Ndërlidhjet

Energjetikë: 90 milionë euro humbje në vit


Humbjet komerciale dhe humbjet teknike, sipas përfaqësuesve të Korporatës Energjetike të Kosovës, gjatë një viti, kapin shumën deri në 90 milionë euro. Ekspertët sugjerojnë disa metoda për eliminimin e këtyre humbjeve.


Përfaqësues të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), në bazë të disa përllogaritjeve të bëra, vlerësojnë se për t’i zvogëluar humbjet teknike të energjisë vetëm për 1 për qind, duhet të bëhen investime deri në 60 milionë euro. Ndërsa, për t’i zvogëluar humbjet komerciale, thuhet se duhet të bëhet ndryshimi i Kodit Penal lidhur me këtë çështje.

Zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, jep më shumë hollësi rreth humbjeve që shkaktohen në korporatë:

“Humbjet e energjisë elektrike ndahen në dy pjesë - në humbje komerciale dhe humbje teknike, të cilat vijnë si pasojë e sistemit të rrjetit të shpërndarjes. Humbjet totale shkojnë në 40.5 për qind, prej tyre diku 17.05 për qind janë humbje teknike, ndërsa pjesa tjetër, 22-23 për qind, janë humbje komerciale. Në vlerë monetare, humbjet energjetike kapin shumën nga 80 deri në 90 milionë euro në vit”.

Buzhala thotë se, krahasuar me vitet e mëhershme, inkasimi gjatë vitit të kaluar ka shënuar rritje, ndërsa vjedhjet e energjisë, sipas tij, ndonëse janë evidente, kanë shënuar rënie.

Për t’i zvogëluar këto humbje, Buzhala thotë se në kuadër të KEK-ut është themeluar ekipi për mbrojtjen e të ardhurave, i cili ekip, sipas tij, ka treguar rezultate në zvogëlimin e humbjeve komerciale.

“Në të njëjtën kohë kemi punuar me Qeverinë e Kosovës për ndryshimin e Kodit Penal në lidhje me vjedhjen e energjisë. Presim që shumë shpejt të miratohet edhe nga Parlamenti. Ky kod do të jetë shumë i ashpër ndaj konsumatorëve që vjedhin energjinë”, thekson Buzhala, duke ua kujtuar konsumatorëve se vjedhja e energjisë është vepër penale, e cila nuk dënohet vetëm me para, por edhe me burg.

Humbjet e energjisë elektrike po e përcjellin Kosovën që nga paslufta. Sipas ekspertëve të energjetikës, vjedhjet e energjisë, përveç tjerash, ndodhin si pasojë e moszbatimit të ligjit.

Projekti me njehsorë digjitalë, i cili, sipas ekspertëve, do të ndihmonte në mosvjedhjen e energjisë, thuhet se nuk ka kosto shumë të lartë. Ekspertët konsiderojnë se vendosja e këtyre njehsorëve, korporatës i kushton shumë më lirë, sesa vjedhja e energjisë nga konsumatorët.

Megjithatë, ekspertja e energjetikës, Fëllanza Hoxha, thotë se qytetarët duhet ta kursejnë energjinë, pasi që, sipas saj, konsumi i energjisë në Kosovë është shumë i lartë.

“Shfrytëzimi, promovimi i resurseve të tjera të energjisë është më se i nevojshëm, prandaj konsumi i energjisë duhet të bie. Energjia në Kosovë është një ndër energjitë më kualitative, prandaj shfrytëzimi i saj për ngrohje, duhet të ndërrohet me një formë tjetër të energjisë”, thotë ajo.

Ndërkaq, sa u përket konsumatorëve, të cilët e paguajnë energjinë elektrike, për dallim nga ata që nuk e bëjnë një gjë të tillë, por e keqpërdorin atë, Fëllanza Hoxha shprehet:

“KEK-u, për konsumatorët që janë pagues të rregullt, duhet të gjobitet për mosfurnizim me energji elektrike. Janë evidente rastet kur kemi ende shkyçje kolektive dhe kjo e ndëshkon edhe konsumatorin që paguan. KEK-u duhet të gjejë një formë që t’i kompensojë konsumatorët e rregullt, të cilët po marrin shërbime të dobëta nga KEK-u”, thotë Hoxha.

Humbjet komerciale të energjisë kanë zënë vend të posaçëm edhe në Strategjinë e Energjisë 2009-2018, e cila, javë më parë, është miratuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Sipas kësaj strategjie, në vitin 2007, humbjet komerciale në vend ishin 1,333 gigavat-orë energji.
XS
SM
MD
LG