Ndërlidhjet

А ka mbrojtje konsumatori?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese

Moszbatimi i Ligjit për mbrojtjen e konsumatorëve ka bërë që tregu kosovar të jetë i furnizuar me produkte me afat të skaduar dhe me cilësi të dyshimtë, vlerësojnë përfaqësues të organizatave që merren me këtë çështje.

Udhëheqësi i organizatës joqeveritare “Konsumatori”, Selatin Kaçaniku, thotë se Ligji për mbrojtjen e konsumatorit në Kosovë nuk funksionon si duhet dhe kjo, sipas tij, ka bërë që gjendja e tregut të jetë në nivelin që është.

“Konsumatori i Kosovës është i mbrojtur aq sa vepron ligji, e ligji nuk funksionon, sepse ai është në dorën e një njeriu që është mbi ligjin”, thotë Kaçaniku, i cili, megjithatë, shton se puna që kanë bërë inspektorët sanitarë kohëve të fundit, është për t’u lavdëruar.

Sipas zotit Kaçaniku, gjatë një hulumtimi, së fundmi janë kapur 100 tonelata mish me afat të skaduar nëpër depot dhe marketet në vend. Por, ai shpreh një shqetësim tjetër lidhur me këtë çështje si dhe dyshimin se po të hulumtohet më thellë, do të gjenden ende produkte me afat të skaduar, e që tashmë janë në shitje.

“Tash janë zënë 100 tonë mish me afat të skaduar dhe kemi lavdëruar punën e inspektoratit. Por, çka do të ndodhte sikur të mos ziheshin, ose çka ka ndodhur më parë kur nuk janë zënë?! Po t’i vizitojmë depot, prapë do të gjejmë mish me afat të skaduar”,
thotë Kaçaniku.

Edhe Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se konsumatorët e Kosovës janë të pambrojtur dhe se ata nuk kanë adresë të qartë se ku të ankohen, derisa Ligji për mbrojtjen e konsumatorëve ekziston.

“Konsumatorët në Kosovë janë konsumatorët më të pambrojtur dhe qytetarët nuk i dinë të drejtat e tyre. Ne e kemi Ligjin për të drejtën e konsumatorit, e që 90 për qind e popullsisë nuk e di se ekziston ky ligj”, thotë Shahini.

Zoti Shahini thotë se mungesa e vetëdijes së qytetarëve për të drejtat e tyre në këtë çështje, e bën situatën edhe më të vështirë.

E drejta për t’i parashtruar ankesat e tyre në institucionet përgjegjëse të Kosovës, siç pohon Shahini, duhet të shfrytëzohet nga konsumatorët e produkteve të ndryshme që qarkullojnë në tregun kosovar.

Institutcionet përgjegjëse të Kosovës duhet t’i pranojnë ankesat nga konsumatorët, por edhe konsumatorët duhet t’i dinë të drejtat e tyre.

“Ministria e Tregtisë dhe Industrisë duhet të jetë më fleksibile që ta promovojë këtë ligj dhe konsumatori të mos heshtë”, rekomandon Shahini.

Përfaqësuesi i Zyrës për mbrojtjen e konsumatorit nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, Izer Arifi, thotë se ky departament duhet të zhvillohet, në mënyrë që konsumatori të mund të jetë më i mbrojtur. Por, sipas tij, pasi që buxheti është i limituar në këtë drejtim, ky departament vazhdon të mbetet në nivelin që është.

“Duhet të jetë një departament rregullator i tregut, që do ta mbikëqyrë tregun dhe do t’i bëjë politikat për mbrojtjen e konsumatorit, gjithnjë në bashkëpunim me institucionet tjera, me asociacionet e biznesit dhe shoqatat për mbrojtjen e konsumatorit”, thekson Arifi.

Sipas zotit Arifi, tashmë është hartuar programi për mbrojtjen e konsumatorit 2010-2015 nga Qeveria e Kosovës dhe, sipas tij, ky program ka filluar të zbatohet.
XS
SM
MD
LG