Ndërlidhjet

Britani: Shumë dilema pas zgjedhjeve


Garuesit e zgjedhjeve
Garuesit e zgjedhjeve

Britania i zhvilloi zgjedhjet më të ngushta parlamentare në dekadat e fundit, ku asnjëra parti nuk fitoi shumicën parlamentare.

Konservatorët në opozitë, që janë në rrugë të bëhen partia më e madhe në Parlament, thanë se laburistët e humbën mandatin për të qeverisur. Por, kryeministri Gordon Braun nuk është i gatshëm të dorëzohet.

Pas zgjedhjeve të ngushta parlamentare, Britania do ta ketë Parlamentin ku asnjëra parti nuk e fitoi shumicën.

Konservatorët në opozitë u bënë partia më e madhe në Dhomën e Ulët.

Por, partia e qendrës së djathtë, e udhëhequr nga Dejvid Kamerun, nuk arriti të sigurojë shumicën e nevojshme që vetë të formojë Qeverinë.

Rezultati nënkupton se nuk do të jetë e qartë se kush do të formojë qeverinë e ardhshme dhe kjo nënkupton se do të duhet të zhvillohen negociata për koalicione të mundshme, për të krijuar qeverinë e pakicës.

Ekspertët presin që kryeministri aktual, Gordon Braun, ta shfrytëzojë rastin e parë për t’u përpjekur të formojë qeverinë, edhe pse Partia Laburiste e tij ka më pak ulëse se Partia Konservatore.

Por, Kamerun tha se votuesit i hodhën poshtë laburistët pas 13 vjetësh në pushtet.

“Në shkallë vendi duhet t’i presim rezultatet e plota, por unë besoj se tashmë është e qartë se Qeveria laburiste e ka humbur mandatin e saj për ta qeverisur vendin”, tha Kamerun.

Laburistët kanë dhënë sinjale të përziera për qëllimet e tyre. Duke folur në zonën e tij zgjedhore në Skoci, Braun la të kuptohet se ai do të përpiqet të mbetet në pushtet dhe të merret vesh me liberal-demokratët, duke premtuar aksion në kërkesë kryesore të tyre - reformën zgjedhore.

“Rezultati i votimeve ende nuk dihet, por detyra ime ndaj vendit të dalë nga zgjedhjet është të luaj rolin tim që Britania të ketë Qeveri të fortë dhe stabile, të aftë për ta çuar Britaninë drejt rimëkëmbjes ekonomike dhe zbatimit të përkushtimeve tona për reforma më të gjera në sistemin politik”, tha Braun.

Por, befasia më e madhe e mbrëmjes ishte zhgënjimi që u tregua për liberal-demokratët e qendrës.

Gjatë fushatës, partia u vlerësua shumë nga paraqitjen e kreut të saj, Nik Kleg, në debatet e para televizive.

Por, në zonën e tij në Shefild, Kleg e pranoi zhgënjimin.

“Kjo qartësisht ka qenë një natë zhgënjimi për liberal-demokratët. Ne, thjesht, nuk e arrtitëm atë që shpresonim”, tha Kleg.

Megjithatë, gara e ngushtë ndërmjet laburistëve dhe konservatorëve nënkupton se partia e Klegut do të ketë rol të rëndësishëm në ditët që vijnë.

Mbështetja e liberal-demokratëve do të jetë kyçe për të vendosur nëse laburistët do të mbeten në pushtet, megjithëse si koalicion, ose konservatorët do të formojnë qeveri të pakicës, me mbështetjen e liberal-demokratëve dhe partive të tjera të vogla në Parlament. (v.p.)
XS
SM
MD
LG