Ndërlidhjet

Pensionistët ankohen ndaj ligjit ekzistues


Personat mbi moshën 65 vjeç në Kosovë, të cilët kanë të kursyer më shumë se 2 mijë euro, edhe më tej nuk mund t’i tërheqin si shumë të menjëhershme kursimet e tyre pensionale. Pavarësisht ankesave të shumë të pensionistëve, zyrtarë të Trustit të Kursimeve Pensionale thonë se tërheqja e kontributeve pensionale është e përcaktuar me ligj dhe aktualisht nuk mund të bëhen ndryshime.


Pensionistët, të cilët kanë mbushur moshën 65-vjeçare dhe që nuk kanë mundur t’i tërheqin kursimet, e tyre shprehen të zhgënjyer. Muharrem Kadriu thotë se paratë, të cilat mund t’i tërheqë nuk i mjaftojnë për t’i mbuluar shpenzimet elementare.

“Kursimet pensionale nuk mund t’i tërheq. Nuk më mjafton ajo shumë, të cilën e tërheq. Nuk mund të paguaj asgjë, as barna nuk mund të blej. Nuk mund të paguaj as nxehjen, e as rrymën”
, thotë Kadriu.

Edhe Ilaz Ibishi, pensionist, nuk pajtohet me ligjin, i cili përcakton që tërheqja e kursimeve pensionale mbi 2 mijë euro të bëhet me këste mujore.

“Më mirë është që t’i marrim ato para të kursimeve. Nuk ka nevojë që të lihen në trust. Askush nuk ka të holla që të lërë në trust”
, shprehet Ibishi.

Zëvendësdrejtori i Trustit të Kursimeve Pensionale, Agron Krasniqi, sqaron se pensionistët, të cilët kanë më pak se 2 mijë euro, mund t’i tërheqin kursimet e tyre.

Ndërsa, ata pensionistë që kanë mbi këtë shumë, kursimet iu transferohen në bankë dhe iu paguhen me këste mujore prej 100 eurosh, derisa të shpenzohet e tërë shuma.

“Kursimet pensionale ligjërisht e kanë destinimin e paracaktuar. Domethënë nuk janë kursime të rëndomta kur një qytetar i kursen në një bankë dhe pas një periudhe kurdo që dëshiron, i tërheq. Këto mjete janë të kursyera vetëm për pension”
, shpjegon Krasniqi.

Ndërkohë, Krasniqi bën të ditur se për personat, të cilët kanë kursime pensionale deri në 10 mijë euro, të gjitha kursimet do të transferohen në bankë dhe iu paguhet në këste mujore prej 1 për qind të kursimeve të transferuara, derisa të shpenzohet e tërë shuma e kursyer.

“Meqenëse është periudhë e shkurtër që ka filluar të funksionojë, Trusti i Kursimeve Pensionale nuk ka mjete të mjaftueshme të kursimeve që të blihet një pension, apo si quhen ndryshe, siguruesit e anomiteteve”.

“Janë kompanitë e sigurimeve jetësore në treg që në Kosovë nuk ka, përveç ‘Dukagjini live’, e cila është e licencuar, por që kjo pjesë ende nuk është e rregulluar me ligj”,
thekson Krasniqi.

Në Kosovë llogaritet të jenë më shumë se 60 mijë pensionistë. Sipas Ligjit për pensione, personat që kanë mbushur 65 vjeç marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa që nga janari i vitit të kaluar, pensionistët kontribut-dhënës marrin nga 80 euro në muaj.
XS
SM
MD
LG