Ndërlidhjet

Irani shpreson te Kina



Kryenegociatori i Iranit po viziton Pekinin, për të biseduar me zyrtarët kinezë mbi çështjen bërthamore të Iranit.

Vizita e Said Xhalilit vjen pas raporteve se Kina është dakorduar të marrë pjesë në negociatat me fuqitë perëndimore dhe Rusinë, për një raund të ri sanksionesh të Kombeve të Bashkuara kundër Republikës Islamike, për shkak se Teherani e refuzon bashkëpunimin mbi programin e vet bërthamor.

Me të arritur në Pekin, Xhalili tha se marrëdhëniet mes Iranit dhe Kinës janë “shumë të rëndësishme”. Ai nuk dha informata të tjera për praninë e tij në Kinë, por në Nju Jork u raportua se Kina i ka dhënë fund kundërshtimit të saj ndaj bisedimeve për sanksione të reja kundër Iranit.

Ambasadorja amerikane në OKB, Susan Rajs, i tha rrjetit televiziv CNN se Kina është dakorduar të “ulet dhe të fillojë negociata serioze” me anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermaninë, si “hap i parë” drejt “vendosjes së regjimit të sanksioneve më të ashpra” kundër Iranit.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, tha se përgatitjet do të bëhen shpejt.

“Do të ketë mjaft konsultime shtesë, jo vetëm nga anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit plus Gjermania, por edhe nga vendet tjera anëtare të këshillit, gjatë javëve të ardhshme”, tha Klinton.

Fuqitë perëndimore besojnë se Irani përpiqet të zhvillojë armë bërthamore, gjë që Teherani e mohon.

Rusia dhe Kina, sidomos Pekini, një kohë të gjatë kanë ngurruar të ndërmarrin hapa të tjerë kundër Iranit, i cili tashmë ndodhet nën tre raunde sanksionesh.

Por Moska, me siguri e frustruar nga mospërfillja e Iranit, tash është e gatshme të bisedojë. Kështu, mbetet vetëm Kina, dhe nëse komentet e ambasadores Rajs janë të vërteta, atëherë duket se edhe Pekini është bashkëngjitur.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme në Pekin, Kjin Gang, tha sot se vendi i tij synon një “zgjidhje të drejtë” për problemin, megjithëse nuk konfirmoi nëse kjo i përfshin edhe sanksionet.

“Kina është e shqetësuar mjaft nga çështja bërthamore e Iranit. Ne kemi qenë në kontakt me të gjitha palët relevante për ta shtyrë përpara zgjidhjen diplomatike të çështjes dhe për të bërë progres”, tha Kjin Gang.

Xhozef Çeng, profesor i shkencave politike nga Universiteti i Qytetit të Hong Kongut, e shpjegoi dilemën me të cilën ballafaqohet Kina, për t’iu bashkëngjitur vendosjes së rrethit të ri të sanksioneve.

“Në njërën anë, Kina sigurisht që dëshiron të shihet si fuqi e përgjegjshme botërore, sidomos nga fakti se Qeveria e Rusisë ka ardhur në një vijë me Amerikën. Por, kuptohet që Kina ka edhe interesa të rëndësishme të naftës në Iran, prej nga vjen 10 për qind e importit kinez”.

“Nga ana tjetër, Kina dëshiron të shihet si kampion i interesave të fuqive islamike dhe të botës së tretë në përgjithësi”
, tha Çeng. (v.p.)
XS
SM
MD
LG