Ndërlidhjet

Deklarimi i pasurisë së zyrtarëve


Drejtues të Agjencisë Kosovare Kundër-Korrupsion thonë se pasurinë e tyre pritet ta deklarojnë më shumë se 1,500 zyrtarë publikë. Sipas tyre, afati i fundit për këtë është 2 prilli, ndërsa publikimi i të dhënave do të bëhet më vonë.



Më shumë se 1,500 zyrtarë publikë, sipas drejtuesve të Agjencisë Kosovare Kundër-Korrupsion, pritet që ta deklarojnë pasurinë e tyre.

Afati i fundit për deklarimin e pasurisë, sipas drejtuesve të Agjencisë Kosovare Kundër-Korrupsion, ka qenë 31 marsi, por drejtori i AKK-së, Hasan Preteni, bën të ditur se ky afat është shtyrë deri më 2 prill.

Sipas Pretenit, interesimi i zyrtarëve për deklarimin e pasurisë është i madh, megjithatë ai dyshon se të gjithë zyrtarët do ta deklarojnë pasurinë e tyre.

“Jam shumë i bindur se qind për qindëshi nuk do të kryhet dhe gjithçka do të bëhet publike tani; edhe ligji është ai që jep shumë më tepër transparencë, që agjencinë e obligon me disa detyra të tjera
”.

“Por, gjithçka në dobi të transparencës do të realizohet në afatet e përcaktuara me ligj edhe qytetarët do të njoftohen saktësisht kush sa ka deklaruar dhe kush nuk e ka deklaruar”,
shprehet Preteni.

Drejtori i Agjencisë Kosovare Kundër-Korrupsion thotë se gjatë muajit prill do të përfundojë pjesa teknike e përgatitjes së të dhënave për deklarimet e pasurisë së zyrtarëve, kurse publikimi i tyre do të bëhet më vonë.

“Ky proces po rrjedh edhe sot. Neve na duhen disa ditë që t’i sistemojmë, sepse, shumicën e rasteve, deklarimi i pasurisë është sjellë jo nga individë të caktuar, por në grupe. Kështu që kemi disa aktivitete që kanë të bëjnë me sistemimin e tyre. Procesi është në vijim dhe interesimi është i madh”
, deklaron Preteni.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për deklarimin e pasurisë, zyrtarët nga AKK-ja konsiderojnë se do të jetë një hap tjetër drejt parandalimit dhe luftimit të korrupsionit në Kosovë.

"Është një aktivitet, mendoj, shumë i mirë në drejtim të parandalimit të korrupsionit”
, thekson Preteni.

Por, nga ana tjetër, Avni Zogiani nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet, “Çohu”, thotë se deklarimi i pasurisë së zyrtarëve publikë nuk do të ndihmojë asgjë në uljen e korrupsionit në vend.

“Nuk ekziston mundësia që këta persona, që nuk e deklarojnë pasurinë e tyre, të kalojnë eventualisht në ndjekje penale - kjo është një. Kurse, ne nuk kemi mekanizëm që i mundëson cilitdo prej institucioneve vendore që t’i verifikojë deklarimet e pasurisë”.

“Do të thotë, ata deklarojnë diçka, edhe ne e kemi të pamundur që ta verifikojmë se deklarimi i përgjigjet situatës reale”
, thotë Zogiani.

Ligji për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë parasheh edhe dënime për personat, të cilët nuk e deklarojnë pasurinë.

Sipas Pretenit, dënimi më i madh për një person që nuk e deklaron pasurinë, përveç publikimit të emrit, mund të jetë gjoba deri në 1,500 euro.

Kurse, për një gjë të tillë, Avni Zogiani, nga organizata “Çohu”, thotë:

“I gjithë legjislacioni anti-korrupsion është përcjellë me një trend të sanksioneve aq të dobëta, sa që e bën më të leverdishme thyerjen e ligjit dhe pagesën e sanksioneve, sesa respektimin e tyre”.


Ligji për deklarimin dhe prejardhjen e pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë, rregullon kontrollin publik të pasurisë, të hyrat dhe përfitimet e tjera materiale.

Ligji obligon të gjithë zyrtarët që të deklarojnë pasurinë e tundshme, atë të patundshme, paratë e gatshme nëpër banka, aksionet në shoqëri komerciale, letra me vlerë, para të gatshme në institucionet kreditore, borxhet, të hyrat vjetore si dhe prejardhjen e tyre.
XS
SM
MD
LG