Ndërlidhjet

Gjenerimi ekonomik nëpërmjet koncesionimit


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Dhënien me koncesion të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ekspertë të çështjeve ekonomike e vlerësojnë si hap pozitiv dhe me përfitime të shumëfishta ekonomike. Por, megjithatë, ata thonë se këto forma ndonjëherë mund të kenë edhe pasoja në të ardhmen.



Ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se dhënia me koncesion e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës do të sjellë gjenerim ekonomik në Kosovë.

Kryetari i Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, thotë se kjo odë përkrah pjesëmarrjen e sektorit privat në të gjithë sektorët, ku sektori publik ka ende një pjesëmarrje më të madhe.

“Mendoj se procesi i deritanishëm i Aeroportit ka shkuar shumë mirë. Janë tri konzorciume të ndryshme të respektuara, cilat kanë hyrë në rreth të ngushtë. Mendoj se nëse ky proces shkon në mënyrë transparente deri në fund, përftimet do të jenë të shumëfishta për ekonominë e Kosovës”, thotë Musa.

Por, eksperti për çështje ekonomike në fushën e koncesioneve, Ekrem Rexha, tërheq vërejtjen se dhënia e gjigantëve publikë me koncesion, duhet të shikohet në periudha afatgjate, pasi që kjo formë, sipas tij, nuk është çdoherë e favorshme. Rexha jep më shumë hollësi rreth kësaj çështjeje:

“Duhet pasur kujdes se, ndonjëherë, mund të interpretohen si interesa të momentit, që mund të kenë pasoja katastrofale për një të ardhme. P.sh. çështja e ‘Ferronikelit’- atëherë nuk është matur sa duhet kontrata që është bërë për shfrytëzimin e rrjetit elektrik me çmime të ngrira, ajo kontratë (tani) ka pasoja të mëdha si për KEK-un, ashtu edhe për ekonominë e Kosovës”.

Rexha vlerëson se futja e kapitalit dhe menaxhimit privat në punët dhe shërbimet publike mund t’i lehtësojë kufizimet fiskale dhe të rrisë efikasitetin, duke u kujdesur në të njëjtën kohë për infrastrukturën dhe shërbimet e reja.

Ndryshe, Republika e Kosovës ka pranuar ofertat nga tri konzorciumet e parakualifikuara për të drejtën e operimit dhe të zgjerimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, me një kontratë 20-vjeçare të koncesionit.

Autoritetet kosovare kanë thënë se do të kërkojnë nga ofertuesi i përzgjedhur që ta modernizojë dhe ta zgjerojë aeroportin e vetëm komercial të vendit, duke investuar rreth 100 milionë euro në infrastrukturën e re, përfshirë këtu ndërtimin e një ndërtese të re të terminalit.

Nga koncesioneri i ardhshëm do të kërkohet gjithashtu të operojë Aeroportin me oferta të zgjeruara të shërbimeve dhe me nivele shumë më të larta të cilësisë.

Në këmbim për të drejtat e tij, operatori privat do t’i paguajë Qeverisë së Kosovës një përqindje të të hyrave bruto të Aeroportit, në formë të tarifës vjetore të koncesionit.

Republika e Kosovës do ta mbajë pronësinë 100 për qind të Aeroportit.

Ndryshe, investimet e paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës, që investitorët do t’i bëjnë në këtë kompani publike, sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane, Lekë Musa, do të ndihmojnë në zhvillimin e kompanisë.

“Në rend të parë do të sigurohen disa investime shumë të mira, një shumë e madhe e investimeve që do ta përmirësojë infrastrukturën. Shërbimet do të jenë shumë më efikase në Aeroport. Konzorciumi, i cili do të investojë, do të sjellë me vete ekspertizën se si duhet të menaxhohet një aeroport modern dhe në kushtet bashkëkohore”
, thotë Musa.

Ndryshe, ofertuesit kanë përfshirë një konzorcium të përbërë nga kompanitë koncesionare franceze Bouygues Batiment International dhe Egis Group; një konzorcium të përbërë nga kompania ndërtimore turke Limak Group dhe operatori francez i aeroportit Aeroport de Lyon, si dhe nga aleanca gjermane-turke e operimit të aeroportit dhe ndërtimit Fraport IC ICTAS.
XS
SM
MD
LG