vazhdojmë operacionet kundër terroristëve pa hezitim dhe deri në fund”, tha Medvedev.

Dëshmitarët në vendngjarje rrëfyen momentin kur ndodhën dy shpërthimet në stacionet Lubjanka dhe Parku i Kulturës.

“Në momentin e shpërthimit po vija nga Kuznetski i stacionit Lubjanka. Dëgjova një zhurmë kur po merrja shkallët e lëvizshme. Më pas, një re tymi nga lart mbuloi shkallët”.

“Njerëzit nisën të vraponin, shtynin njëri-tjetrin, disa rrëzoheshin. Unë gjithashtu vrapova dhe dola jashtë sheshit Lubjanka. Atje ndodheshin një numër i madh pajisjesh, makina policie, zjarrfikësesh”, tha një dëshmitar.

Viktor Lliukin, ish-kreu i Komitetit të Sigurisë, hodhi dyshimin se shpërthimet janë të lidhura me udhëheqësit militantë të Kaukazit Verior.

“Mendoj se për disa arsye ka lidhje direkte midis shpërthimeve në Moskë dhe ngjarjeve në Kaukazin e Veriut”.

“Shërbimi Federal i Sigurisë, së bashku me Ministrinë e Brendshme, ka kryer një seri operacionesh të suksesshme në Kaukazin e Veriut, ku disa krerë të udhëheqjes militante janë vrarë. Mendoj se këta banditë sot po marrin hak ndaj nesh”
, tha Lliukin.

Vetëm gjatë marsit, në Kaukazin e Veriut janë vrarë dy udhëheqës të militantëve.

Asnjë grup ende nuk ka marrë përsipër përgjegjësinë e shpërthimeve. Analisti politik, Vladimir Pribilovski, tha për Radion Evropa e Lirë se duhet të pritet që dikush të marrë përgjegjësinë.

“Ne duhet të presim dhe të shohim nëse dikush e merr përgjegjësinë. Por, kjo nuk do të provojë asgjë. Marrja e përgjegjësisë mund të merret nga ata, të cilët realisht qëndrojnë pas shpërthimeve ose nga ata që janë të interesuar në rritjen e profilit të tyre”, tha Pribilovski.

Shpërthimet e sotme ishin sulmet më vdekjeprurëse në Rusi jashtë rajonit të Kaukazit Verior, që nga sulmi ndaj dy aeroplanëve udhëtarësh në vitin 2004, kur u vranë 72 persona. (a.ç.)

* * * * * * * * * * * * * * *


Të paktën 36 njerëz u vranë sot nga ato që autoritetet ruse i quajtën sulme të ndara me bomba në trenat e metrosë.

Vladimir Markin, zëdhënës i komitetit hetues të prokurorëve, tha se janë ndërmarrë hetime terroriste për shpërthimet në stacionet Lubjanka dhe Parku i Kulturës.

Kryebashkiaku Juri Luzhkov tha se dy gra besohet se e kanë hedhur veten në erë, sapo kanë hyrë në tren.

“Sipas raporteve të para që i morëm nga Shërbimi Federal i Sigurisë, FSB, janë përfshirë dy sulmuese vetëvrasëse. Ato tashmë janë identifikuar”, tha Luzhkov.

Zyrtarët për zbatimin e ligjit mendojnë se gratë e kishin fshehur eksplozivin në trupin e tyre.

Korrespondenti i Radios Evropa e Lirë, Maksim Jaroshevski, foli me kryeprokurorin e Moskës afër skenës së shpërthimit në stacionin e metrosë Lubjanka.

“Sipas Juri Sjominit, kryeprokuror i Moskës, shpërthimi në stacionin Lubjanka ndodhi në orën 7:52, sipas kohës së Moskës, dhe u krye nga një sulmues vetëvrasës, i cili e kishte fshehur eksplozivin në trup, afro tre kg TNT”
, tha Jaroshevski.

Markin tha se sulmuesi i parë e aktivizoi eksplozivin në vagonin e dytë, në çastin kur treni hyri në stacionin Lubjanka.

Zyrtarët thanë se të paktën 22 njerëz vdiqën dhe rreth 18 u plagosën në shpërthimin në stacionin Lubjanka. Pamjet nga kamerat treguan kufoma që shtriheshin në stacion.

Shpërthimi i dytë ndodhi në vagonin e dytë të trenit që mbërriti në stacionin Parku i Kulturës, gjysmë ore më vonë. Të paktën 12 njerëz u vranë dhe 15 u plagosën nga shpërthimi.

Shërbimi rus i Radios Evropa e Lirë raportoi se ambulancat dhe zjarrfikësit e kishin të vështirë të arrijnë në vendin e ngjarjes, për shkak të trafikut të dendur.

Irina Andrianova është zëdhënëse e Ministrisë për Situata Emergjente.

“Të plagosurit u dërguan në spitale. Dy helikopterë të Ministrisë së Emergjencës po i dërgojnë të plagosurit në spitalet e qytetit”, tha Andrianova.

Zëdhënësi i kryeministrit Vladimir Putin tha se kryeministri ndodhej në Siberi në kohën e shpërthimeve dhe se është informuar për zhvillimet.

Asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimet. Por, dyshimet me gjasë do të bien mbi grupet militante nga rajoni rus i Kaukazit Verior, ku Kremlini po lufton kryengritjen islamiste në rritje.

Shpërthimet e sotme ishin sulmet më vdekjeprurëse në Rusi jashtë rajonit të Kaukazit Verior, që nga sulmi ndaj dy aeroplanëve të udhëtarëve në vitin 2004, kur u vranë 72 njerëz. Të dy aeroplanët kishin fluturuar nga aeroporti ndërkombëtar i Moskës.

Sulm tjetër terrorist ishte ai i 27 nëntorit, 2009, në trenin e udhëtarëve në linjën Moskë-Shën Petersburg, kur u vranë 26 vetë dhe u plagosën 100.

Herën e fundit, Moska u godit nga një valë sulmesh terroriste në gusht, 2004, kur një sulmues vetëvrasës e hodhi veten në erë para një stacioni të metrosë, duke marrë jetën e 10 njerëzve. (v.p.)


Sulmet në Moskë
Ju lutem prisni
Embed

No media source currently available

0:00 0:01:22 0:00

XS
SM
MD
LG