Ndërlidhjet

Kinë: Rritet bilanci i të vdekurve


Pas tërmetit...
Pas tërmetit...
Vazhdon të rritet bilanci i viktimave nga tërmeti që goditi Kinën veriperëndimore. Të dhënat e fundit flasin për afro 800 të vdekur, mes të cilëve së paku 66 nxënës.

Ekipet e shpëtimit, me ndihmën e policisë dhe të ushtrisë, kanë arritur të nxjerrin nga rrënojat 1,045 njerëz, ndërsa deri më tani janë trajtuar gjithsejtë 2,038 veta.

Ekipet vazhdojnë të kërkojnë të mbijetuar nën rrënoja, meqë mbi 300 veta konsiderohen të zhdukur. Mijëra njerëz që kanë mbetur pa kulm mbi kokë, kanë kaluar natën nën qiell të hapur, në temperatura mjaft të ulëta.

“Moti i ftohtë dhe ajri i rrallë në këtë lartësi të madhe mbidetare dukshëm vështirësojnë aksionin e shpëtimit”, ka deklaruar Hou Shike, zëvendësdrejtor i përfaqësisë kineze të Qendrës Ndërkombëtare për Kërkim dhe Shpëtim.

Mediat kineze kanë njoftuar dje se nga dridhjet e tokës janë lënduar rreth 10.000 njerëz, ndërsa janë shkatërruar mbi 85 për qind e shtëpive pranë epiqendrës, përkatësisht në zonën Jushu.

Qeveria kineze ka miratuar ndihmën prej 200 milionë Yuan-sh (21.5 milionë euro) për t’i ndihmuar dhe evakuuar banorët nga zonat e shkatërruara.

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave dhe ka thënë se “SHBA-të janë të gatshme që t’i ofrojnë ndihmë Kinës”.

Tërmeti që goditi qarkun Jushu, një zonë kjo e largët malore dhe e populluar kryesisht nga tibetianë, kishte fuqinë prej 6.9 ballësh, sipas shkallës Rihter.


XS
SM
MD
LG