Ndërlidhjet

Integrimi i fëmijëve me nevoja të veçanta


Shkollimi i fëmijëve me nevoja të veçanta në Kosovë është në nivel të kënaqshëm. Sipas zyrtarëve institucionalë, këta fëmijë tashmë janë të integruar në shkolla të zakonshme, ku mësimdhënësit ofrojnë edhe shërbime të tjera, varësisht nga nevojat e këtyre nxënësve.

Ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj, thotë se në Kosovë është një numër mjaft i madh i fëmijëve që janë të integruar në shkolla, e që dallohen nga nxënësit e tjerë për shkak të aftësive të kufizuara që i kanë.

“Kemi pasur një program masiv të kualifikimit të stafit që jep mësim në shkolla speciale. Ka shumë për t’u bërë, sepse ende disa prindër nuk i sjellin fëmijët e tyre në shkolla. Qëllimi jonë është që të kemi një sistem arsimor, që u shërben të gjithëve, pa marrë parasysh aftësitë e nxënësve. Parashihet që t’i rrisim aktivitetet e buxhetit për këtë lëmi”, thotë ministri Hoxhaj.

Kozeta Imami, zyrtare në UNICEF, thotë se kjo organizatë punon në zbatimin e aktiviteteve të integrimit të fëmijëve me nevoja të veçanta, nga shkollat speciale në shkollat e rregullta.

"Mund të them se aktivitetet kanë ndikuar në ngritjen e numrit të fëmijëve me nevoja të veçanta që janë integruar. Janë vetëdijesuar edhe prindërit që t’i sjellin fëmijët me kohë në shkollë”, thotë Imami.

Në anën tjetër, Lulavere Behluli, udhëheqëse e arsimit special në Ministrinë e Arsimit, thotë se shkollat speciale tashmë janë shndërruar në qendra burimore, që do të thotë se, përveç mësimdhënies, ofrojnë edhe shërbime të tjera për fëmijët me nevoja të veçanta.

“Gjithsejtë janë 1180 fëmijë të identifikuar, por ka edhe të paevidentuar; për shkak të regjistrimit të popullsisë, nuk kemi shifër të saktë se sa janë jashtë sistemit shkollor”
, thotë Behluli.

Sipas saj, fëmijët me nevoja të veçanta mësojnë me plan-programe të rregullta si të gjithë nxënësit tjerë, por i karakterizon një plan specifik - mësimdhënësi e përshtat programin sipas nevojave të fëmijës.

“Kemi punuar në hartimin e planit strategjik 5-vjeçar për këta fëmijë. Na shërben dhe neve si institucion, se çka të bëhet në pesë vjetët e ardhshëm që të jenë të integruar fëmijët me nevoja të veçanta, por që të jetë edhe mësimdhënia e individualizuar, në mënyrë që t’u përshtatet nevojave të fëmijëve”, deklaron Behluli.

Lirie Gosalci, udhëheqëse e organizatës joqeveritare “Tema”, e cila përfaqëson fëmijët me nevoja të veçanta, thotë se kjo organizatë merret me integrimin e tyre në shkollim të rregullt, e gjithashtu merret edhe me trajnimin e mësimdhënësve për këta nxënës.

“Veprimtaria jonë është e fokusuar në përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta në shkollim të rregullt. Me programin që implementojmë, ndihmojmë fëmijët që të integrohen në shkolla të rregullta. Implementojmë programin italian dhe finlandez”,
thekson Gosalci.

Sidoqoftë, në Kosovë janë gjithsejtë 8 shkolla speciale, që tashmë janë kthyer në qendra burimore.
XS
SM
MD
LG