Ndërlidhjet

Autostrada dhe punësimi


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Autoritetet në Kosovë thonë se gjatë tre vjetëve të ardhshëm, sa planifikohet të zgjasë ndërtimi i autostradës Vërmicë - Merdare, do të punësohen rreth katër mijë punëtorë vendës. Ato thonë se 40 për qind të punimeve të drejtpërdrejta në trasenë e rrugës do t’i kryejnë kompanitë vendore, gjë që, sipas tyre, do të ndikojë në ngritje të bruto prodhimit në nivelin e vendit (GDP).



Gjatë tre vjetëve të ardhshëm, sa parashihet të zgjasë ndërtimi i autostradës Vërmicë - Merdare, pritet të punësohet një numër i konsiderueshëm i kosovarëve. Ky projekt, sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit, përveç tjerash, do të ndikojë në krijimin e kushteve më të mira ekonomike dhe sociale për qytetarët.

Këshilltari ekonomik në Ministrinë e Transportit, Ilhami Gashi, vlerëson se ky investim kapital, i pari në Kosovë, është një shtytje e re e zhvillimit ekonomik të vendit.

“Element i drejtpërdrejtë që ndikon në ngritjen e GDP-së së qytetarëve të Kosovës, është se numri i të punësuarve, në bazë të parametrave të kompanisë ‘Bechtel & Enka’, parasheh që për këtë periudhë të inkuadrojë katër mijë punëtorë të profileve të ndryshme, nga punëtorët e thjeshtë e deri te niveli i inxhinierëve”, thotë Gashi, për të shtuar se deri në përfundimin e këtij projekti, do të përfitojnë edhe prodhuesit e materialeve ndërtimore në Kosovë.

Në një paragraf të kontratës për ndërtimin e autostradës, të nënshkruar nga Qeveria e Kosovës dhe konzorciumi amerikano - turk “Bechtel & Enka”, thuhet se rreth 40 për qind e punimeve të drejtpërdrejta në trasenë e rrugës, do t’i kryejnë kompanitë vendore.

Lidhur me këtë, Gashi jep më shumë hollësi:

“Kjo është gjithashtu një multiplikator i ri ekonomik, i cili mundëson perfeksionimin e kapaciteteve të kompanive vendore dhe perfeksionimin e tyre në standardet ndërkombëtare, se si punohen rrugët. Përftimi është i shumanshëm. Të gjithë të punësuarit do të krijojnë një eksperiencë të re, me një menaxhim të ri. Do të fitojnë kompanitë vendore dhe më pas do të jenë të përgatitura të punojnë në punimet në rajon”.

Në anën tjetër, ekspertë të ekonomisë thonë se ky projekt do të ndikojë edhe në zbutjen e papunësisë në Kosovë, gjë që, sipas tyre, paraqet anën më pozitive të projektit.

Por, megjithatë, eksperti Shpend Ahmeti fokusohet në trajtimin e çështjeve të tjera, të cilat, sipas tij, shikohen me më interes nga qytetarët.

“Ka pjesë, të cilat kërkojnë ndërtim të tuneleve dhe urave, të cilat kushtojnë shumë shtrenjtë dhe, në këtë kohë kur kemi 40 për qind të papunësisë, duhet të mendohet se a ka vend më të mirë për t’i investuar ato mjete apo kjo është mënyra më e mirë”, thotë Ahmeti.

Ndërkaq, sa i përket fillimit të punimeve, zyrtarë të Ministrisë së Transportit kanë bërë të ditur se konzorciumi fitues i tenderit “Bechtel & Enka” tashmë ka sjellë në Kosovë makineri ndërtimi për autostradën Vërmicë - Merdare, ndërtimi i së cilës do të fillojë më 25 prill, në ora 13:00.
XS
SM
MD
LG