Ndërlidhjet

Istogu: Kryetar të ri apo balotazh?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Të mërkurën pritet të qartësohet ecuria e mëtejmë për zgjedhjet për kryetar komune në Istog, thonë përfaqësues të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe ata të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në Kosovë. Numërimi i 270 votave me kusht ka përcaktuar tashmë se a do të shpallet fitues kandidati që ka fituar më së shumti vota, apo do të ketë balotazh në Istog, mirëpo rezultatet përfundimtare thuhet se nuk mund të bëhen zyrtare gjatë ditës së martë.


Pas numërimit të rreth 270 votave me kusht për zgjedhjet për kryetar komune në Istog, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë është duke pritur dritën e gjelbër të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa për t’i shpallur rezultatet përfundimtare për këtë komunë.

Kryeshefi i sekretariatit të KQZ-së, Xhemajl Peqani, njofton se KQZ-ja tashmë ka marrë raportin përfundimtar nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve për zgjedhjet në Istog.

Në këtë raport thuhet se janë përfshirë edhe votat me kusht, të cilat do të përcaktojnë fituesin e garës, apo zhvillimin e balotazhit në këtë komunë.

“Ato janë proceduar dhe janë verifikuar se sa kanë qenë valide e sa jovalide - faktikisht janë inkorporuar në rezultatin përfundimtar të QNR-së
”, thotë Peqani.

Afati 48 orësh, gjatë të cilit subjektet politike mund të paraqesin ankesat e tyre në lidhje me parregullsitë eventuale gjatë procesit elektoral, do të përfundojë të mërkurën.

Zyrtarë të Komisionit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa thonë se ende nuk kanë marrë ndonjë ankesë nga partitë politike për Istogun, por në rast se ndodh një gjë e tillë, duhet të pritet vendimi për ankesat në fjalë, para se të mund të vazhdojë procesi.

Kreu i KZAP-it, Tahir Rrecaj, thotë se edhe në rast të paraqitjes së ndonjë ankese, do të punohet me intensitet të shtuar, në mënyrë që sa më shpejt të mundësohet shpallja e rezultateve përfundimtare.

“Besoj se nesër do ta kemi të qartë. Nëse nuk ka ankesa, do t’i japim një informim me shkrim KQZ-së, sepse ata duhet të presin një konfirmim nga ana e KZAP-it, se a ka ankesa apo jo. Në qoftë se eventualisht do të arrijë ndonjë ankesë gjatë ditës së sotme, ne do t’i shqyrtojmë në afatin më të shkurtër të mundshëm. Besoj se kjo mund të ndodhë në ditën e nesërme”,
thekson Rrecaj.

Megjithatë, Rrecaj shton se duhet të pritet se çfarë do të ndodhë gjatë ditës së martë.

“Ky afat për paraqitjen e ankesave është brenda 24 orëve nga dita kur është kuptuar për shkeljet e pretenduara, e më së voni, brenda dy ditësh pune nga dita kur ka ndodhur shkelja e pretenduar - që do të thotë se afati për paraqitjen e ankesave është edhe gjatë tërë ditës së sotme”
, sqaron Rrecaj.

Sipas rezultateve preliminare të KQZ-së për votimet e së dielës në Istog, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova, ka fituar gjithsej 49.7 për qind të votave.

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës, Shasivar Haxhiaj, ka marrë 21.6 për qind të votave, ndërsa kandidati i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muhamet Shatri, ka marrë 21.5 për qind të votave.

Në rast se kandidati i LDK-së nuk ka arritur ta kalojë 50 përqindëshin e nevojshëm, Istogu automatikisht do të shkojë në balotazh.

Zgjedhjet në komunën e Istogut u zhvilluan për shkak të vdekjes së kryetarit të mëparshëm, Fadil Ferati.
XS
SM
MD
LG