Ndërlidhjet

Lugina e Preshevës, mes Prishtinës e Beogradit


Lugina e Preshevës ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve mes Serbisë dhe Kosovës, thanë të shtunën në Prishtinë përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, gjatë takimit me kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.


Përmirësimi i raporteve mes Prishtinës e Beogradit është i nevojshëm për të parë ndryshime pozitive në Luginën e Preshevës, thanë të shtunën në Prishtinë, Riza Halimi dhe Jonuz Musliu, përfaqësues të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, gjatë një takimi që pati me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës ka mbetur peng i mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Sigurisht që shumë probleme jetësore nuk zgjidhen, apo zgjidhen shumë ngadalë, pikërisht edhe për shkak të raporteve ekzistuese në mes të Beogradit dhe Prishtinës zyrtare. Çfarëdo relaksimi në këtë plan do të kontribuonte që atje problemet të zgjidhen në mënyrë më efikase
”, tha Halimi.

Edhe Jonuz Musliu, kryetar i Lëvizjes së Progresit Demokratik dhe kryetar i Kuvendit të Komunës së Bujanocit, pohoi se mosmarrëveshjet e Serbisë me Kosovën rreth çështjes së statusit, kanë ndikuar në moszhvillimin e jetës së shqiptarëve të Luginës.

“Prishtina dhe Beogradi janë çelës i zgjidhjes së problemit. Natyrisht që ne do ta bëjmë punën tonë në të gjitha fushat, që sa më shpejt të jetë e njohur edhe Kosova. Sa më shumë shtete që e njohin Kosovën dhe sa më e fortë të jetë, besoj që edhe Lugina do të jetë më stabile”,
pohoi Musliu.

Kurse, kryetari i partisë më të madhe opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, theksoi nevojën për ofrimin e një mbështetjeje më të madhe nga Kosova për qytetarët e Luginës së Preshevës.

Në këtë mbështetje, sipas Haradinajt, nuk duhet të ndikojnë raportet aktuale ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Nuk guxojmë ta pranojmë logjikën që për shkak se janë këto raporte, ne nuk guxojmë t’i ndihmojmë njerëzit atje, ose të shprehim interesim. Përkundrazi, mendojmë se është një kontribut pozitiv edhe për relaksimin e rajonit”.

“E, nëse përmirësohet, në rast tillë thellohen shkëmbimet ndërmjet komunave fqinje, si rasti i Dardanës ose i Gjilanit dhe marrëveshjet trepalëshe etj, ky relaksim shkon drejtpërdrejt në shërbim të shqiptarëve që jetojnë atje”,
u shpreh Haradinaj.

Problemet më të mëdha të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, sipas kryetarit të Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, janë arsimimi dhe zhvillimi ekonomik.

“Problemet ju i dini. Në radhë të parë, është një situatë katastrofale ekonomike. Ky rajon është më i pazhvilluari në nivel të shtetit ku ne jetojmë. Deri më tash nuk ka pasur asnjë formulë për një zgjidhje efikase të kësaj problematike jetësore
”, theksoi Halimi.

Lidershipi i Luginës së Preshevës kritikoi Qeverinë e Serbisë, e cila, sipas tyre, në shumë institucione, ka eliminuar të jenë të punësuar shqiptarët.
XS
SM
MD
LG