Ndërlidhjet

Zhvillimi ekonomik përballë projekteve kapitale


Investimi i Qeverisë së Kosovës në projekte kapitale, nga ekspertë të çështjeve ekonomike vlerësohet si një sinjal pozitiv për tërheqjen e investitorëve seriozë në Kosovë, si dhe për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Megjithatë, ata thonë se Kosova duhet të punojë në drejtim të rritjes ekonomike, për të zbutur papunësinë.



Projektet kapitale, të cilat pritet të realizohen gjatë viteve të ardhshme në Kosovë, sipas ekspertëve për çështje ekonomike, do të sjellin zhvillim ekonomik në vend.

Projektet si: ndërtimi i autostradës, privatizimi i Postë-Telekomunikacionit dhe dhënia me koncesion e Aeroportit, sipas tyre, do të sjellin edhe investitorë seriozë në Kosovë.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Lekë Musa, thotë se për të pasur zhvillim ekonomik, Qeveria e Kosovës duhet t’i fusë në funksion të gjitha kapacitetet, të cilat mund të sjellin edhe rritje ekonomike.

“Projektet kapitale, siç janë: autostrada, koncesinoimi i Aeroportit, privatizimi i Postë- Telekomunikacionit - të gjitha janë një mundësi e mirë që Qeveria e Kosovës nuk guxon ta humbasë, se, në njërën anë, mund të tërheqë investitorë të mirë dhe, në anën tjetër, mund të dërgojë një sinjal se në Kosovë mund të bëhet biznes në mënyrë të barabartë dhe transparente”,
shprehet Musa.

Projektet kapitale, në të cilat thirren ekspertët e ekonomisë, janë projekte, të cilat Qeveria e Kosovës i ka si prioritet për vitin 2010.

Ndërtimi i autostradës tanimë ka filluar dhe pritet të përfundojë brenda tre vjetësh; koncesionimi i aeroportit pritet të bëhet brenda këtij muaji, ndërsa procesi i privatizimit të Postë-Telekomunikacionit të Kosovës është në proces.

Ekspertët e çështjeve ekonomike thonë se zhvillimi ekonomik dhe përmirësimi i gjendjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve mbeten sfida për mekanizmat vendorë dhe ndërkombëtarë në Kosovë.

Duke komentuar raportet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të cilat parashohin një rritje ekonomike të Kosovës prej 4% deri në 5%, rritje këto të cilat janë edhe projeksione të Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, eksperti Musa thotë se ato nuk janë të mjaftueshme për të zvogëluar numrin e të papunëve në Kosovë.

“Norma e rritjes ekonomike duhet të jetë përmbi 7 ose 8 për qind, për të zvogëluar shkallën e papunësisë. Në këtë drejtim, i mbetet Qeverisë që të përmirësojë ambientin afarist në Kosovë. Shpresojmë që viti 2011 do ta shohë Kosovën të ranguar më mirë në rangimin e Bankës Botërore, sa i përket ambientit afarist”, shprehet Musa.

Sipas sekretarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, mundësitë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në Kosovë ekzistojnë. Por, ai thotë se të gjitha problemet, qoftë sociale, qoftë të zhvillimit ekonomik, duhet të trajtohen në kuadër të një kornize të qëndrueshme, një kornizë që, sipas tij, garanton zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ku rolin kryesor e ka sektori privat.

“Ne kemi diskutuar, muajve të fundit, rreth shifrave të rritjes ekonomike. Jemi krenuar me këto shifra në nivelin institucional, mirëpo realiteti është krejt ndryshme, pasi që rritja ekonomike vjen si rezultat i rritjes së shpenzimeve publike, që janë kryesisht në investimet publike, në projektet publike dhe sektori privat ka ngecur - kjo është shqetësuese”,
thotë Rukiqi.

Investimi i Qeverisë së Kosovës në projekte kapitale, edhe për ekspertin e çështjeve ekonomike, Xhelil Bekteshi, është një hap pozitiv, i cili po bëhet në Kosovë. Megjithatë, ai thekon se pa një angazhim në sektorin privat, nuk mund të ketë zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

“Poenta është se si ne të krijojmë një klimë, një siguri, një stabilitet edhe politik, për t’i tërhequr investitorët; kjo fuqi punëtore që është këtu, që është mjaft e lirë, të qëndrojë këtu. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa mbrojtëse dhe ta stimulojë komunitetin e biznesit”,
thotë Bekteshi.
XS
SM
MD
LG