Ndërlidhjet

Gjendja sociale përballë integrimeve evropiane


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Integrimi në BE mbetet sfidë për Kosovën, thanë autoritetet kosovare. Përkundër përkrahjes së theksuar të faktorit ndërkombëtar, gjendja e rëndë sociale në vend shihet si faktor që mund të ndikojë në ngecjen e proceseve integruese.



Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës rikonfirmuan angazhimin serioz dhe profesional të të gjithë faktorëve relevantë të vendit në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se integrimi në BE është një sfidë shumë e rëndësishme për Kosovën. Megjithatë, ai theksoi edhe përkrahjen e faktorit ndërkombëtar në këtë drejtim.

Integrimi në Bashkimin Evropian ka qenë, është dhe do të mbetet një sfidë jashtëzakonisht e rëndësishme, qëllim i yni dhe natyrisht kërkon përgjegjësi, kërkon edhe kohë, edhe përkushtim të gjithanshëm. Në këtë drejtim, ne kemi përkushtimin tonë të plotë, por edhe mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe gjithë botës demokratike”, tha Thaçi.

Nga ana tjetër, Mytaher Haskuka, drejtues i sektorit të politikave në Programin për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara - UNDP, përmendi gjendjen e rëndë sociale dhe varfërinë si faktorë, që, sipas tij, mund të ndikojnë në vonesat eventuale për liberalizimin e vizave dhe integrimin në BE.

“Është e vërtetë se momentalisht kemi një papunësi dhe varfëri të madhe dhe kjo nuk perceptohet në mënyrë të mirë nga pjesëtarët e Bashkimit Evropian”,
tha Haskuka.

Por, ministri i Integrimeve, Besim Beqaj, hodhi poshtë zërat se gjendja sociale në vend mund të ndikojë në ngadalësimin e procesit të liberalizimit të vizave. Ai madje shprehu bindjen se liberalizimi nuk do të shkaktojë migrim të popullatës.

“Nuk mendoj se (papunësia) do të ishte problem i drejtpërdrejtë për liberalizimin e vizave, sepse papunësia është problem edhe i vendeve të rajonit. Pastaj, procesi i liberalizimit të vizave i ka edhe ato limitet e veta ligjore, të cilat, në momente të caktuara, tregojnë që njerëzit mund të udhëtojnë, por nuk kanë leje pune”
, sqaroi Beqaj.

Ministri Beqaj vlerësoi se liberalizimi i vizave do të ketë ndikim edhe në mirëqenen e qytetarëve si dhe në zhvillimin ekonomik të vendit. Por, sipas tij, janë shumë çështje në këtë drejtim, të cilat duhet të rregullohen me urgjencë.

Në raport me procesin e liberalizimit të vizave, në raport me integrimin në Bashkimin Evropian, sigurisht se duhet të tregohet përkushtim, që ekonomia, punësimi dhe mirëqenia e qytetarëve të ngrihen”.

“Ky është një proces shumë kompleks, me të cilin duhet të merremi. Ne, si Ministri për Integrim, nuk mund të bëjmë hapa vetë në këtë drejtim, sepse nuk jemi të thirrur për të krijuar politika makro-ekonomike”
, tha Beqaj.

Ndryshe, si pengesë e mundshme për integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian përmendet edhe mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga pesë vende të këtij unioni.
XS
SM
MD
LG