Ndërlidhjet

Papa: Pashkët sjellin faljen, mirësinë dhe të vërtetën


Papa Benedikti XVI
Papa Benedikti XVI

Në mesazhin me rastin e Pashkëve, Papa Benedikti XVI ka kërkuar “ndryshim shpirtëror dhe moral”, për dalje nga “kriza e thellë”. Por, Papa nuk e ka përmendur skandalin me abuzimet e fëmijëve nga priftërinjtë. Pashkët shënohen edhe në Kosovë.



Në mesazhin e tij me rastin e Pashkëve, Papa Benedikti XVI tha se kjo festë sjell faljen, mirësinë dhe të vërtetën në botën që po vuan.

Mesazhi tradicional i Pashkëve “Urbi et Orbi” në Sheshin e Shën Pjetrit, është njëri nga dy fjalimet kryesore, me të cilin Papa i drejtohet opinionit në mbarë botën, dy herë gjatë vitit.

Papa, 82-vjeçar, theksoi se “njerëzimit i duhet një ndryshim shpirtëror dhe moral” dhe shtoi se kjo është e nevojshme “për të dalë nga kriza e thellë, e cila kërkon ndryshime të thella, duke filluar nga ndërgjegjet”.

Por, Papa në mesazhin e tij nuk e përmendi skandalin me abuzimet e fëmijëve nga priftërinjtë, që po e dëmtojnë atë dhe Kishën Katolike.

Mesazhit të sotëm të Papës i parapriu mesha e kardinalit të lartë Angelo Sodano, i cili i tha Atit të Shenjtë se “Kisha është me të”

“Sot, përmes meje, e tërë Kisha njëzëri dëshiron të thotë: Pashkë të lumtura i dashuri Atë i Shenjtë”,
tha kardinalo Sodano, para se Papa ta thoshte mesazhin e tij për Pashkët.

Sodano theksoi se populli i Zotit është me të dhe se nuk do të lejojë që të bjerë “nën provokimet momentale, që ndonjëherë e godasin bashkësinë e besimtarëve”.



* * * * *
Të Krishterët në mbarë botën sot festojnë Pashkët. Të krishterët besojnë se Pashkët shënojnë ditën kur Jezu Krishti ishte ringjallur, pasi i kishte kaluar tri ditë i vdekur në varrin e tij.

Në deklaratën e tij për këtë festë, presidenti amerikan, Barak Obama, i fton popujt e të gjitha religjioneve, që t’i përqafojnë aspiratat e përbashkëta dhe “frymën e përbashkët të njerëzimit”.

Në Moskë, në mesazhin e tij për Pashkët, presidenti i Rusisë, Dmitri Medvedev, e ka theksuar faktin se këtë vit, besimtarët protestantë, katolikë dhe ortodoksë, po festojnë në të njëjtën ditë.

Festa e Pashkëve shënohet edhe në Kosovë. (f.b.)
XS
SM
MD
LG