Ndërlidhjet

Funksionalizimi i dialogut social


Prishtinë
Prishtinë

Me gjithë kundërshtimet e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), konstituimi i Këshillit Ekonomik Social (KES), i cili është bërë dy ditë më parë, ka krijuar të gjitha kushtet për fillimin e dialogut social, vlerëson kreu i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe përfaqësuesi i Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës.

Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se Këshilli Ekonomik Social tashmë është konstituuar dhe se ai ka filluar punën.

“Ky Këshill e ka rolin këshillëdhënës. Do të thotë, duhet të ketë një mirëkuptim në mes të partnerëve të Këshillit Ekonomik Social dhe të ketë propozime konkrete për Qeverinë se çka mund të bëjë ajo për interesat e punëtorëve dhe për interesat e ndërmarrjeve private dhe publike”,
thotë Rashiq.

Por, nismën e punës së Këshillit Ekonomik Social ndryshe e sheh Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. BSPK-ja ka refuzuar të marrë pjesë në këtë këshill, për shkak se ajo ka konsideruar veten se aktualisht është i vetmi partner që i plotëson kriteret për përfaqësim të punëtorëve në Këshill.

Xhafer Xhaferi, nënkryetar i BSPK-së, thotë se, me gjithë konstituimin e Këshillit Ekonomik Social, ai nuk është funksional.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale thotë se më në fund po funksionalizohet Këshilli Ekonomik Social, por kjo nuk është e vërtetë. Funksionalizimi as që është dhe as që do të jetë në të ardhmen, sepse aty nuk e kemi përfaqësuesin e punëtorëve”.

“Thjesht, Qeveria nuk është e interesuar që të zhvillojë një dialog të mirëfilltë, për çka jemi angazhuar dhe të cilin e kemi kërkuar vazhdimisht si BSPK. Faktikisht, mund ta kryejë një aktivitet, por ai nuk mund ta kryejë atë aktivitet për çka edhe është themeluar”
, shprehet Xhaferi.

Megjithatë, ai nuk përjashton pjesëmarrjen e BSPK-së në Këshillin Ekonomik Social, në rast se, siç thotë, kjo sindikatë përfaqësohet me 5 anëtarë. Por, përfaqësimi i BSPK-së me këtë numër do ta nxirrte jashtë këshillit Konfederatën e Sindikatave të Lira të Kosovës.

Ali Dragusha, përfaqësues i kësaj konfederate të sindikatave, kundërshton një gjë të tillë dhe thotë se deklaratat e BSPK-së se në Këshill nuk ka përfaqësues të punëtorëve, janë të paqëndrueshme.

“Duhet ta kemi të qartë se çështja e monopolit dhe e monizmit ka përfunduar njëherë e përgjithmonë. Ndërsa, nga ana tjetër, është çështje e shprehjes së demokracisë dhe vullnetit të subjekteve se a dëshirojnë të kyçen në një organizëm apo jo”.

“Ne mendojmë se do të funksionojë, gjithsesi për arsyen se aty kemi 9 subjekte juridike dhe 8 prej tyre janë të vullnetit që të marrin pjesë dhe ta fuqizojnë këtë organ. Po ashtu, kemi 15 anëtarë, 12 prej të cilëve janë të vullnetit për të marrë pjesë dhe unë nuk besoj se ka diku ndonjë vend demokratik, ku, për shkak të 3 pjesëmarrësve, të bojkotohet dhe të mos ketë sukses”
, thotë Dragusha.

Ndërkaq, ministri Rashiq thotë se, me gjithë faktin se prania e BSPK-së në Këshillin Ekonomik Social është e dëshirueshme, mungesa e saj ne Këshill nuk e pengon atë që ta zhvillojë aktivitetin.

“Teknikisht, Këshilli mund të funksionojë me tetë anëtarët e tij. Por, normalisht që ne preferojmë t’i kemi të gjithë ata partnerë brenda Këshillit Ekonomik Social. Unë shpresoj sinqerisht që në të ardhmen edhe BSPK-ja do të jetë pjesëmarrëse e Këshillit”.

“Tash i kemi 4 përfaqësues nga Oda Ekonomike e Kosovës, 1 nga Asociacioni Kosovar i Bizneseve dhe 2 nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, do të thotë, sindikatë që është e dyta. Mendoj se në këtë moment mund të kemi rezultate, sugjerime apo të gjitha ato segmente që Këshilli Ekonomik Social i ka si organ për këshillëdhënie”
, thotë Rashiq.

Sidoqoftë, ministri Nenad Rashiq dhe përfaqësuesi i Konfederatës së Sindikatave të Lira të Kosovës, Ali Dragusha, thonë se partnerët në Këshillin Ekonomik Social janë orientuar drejt pikave të caktuara, për të cilat do të zhvillohet dialogu. Fillimisht, sipas tyre, do të shqyrtohet çështja e pagave minimale dhe çështja e fuqizimit të Ligjit të punës.
XS
SM
MD
LG