Ndërlidhjet

(Mos)Integrimi i romëve


Kamp në Mitrovicë
Kamp në Mitrovicë


Komuniteti rom, ai ashkali dhe komuniteti egjiptas në Kosovë, ballafaqohen me probleme nga më të ndryshmet, duke filluar nga arsimimi e deri te punësimi, thonë përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje.



Bekim Syla, drejtor i organizatës joqeveritare lokale për këto tri komunitete, thotë se me gjithë përpjekjet e institucioneve kompetente për të përmirësuar gjendjen e tyre, ato ende jetojnë në kushte shumë të vështira.

Në kuadër të këtyre përpjekjeve, Syla thotë se autoritetet tashmë kanë hartuar strategjinë për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe atij egjiptas, por zbatimi i saj ende mungon.

“Shkollimi, punësimi dhe gjendja ekonomike janë shumë të vështira. Komuniteti egjiptas dhe ai ashkali janë më të integruar, por edhe tek ata papunësia është e madhe - deri 97 për qind. Shkollimi te romët është shumë i dobët, vështirë integrohen në shkollë”,
thotë Syla.

Fatmire Mula, qytetare e përkatësisë rome jeton në Obiliq. Ajo thotë se jeta e saj është shumë e vështirë, pa punë dhe pa të ardhura financiare.

“Jetoj në Obiliq, jam e martuar, i kam tre fëmijë. Kushtet i kam shumë të vështira, nuk punoj askund
”, shprehet kjo qytetare.

Por, Bekim Syla thekson se organizata, në të cilën punon ai, bën përpjekje të vazhdueshme për integrimin e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas në shoqërinë kosovare.

Sipas tij, në Kosovë jetojnë gjithsej 18 mijë romë, ndërsa 32 mijë janë egjiptas dhe ashkali.

“Kjo organizatë ka marrë pjesë në draftin e strategjisë së hartuar nga Qeveria e Kosovës, në mënyrë që të arrihet implementimi. Mirëpo, sa do të zbatohet kjo, varet nga Qeveria”
, thekson Syla.

Në anën tjetër, Danush Ademi, nga radhët e komunitetit rom, deputet në Kuvendin e Kosovës, thotë se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptas është anashkaluar nga investimet e institucioneve kosovare.

“Ky komunitet ka qenë i anashkaluar, sidomos në institucionet qendrore. Jemi duke negociuar me persona qeveritarë dhe kemi përgatitur një projekt, për ndërtimin e disa shtëpive në lagje, për disa familje që jetojnë në kushte të vështira. Qeveria ka investuar vetëm në komunitetin serb, duke e anashkaluar kështu komunitetin rom, ashkali e egjiptas”,
shpjegon Ademi.

Albertina Binaku, drejtoreshë e Agjencisë Kosovare për Avokim dhe Zhvillim, thotë se për këto tri komunitete ka disa programe që ndihmojnë integrimin e tyre në shoqëri.

“Jemi duke implementuar projektin për krijimin e një qendre për komunitetet, të cilat kthehen në Roma-Mahallë, që të krijojnë biznese të vogla, në mënyrë që të përfitojnë sado pak për ekzistencë”
, thotë Binaku.

Memli Krasniqi, zëdhënës në Qeverinë e Kosovës, thotë se kanë ndërmarrë një sërë hapash konkretë për integrimin e komuniteteve në shoqërinë kosovare.

Më herët është miratuar edhe strategjia, e cila, sipas Krasniqit, është duke u implementuar nga organet përkatëse

“Janë paraparë një sërë masash në fushën e arsimit, punësimit dhe në fusha tjera relevante. Edhe zyra për çështje të komuniteteve ka ndërmarrë një mori hapash në funksion të ndërtimit të infrastrukturës”.

“Ndërsa, problemi i vjetër, i trashëguar, që ndërlidhet me prezencën ende të qëndrimit të tyre në kampet Osterod dhe Çesmenlluk, është që ata të kthehen sa më parë në ish-vendbanimet e tyre”,
përfundon Krasniqi.
XS
SM
MD
LG