Ndërlidhjet

Britani: Konservatorët kërkojnë ndihmën e liberla-demokratëve


Lideri i Partisë Konservatore, Dejvid Kamerun.
Lideri i Partisë Konservatore, Dejvid Kamerun.

Konservatorët britanikë kanë kërkuar nga liberal-demokratët t’i ndihmojnë në krijimin e qeverisë. Oferta e konservatorëve erdhi pas rezultateve të ngushta në zgjedhjet e përgjithshme britanike, që u zhvilluan të enjten.

Zgjedhjet e fundit e kanë nxjerrë Partinë Konservatore si partinë më të madhe në vend, por nuk i kanë dhënë shumicën e mjaftueshme për të qeverisur e vetme. Kjo është hera e parë që nga viti 1974 që Britania nuk ka një parti të vetme fituese në zgjedhje.

Konservatorët e qendrës së djathtë pritet të kenë rreth 50 deputetë më shumë se Partia Laburiste në pushtet. Megjithatë, konservatorët nuk kanë 326 ulëset e nevojshme në Parlament.

Kamerun deklaroi se ai po e sheh mundësinë e krijimit të një qeverie të pakicës. Por, pas radhitjes së një sërë problemesh, me të cilat ballafaqohet Britania, përfshirë luftën në Afganistan dhe deficitin rekord, Kamerun nënvizoi se ndoshta do të ishte e mundshme të krijohej një “qeveri e fortë dhe më bashkëpunuese”.

“Dëshiroj të bëj një ofertë të hapur dhe të arsyeshme për liberal-demokratët. Dua që ne të punojmë së bashku për rregullimin e problemeve të mëdha e urgjente që ka vendi ynë - krizën e borxheve, problemet e thella sociale dhe problemet në sistemin tonë politik”, tha Kamerun.

Ai shtoi se ka një sërë elementesh të përbashkëta në qëndrimet e dy partive. Por, Kamerun nuk ngurroi të përmendte dhe fusha ku dy partitë kanë dallime të mëdha.

Imigracioni është një prej tyre, ku në dallim nga lieral-demokratët, konservatorët kërkojnë politika më të ashpra.

Kreu i konservatorëve theksoi se është e rëndësishme të krijohet sa më shpejt një qeveri e qëndrueshme dhe shpreson që së shpejti të ketë një marrëveshje.

Zgjedhjet britanike, që nuk nxorën asnjë parti fituese, kanë bërë që liberal-demokratët, që u renditën të tretët, të jenë në pozicionin kyç për të vendosur nëse konservatorët do të jenë të aftë të krijojnë qeverinë, apo sërish laburistët do të mbeten në pushtet.

Deklaratat e udhëheqësit të konservatorëve britanikë erdhën pas atyre të Nik Klegut, drejtuesit të liberl-demokratëve, i cili tha se Partia Konservatore doli partia më e madhe nga zgjedhjet dhe ka fituar të drejtën të përpiqet për të formuar një qeveri.

“Mendoj se tani i takon Partisë Konservatore të provojë se është në gjendje të qeverisë në interes të vendit”, tha Kleg.

Por, situata nuk është e thjeshtë. Kryeminsitri aktual, Gordon Braun, e bëri të qartë se do ta shohë mundësinë e krijimit të qeverisë, pavarësisht se laburistët kanë më pak vende në Parlament se konservatorët.

Braun nuk tregoi asnjë shenjë se do të japë dorëheqje, por shtoi se do t’u japë kohë rivalëve të tij të diskutojnë.

“Zotërinjtë Kamerun e Kleg padyshim që kanë të drejtë të marrin aq kohë sa është e nevojshme. Sa më përket mua, po e bëj të qartë se jam i gatshëm të bisedoj me secilin nga krerët partiakë”.

“Është e qartë se nëse diskutimi mes Kamerunit e Klegut nuk do të japë rezultat, atëherë unë do të jem i përgatitur të diskutoj me zotin Kleg për fushat ku mund të ketë marrëveshje mes dy partive tona”
, tha Braun.

Pika kyçe për Partinë Liberal-Demokrate duket së është reformimi i sistemit zgjedhor, pasi sistemi aktual britanik favorizon dy partitë e mëdha. Braun e ka bërë premtimin se është i gatshëm për reformë të sistemit zgjedhor. Por, sipas të gjtiha gjasave, kjo çështje do të jetë një nga pengesat gjatë bisedimeve me konservatorët.

Një tjetër problem është se sa do të jenë në gjendje Kameruni e Klegu të marrin mbështetjen e partive përkatëse në rast të ndonjë marrëveshjeje.

“Duke parë rezultatin e ngushtë dhe vështirësinë e madhe, krizën ekonomike në botë dhe në Britani, të gjitha partitë do të kenë një ndjenjë përgjegjësie për të krijuar një lloj qeverie të qëndrueshme”.

“Besoj se do të kemi një lloj marrëveshjeje. Besoj se ka më shumë gjasa që të kemi një ujdi të kufizuar në kohë dhe jo një marrëveshje të hapur”,
thotë Xhon O’Sallivan, drejtor ekzekutiv i Radios Evropa e Lirë, njëherësh një vëzhgues i vjetër i politikës britanike.

Nëse nuk arrihet marrëveshje mes konservatorëve dhe liberal-demokratëve, atëherë laburistët do të shohin mundësinë për të qëndruar në pushtet.

Tim Bale, profesor në Universitetin e Suseksit, thotë se Partia Liberal-Demokrate do të përpiqet të marrë dy premtime nga laburistët.

“Së pari të çojnë përpara reformën zgjedhore dhe së dyti të heqin Braunin si kryetar dhe kryeminsitër. Nëse kjo ndodh dhe nëse labursitët marrin edhe mbështetjen e partive nacionaliste në Uels, Skoci dhe në Irlandën e Veriut, atëherë mund të jetë e mundur për labursitët të krijojnë një lloj koalicioni. Mund të jetë koalicion i pakicës, por me gjasa që të mbijetojë”, thotë Bale. (i.b.)
XS
SM
MD
LG