Ndërlidhjet

Sfidat përballë komunave veriore


Leposaviq
Leposaviq

Inkuadrimi në sistemin kosovar i tri komunave në veri të Kosovës, Leposaviqit, Zubin-Potukut dhe Zveçanit, parashihet të jetë sfidë për institucionet e Kosovës. Serbët në veri këmbëngulin se nuk do të pranojnë asnjë plan nga Prishtina zyrtare.



Inkuadrimi në sistemin kosovar i tri komunave në veri të Kosovës, Leposaviqit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, për përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal pritet të jetë një sfidë e re, pas krijimit të komunës në veri të Mitrovicës.

Problemet që po i shkaktojnë përpjekjet për krijimin e kësaj të fundit, pritet të jenë të ngjashme edhe në tri komunat e tjera në këtë pjesë të vendit, vlerësojnë zyrtarët kosovarë.

Ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, shpjegon më shumë:

“Është e njëjta klimë, përafërsisht të njëjtat sfida, të njëjtat pengesa i kemi. Posa të përfundojë themelimi i komunës së re, ne e kemi problemin në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok. Pra, atje janë të themeluara komunat, porse refuzojnë të funksionojnë sipas sistemit unik, me ligje të Republikës se Kosovës dhe institucionet qendrore t’i pranojnë si autoritet, me të cilin duhet të bashkëpunojnë”.

“Jo vetëm në Mitrovicë që duhet të implementojmë ligje dhe ta themelojmë komunën, por të njëjtin ambient të lirë dhe bashkëpunues duhet ta kemi edhe në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok”,
thotë ministri Ferati.

Strategjia për veriun, mes tjerash, parasheh kontrollin e plotë të doganave atje, funksionimin e gjykatave, si dhe organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve në Mitrovicë, Zubin-Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

Aktualisht, këto komuna udhëhiqen nga strukturat paralele serbe. Në zgjedhjet lokale të 15 nëntorit, të organizuara nga institucionet e Kosovës, serbët e veriut kishin refuzuar pjesëmarrjen në to.

Serbët lokalë po ashtu hedhin poshtë strategjinë për integrimin e veriut, të hartuar nga Qeveria e Kosovës dhe Zyra Civile Ndërkombëtare.

Lidhur me këto plane të Prishtinës zyrtare, kreu i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Millan Ivanoviq, thotë:

“Sikur që nuk do të ketë zgjedhje në Mitrovicë, ashtu nuk do të ketë as në Leposaviq, Zubin-Potok e Zveçan. Nuk mund të flitet në këtë mënyrë për komunat në veri të Kosovës, duke tentuar që të imponohen gjëra, të blihen serbë... Ne, si popull, dimë se çfarë duam. Do të punojmë që institucionet tona, që janë në ombrellën e shtetit të Serbisë, t’i përfaqësojnë serbët e veriut”.


Komuniteti ndërkombëtar në Kosovë vazhdimisht ka potencuar nevojën për një qasje më të kujdesshme ndaj këtyre tri komunave, për shkak të, siç është thënë, qëndrimeve më të theksuara të banorëve të këtyre lokacioneve kundër institucioneve kosovare.

Ministri Ferati thekson vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e planeve që kanë të bëjnë me pjesën veriore.

“Pas themelimit të komunës së Mitrovicës, sigurimit të bashkëpunimit të qytetarëve, krijimit të një afirmimi për vlerat që po krijohen, duke marrë parasysh të gjitha favoret që u krijon qytetarëve funksionimi i një komune, mbështetja, financimi dhe shumëçka tjetër - kjo do ta ndihmojë edhe procesin në Leposaviq, Zveçan e Zubin-Potok”,
thotë Ferati.

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë thënë disa herë se serbët e veriut janë të ndikuar nga Beogradi dhe, në këtë mënyrë, kundërshtojnë çdo ofertë dhe plan që ofrohet nga Prishtina zyrtare.
XS
SM
MD
LG